13 persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni për goditjen e prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotike. Për 4 të tjerë është caktuar masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ ndërsa 1 tjetër është shpallur në kërkim.
Këta persona kryesisht shisnin lloje të ndryshme drogërash si heroinë, kokainë e kanabis në ambientet e shkollave në Shijak dhe Manzë.
Gjatë operacionit, nga kontrollet fizike dhe ato nëpër banesa, janë gjetur dhe sekuestruar 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 kallashnikov), shuma të konsiderueshme parash, automjete dhe celularë.
“Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Cleaning 5”, si rezultat i 2 procedimeve penale të ndjekura për disa muaj.
Objektivi i operacionit, identifikimi dhe arrestimi i shtetasve që tentonin të shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë.
Gjatë operacionit, sekuestrohen sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike Heroinë, Kokainë dhe Cannabis Sativa, 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 kallashnikov), shuma të konsiderueshme parash, automjete dhe celularë.
Ekzekutohen masat e sigurisë për 17 shtetas (për 13, masa “Arrest në burg”; për 4, masa “Arrest në shtëpi”). Shpallet në kërkim 1 shtetas.
Shtetasit akuzohen se në bashkëpunim, kanë siguruar lëndë narkotike, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave në Shijak dhe në Manzë.
Në vijim të punës intensive hetimore dhe operative, të kryer nga strukturat e Policisë së Durrësit, me prioritet identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që kryejnë veprimtari kriminale në afërsi të institucioneve arsimore dhe/ose të ambienteve të tjera që frekuentohen nga rinjtë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e forcave të posaçme Operacionale dhe “Shqiponja” dhe me shëbimet e Stacionit të Policisë Manzë dhe të Komisariatit të Policisë Shijak, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, operacionin e koduar “Cleaning 5”.
Si rezultat i 2 procedimeve penale u kryen hetime disamujore, në vijim të të cilave u ekzekutuan masat e sigurisë për 17 shtetas, konkretisht, për 13 shtetas u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 4 shtetase u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa 1 shtetas u shpall në kërkim.
Këta shtetas, banues në Durrës, Kavajë, Shijak, dhe në fshatra të njësive administrative Sukth, Manzë dhe Xhafzotaj, akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe/ose më shumë se një herë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim, siguronin lëndë narkotike dhe e shitnin kryesisht në afërsi të shkollave në Shijak dhe në Manzë, si dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










