DURRËS- Banorët e një pallati 12 katësh në lagjen nr.5 Durrës protestuan përpara prokurorisë së qytetit, pasi pallati i tyre është klasifikuar si DS3 në një kohë që ata deklarojnë se godina është për t’u shembur.

Sipas tyre dëmtimet nga tërmeti janë të mëdha dhe jeta e tyre është në rrezik. Kjo është e disata protestë që këta banorë organizojnë, sepse janë kundër akt-ekspertizës dhe kërkojnë hetime lidhur me situatën e pallatit të tyre.

"Jemi banorë të pallatit numër 8, në lagjen numër 5 . Kemi ardhur se këtu po fle dosja jonë me vite. Mundojnë ta mbulojnë krimin duke marrë inxhinier fals për të bërë ekspertizën e pallatit. Kemi dalë në protestë dhe nuk ndalojmë deri sa të merret një vendim. Përfundimisht tani kemi njoftuar çdo institucion shtetëror. Ne kërkojmë prishjen e pallatit se po zë njerëzit brenda. Animi i pallatit ka qenë 54 dhe tani ka shkuar mbi 65. Pallati është 12 kate dhe nuk duhet të ishte më shumë se 7 kat. Çdo gjë e ka false. Jemi interesuar, por nuk të japin asnjë informacion", tha një banor i pallatit në Durrës.

"Ne kemi ardhur përpara prokurorisë se në kushtetutë është e drejta e informimit. Por për fat të keq këtu nuk ka informim. Apo të na japim një vendim se çfarë është bërë. Ta çojnë në SPAK. kemi bërë letra e të gjithë. Të zbardhet. Sot 15 muaj. Kemi bërë akt akuzë edhe përpara tërmetit. Duan që ta fusin ën fatkeqësi natyrore, pro pallati ka ceduar edhe përpara tërmetit", tha një tjetër banor i pallatit.

Në pallatin12 katësh janë të strehuar 48 familje. Aktualisht ato jetojnë me qira të cilën e kanë përfituar nga bonusi i vënë në dispozicion për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.