Durrës - Gëzim Allçi i cili ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje, moskallëzim krimi si edhe përkrahje e autorit të krimit në lidhje me vrasjen e dyfishtë në Manëz është vetëdorëzuar në policinë e Durrësit. Sipas Policisë, 31 vjeçari dorëzoi gjithashtu edhe një armë sportive me gogla.

Kur ndodhi ngjarja?

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 22 tetorit 2025 në ambientin e jashtëm të një lokali në Manëz. Sherri nisi në lokal mes Daniel Pepës dhe kamerierit të cilit i kërkonte të ndizte ekspresin për të bërë kafe.

21-vjeçari Daniel Pepa u fut në lokal bashkë me shokun e tij Aranit Kurti dhe i kërkuan kamerierit t’iu shërbente kafe. Ky i fundit deklaroi se nuk ua kishte bërë kafet, pasi e kishte fikur ekspresin dhe kërkonte kohë të ngrohej.

Teksa ngulmonte në kërkesën e tij, 21-vjeçari Daniel Pepa ofendoi kamerierin. I ulur në një nga tavolinat e lokalit, 33-vjeçari Flori Paluçi ndërhyri në debat, ku i kërkoi Daniel Pepës të mos i fliste keq kamerierit. Debati mes tyre degradoi deri në përdorimin e armëve, ku Flori Paluçi qëlloi në drejtim të dy shokëve, por plumbat kapën vetëm 23-vjeçarin Aranit Kurti, i cili ndërroi jetë në vendngjarje.

Për rrjedhojë, Daniel Pepa u kundërpërgjigj, duke qëlluar me breshëri në drejtim të Flori Paluçit, i cili po ashtu gjeti vdekjen e menjëhershme. Pas masakrës, 21-vjeçari Daniel Pepa u largua nga vendngjarja me ndihmën e 31-vjeçarit Gëzim Allçi. Pepa më pas u vetëdorëzua në 19 nëntor të 2025.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të datës 13.11.2025, e cila ka caktuar në mungesë masën e sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit G. A., 31 vjeç, banues në Manëz, Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Shtetasi G. A. ishte shpallur në kërkim, i dyshuar si i përfshirë në ngjarjen e ndodhur në tetor 2025, në Manëz, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy shtetas.

Ky shtetas është vetëdorëzuar në DVP Durrës.

Gjithashtu, ky shtetas ka dorëzuar një send në dukje pistoletë (armë sportive me gogla), duke deklaruar se këtë e kishte me vete ditën e ngjarjes.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.