Disa muaj më parë, vetë Gjiknuri kishte njoftuar banorët e Vlorës se do të jetë zona e Novoselës ajo që po mendohet të përdoret për të ndërtuar aeroportin e parë në jug. Hapja e aeroporteve të tjera me karakter turistik, kryesisht për të siguruar rritje të numrit të turistëve që vijnë me avionë çarter, ka kohë që po lakohet, jo vetëm nga qeveria Rama. Por duke filluar nga aeroporti i Kukësit funksionimi i objekteve të tilla mbetet i bllokuar për shkak të një marrëveshjeje me koncesionarët e Rinasit, në vitin 2005, që u dha atyre të drejtat e kontrollit të gjithë fluturimeve në Republikën e Shqiprisë.
Edhe pas miratimit të marrëveshjes së re me koncesionarët e Rinasit, nuk ka ende asnjë lajm se çfarë po ndodh me aeroportin e Kukësit. Sot ky aeroport ka terminalin e pasagjerëve, kullën e drejtimit, pistën për uljet e avionëve, vendqëndrimin për 7 të tillë, sistemin e ndriçimit, vendparkimin e mjeteve dhe rrethimin me një perimetër prej 5 mijë metrash, por as ngrihet dhe as ulet avion.
Marrëveshja e rishikuar parashikon që: “Koncesioni jepet për një afat prej 22 (njëzet e dy) vitesh duke filluar nga data e fillimit (“Afati i koncesionit”). Në rast se ndonjë aeroport apo aeroporte, përveç Aeroportit të Kukësit, fillon operimin për fluturime tregtare (që për këtë qëllim do të thotë data në të cilën kryhet fluturimi i parë tregtar) në Republikën e Shqipërisë përpara datës 23 prill 2025 (“Operimi i një aeroporti të ri tregtar”), afati i koncesionit do të zgjatet si më poshtë (zgjatja e afatit të koncesionit nuk do të tejkalojë limitin maksimal prej 4.5 (katër pikë pesë) vitesh në total).”
Ndryshimet ku koncesionari duhet të përfitojë zgjatjen e ekskluzivitetit të tij në një zonë me rreze prej 100 km² do të ndodhin për një aeroport të dytë apo të tretë. Megjithatë, deri tani, ekskluziviteti i Rinasit ende nuk është thyer, ndërkohë që kjo ka ndikuar në çmime shumë më të larta se shumica e aeroporteve të tjera rajonale për udhëtarët shqiptarë. Krijimi i një shoqërie ajrore shqiptare dhe koncesionimi për një aeroport në jug të vendit janë diskutuar disa herë tashmë nga ana e kryeministrit Edi Rama me zyrtarët e Turqisë.
Rrugët
Nga ana tjetër, ministri ka deklaruar se rruga e re e Elbasanit, që është parashikuar të mbarojë përfundimisht vitin e ardhshëm, ka patur gabime të rënda në projektim dhe zbatim, kështu që procesi do të auditohet, për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me vonesën dhe shpenzimet shumë të mëdha që u bënë për të, duke e dyfishuar gati koston.
“Rruga e re Tiranë-Elbasan përfundon vitin tjetër dhe do të ketë më pak trafik për qytetarët që kanë hasur probleme, sepse do të lidhet edhe me segmentin Tiranë-Durrës. Do të hapim dhe kompletojmë projektin e ri që ka të bëjë me by-pass-in e Tepelenës, që kompleton gjithë aksin nga Levani deri në Kakavijë dhe pjesën tjetër që shkon në Sarandë. Do të nisim lotin e dytë të rrugës Korçë-Ersekë, me rrjet të ri rrugor. Edhe Rruga e Kombit, që duhet të themi se është një rrugë e papërfunduar, do të nisë të plotësohet nga Kukësi deri në Morinë, për ta bërë siç duhet të jetë. PPP-të janë me financime të qëndrueshme, me hapësira nga buxheti i shtetit, nga projekte afatgjata” – tha Gjiknuri.
Ai vijoi më tej duke garantuar se fokusi i qeverisë do të jetë te “korridori Veri-Jug, pjesë e korridorit Ionian-Adriatik, që do të na ndihmojë që Shqipëria të lidhet më mirië me vendet fqinje dhe do t’i japë frymë ekonomisë tonë detare, porteve tona. Do të vijojmë me plotësimin me të gjitha standardet të aksit Kashar-Rrogozhinë, si dhe përmirësimin e segmentit nga Plepat në Fier, që nuk përfundoi asnjëherë, pasi ka shumë mbikalime dhe rreth-rrotullime të papërfunduara" - tha ministri.
"Do të bëjmë By-pass-et shumë të rëndësishme të Fierit dhe të Vlorës, që janë kthyer në gangrenë, dhe nyje problematike gjatë verës. Ky buxhet i garanton. Ndërkohë, bashkë edhe me Fondin e Zhvillimit, kanë nisur rrugë si ajo e Lumit të Vlorës, si dhe do përfundojmë Kardhiq-Delvinë, do përfundohet me pagesat afatgjata nga buxheti i shtetit, brenda hapësirave fiskale dhe buxhetore që ne kemi. Ky buxhet do të garantojë nisjen e Rrugës së Arbrit, pasi të lidhet kontrata do të nisë puna dhe ajo do të kthehet në një nyje ndërkombëtare që do të lidhet me Maqedoninë, që do të jetë dhe nyje e rëndësishme e shkëmbimit ekonomik mes dy vendeve. Buxheti i këtij viti bën që të përfundojmë segmentet e nisura dhe të hapim të tjera që i shërbejnë Shqipërisë për t’u kthyer në një nyje rajonale të tregtisë, duke eliminuar shumë probleme që kanë hasur qytetarët" - vijoi më tej ai.
Gjiknuri shtoi se janë të paktën 42% më shumë fonde të parashikuar në raport me një vit më parë që kanë në thelb një qasje më strategjike karshi projekteve.
s.k/Shqiptarja.com

VIDEO








