Dy dekretet kundër hebraikëve
të Musolinit që nuk u zbatuan

Dy dekretet kundër hebraikëve<br />të Musolinit që nuk u zbatuan
Dy dekretet kundërhebraike, të miratuara më 14 maj 1939, janë marrë nga materialet e përmbledhura në një vëllim të nxjerrë  nga Shtëpia botuese Giuntina e Firences në Itali më 1910, të titulluar “ Hebrejtë në Shqipëri nën fashizmin, një histori për t’u rishkruar”. Titulli përsërit temën e një simpoziumi të mbajtur në janar 2010 në Bari, në të cilin morën pjesë shumë studjues të disiplinave e prejardhjeve të ndryshme. Në mos qofsha i gabuar, në të mori pjesë edhe studjuesi i njohur shqiptar i problemit, prof. Shaban Sinani.

Ndërmjet mjaft kumtesave, të mbajtura aty, është dhe ajo e prof. Michele Sarfattit, i cili, së bashku me studjuesen tjetër prof. Laura Brazzi, është edhe përgatitësi i librit. Vetë fakti i mbajtjes së një simpoziumi në Itali, për çështjen e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është mjaft interesante dhe pozitive. Tema është trajtuar mjaft në këta vite të mbas komunizmit, por për arsye miopie kulturore e vartësie të mendimit shkencor ende nga politika, akoma sot nuk kemi në nivel zyrtar një studim të thelluar e të dokumentuar të dukurisë, që shënon për Shqipërinë një nga faqet më të ndritura të historisë së saj.

Pa hyrë në imtësitë e interpretimeve të ndryshme në këta vite, vërehet se disa studjues të paanshëm, ndër të cilët mendoj se mund të hyjë edhe prof. Sinani, janë munduar t’a paraqesin, edhe me dokumenta të kohës, rolin e politikës nacionaliste shqiptare, faktori vendimtar e më i rëndësishëm shtytës i një fakti, atij të shumfishimit të numurit të hebrejvet në Shqipërinë e kohës së Luftës së Dytë botërore. Fakti që ai rol pranohet me shumë vështirësi nga politika dhe historiografia zyrtare, jo vetëm shqiptare, tregon se titulli i librit, nga është marrë materiali që po botojmë, është mjaft objektiv e domethënës.

“As qeveria e Mbretit Zog, as ato të vendosura gjatë pushtimit italian, nuk e ndaluan dhënien e nënshtetësisëshqiptare hebrejve të huaj. Në kompleks, përfundon Michele Sarfatti “me vullnetin e fashizmit italian, hebrejtë qytetarë shqiptarë në Shqipëri u goditën nga një normativë më pak e fortë e më pak e ndërlikuar se ajo e shpallur nga fashizmi vetë në Itali, kundër hebrejve qytetarë italianë. Duke punuar kështu Roma u suall ndryshe nga si veproi në krahinat ballkanike të aneksuara më 1941 (ku ajo shtriu normativën në fuqi në metropol), apo si bëri Berlini n’Austri, pastaj në Serbi dhe Sofia në Maqedoni.”

Studjuesi italian nuk shkon më tutje në interpretimin e faktit, por na e jep thjeshtë atë. Interpretimi nuk është diçka e vështirë për t’u shtjelluar, qoftë edhe me logjikën më parake. Ka qënë vullneti i drejtuesve nacionalistë shqiptarë, tek të cilët ishte e rrënjosur thellë tradita shumë shekullore shqiptare e mikpritjes dhe e besës, që ngriti një mur të pakalueshëm për mendësinë dhe legjislacionin kriminal të zhdukjes së hebrejvet në të gjithë Evropën e pushtuar nga ushtritë e Boshtit. Ata shqiptarë atdhetarë që vunë në rrezik edhe kokën e tyre për të respektuar botërisht vlerën morale të traditës së popullit të tyre, shpëtuan mijra jetë njerëzish. Emrat e tyre njihen mirë e secili prej tyre i jep dritë Shqipërisë së vogël që, në sajë të tyre, në një nga periudhat më të vështira të historisë së njerëzimit, pati guximin t’i thotë “jo” krimit nazist në truallin e saj, duke lartësuar emrin e “Vendit të shqipeve”.

Fakti që dekretet kundër hebraike u hartuan, u miratuan, por nuk u shpallën e nuk u vunë asjëherë në zbatim në “Dheun e Arbërit”, dëshmon katërcipërisht për shtatin moral t’atij brezi politikanësh shqiptarë, të cilëve Shqipëria komuniste u a ndëshkoi atdhetarizmin e tyre me dënimet me vdekje, në fakt e në mungesë, e me baltën e hedhur mbi kryet e tyre, pa kursim kohe e sasie. Shqiptarët, që shkojnë ballëhapur para botës demokratike çdo 27 janar, nuk kanë ende guximin t’a shohin të vërtetën në sy, t’a njohin e t’a valëvisin atë, kur ajo i nderon.

Për gjysëm shekulli një faqe e ndritur, siç qe shpëtimi i hebrejve, u mbajt e mbyllur në errësirën e katakombave të historiografisë. Në këtë çerek shekulli u mundua të marrë frymë me vështirësi në mjedisin hipokrit e gjysëm mashtrues të pas komunizmit. Ҫdo 27 janar ajo bën thirrje për të dalë nga nëntoka e historisë, për të parë dritën e diellit të së vërtetës, për t’u vënë në Panteonin e merituar të lavdisë shqiptare.

Janar 2017          

dosier                                  
 
Hebrenjtë në Shqipëri nën fashizmin, një histori për t’u rishkruar
Dekreti mbi hebrejtë e huaj[1]
Neve, Mëkëmbësi i Përgjithshëmi N.M. së Tij Viktor Emanueli III, me hirin e Zotit dhe vullnetin e Kombit, Mbret i Italisë dhe i Shqipërisë, Perandor i Etiopisë. Në sajë të Autoritetit që na është dhënë. Duke mbajtur parasysh vendimin e Asamblesë Kushtetuese të 12 prillit 1939 XVII, me të cilin i janë kaluar fuqi të plota Qeverisë. Mbasi dëgjoi Këshillin e Ministrave mbi propozimin e Kryetarit të Këshillit, në  ujdi me Ministrin e Brëndshëm e të Drejtësisë, duke e quajtur të nevojshme e të ngutëshme zbatimin e masave kundrejt hebrejvet banues në Shqipëri, kemi dekretuar e dekretojmë :
    
Neni 1. Nga data e botimit të këtij dekreti në Gazetën Zyrtare, i ndalohet hebrenjve të huaj të kenë një qëndrim të përhershëm në Mbretëri.

Neni 2. Quhet hebre, në bazë të këtij dekreti, edhe ai që ka lindur nga dy prindër prej rracës hebraike, ka një besim fetar të ndryshëm [pastaj e riformuluar me përcaktimin besim i ndryshëm nga ai hebraik]

Neni 3. Dhënia e nënshtetësisë shqiptare, sido e kurdo të jetë bërë, për hebrejtë e huaj, anullohet.

Neni 4. Hebrejtë e huaj që, në datën e botimit të këtij dekreti, gjënden brënda Mbretërisë, duhet të lenë territorin e saj brënda një muaji [pastaj 6 muajsh] nga data e botimit të vetë dekretit.
          
Dekreti hyn në fuqi të njëjtën ditë të botimt në Gazetën Zyrtare.
Tiranë 14 Maj 1939 XVII

dosier
 
Dekreti i përgjithshëm kundërhebraik [1] 
Skemë e dekret-ligjit mbi mbrojtjen e rracës
 
Neni 1. Martesa e qytetarit shqiptar të rracës ariane me persona që i përkasin një rrace tjetër [më pas të rracës hebreje] është e ndaluar. Nuk njihet asnjë lloj martese që nuk mban parasysh këtë ndalim.

Neni 2. Nëpunësi i gjëndjes civile, të cilit i kërkohet shpallja e martesës, është i detyruar të vërtetojë, pavarësisht nga deklaratat e palëve, rracat e tyre. Në rastin që i përket nenit të parë ai nuk vazhdon as në shpalljen, as në kremtimin e martesës. Nëpunësi i gjëndjes civile që shkel dispozitën e këtij neni ndëshkohet me një gjobë nga 100 deri në 1000 franga.

Neni 3. Për efekt të ligjit.
Është i rracës hebraike ai që ka lindur nga prindër, të dy të rracës hebraike, edhese i përket një besimi fetar të ndryshëm nga ai hebraik.
Quhet i rracës hebraike cilido që ka lindur nga prindër të përzier, njëri i rracëshebraike e tjetri me kombësi të huaj.
Quhet i rracës hebraike cilido që, edhe nëse i lindur nga prindër shqiptarë, njëriprej të cilëve i rracës hebraike, i përket besimit hebraik, ose sidoqoftë i shkruajtur në një bashkësi izraelite, apo të ketë kryer, në çfarëdo mënyre tjetër, shfaqje të hebraizmit.

Neni 4. Të gjithë ata që i përkasin rracës hebraike, simbas përcaktimeve të nenit paraardhës duhet të bëjnë kallzimin në zyrën e gjëndjes civile të komunës së banimit brënda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij dekreti. Ata që nuk plotësojnë këtë detyrim, brënda afateve të caktuara ose japin të dhëna të pasakta apo të paplota, ndëshkohen me arrestim deri në një muaj dhe me gjobë deri në 500 franga.

Neni 5. Përkatësia rracës hebraike duhet shënuar në regjistrat e gjëndjes civile dhe të popullsisë. Të gjitha dokumentat e regjistrave të mëparëshme dhe çertifikatat përkatëse, që kanë të bëjnë me pjestarë të rracës hebraike, duhet të përmendin hapur një shënim të tillë. 

I njëjti njoftim duhet të bëhet edhe në aktet e lejeve apo autorizimeve të autoriteteve publike.
Shkelësit e dispozitave të këtij neni ndëshkohen me gjobë deri në 400 franga.

Neni 6. Qytetarët shqiptarë të rracës hebraike nuk munden:
Të kryejnë shërbim ushtarak në kohë paqeje dhe as në kohë lufte.
Të ushtrojnë detyrën e kujdestarit ose të mbarështuesit të të miturve apo tëtë paaftëve jo të rracës hebraike.
Të jenë pronarë apo mbarështues me çfarëdo titulli të ndërmarrjeve që kanëInteresa në mbrojtjen kombëtare, ose të ndërmarrjeve të çfarëdo lloji që punësojnë 100 ose më shumë vetë, as të kenë drejtimin e tyre, as të kenë ofiqin e administratorit apo të kryetarit të bashkisë.
Të jenë pronarë tokash që në tërësi vlerësohen më shumë se 1000 franga  [më pas përtej 25 hektarëve].
Të jenë pronarë ndërtesash që, në tërësi, kanë një vlerë më shumë se4000 franga [më pas më shumë se ..... lokale].
Të pranohen në çfarëdo zyre apo nëpunësie të çfarëdo shkolle të ndjekura nganxënës shqiptarë të rracës ariane. [pastaj i fshirë]
Të shkruhen në shkolla të çdo lloji, publike e private, të ndjekura nga nxënësshqiptarë të rracës ariane. [pastaj i fshirë]

Neni 7. Prindit të rracës hebraike mund t’i hiqet pushteti atëror mbi bijtë që i përkasin një besimi fetar tjetër nga ai hebraik, kur të vertetohet se ai u jep atyre një edukatë që nuk përkon me parimet fetare apo qëllimet kombëtare të tyre. Kundërvajtësit gjobiten nga 200 deri në 1000 franga.

Neni 9. Nuk mund të kenë në vartësi njerëz që i përkasin rracës hebraike :
Administratat shtetërore.
Partia Fashiste shqiptare dhe organizatat që varen ose janë të kontrolluara prej saj.
Administratat e enteve vetëqeverisëse dhe në përgjithësi të Enteve dhe Instituteve të së drejtës publike, që janë nën mbikqyrjen apo mbrojtjen e Shtetit, ose të cilët Shteti i mban me ndihmesën e tij të përherëshme.
Administratat e Ndërmarrjeve të bashkëngjitura apo të varura nga Entet, për të cilët flet neni paraardhës.
Administratat e Bankave  të interesit kombëtar dhe ndërmarrjeve private tëSigurimeve.

Neni 10. Dhënia e nënshtetësisë shqiptare hebrenjve të huaj, mbas datës 31 janar 1925 [më pas 1 janar 1919] anullohet.

Neni 11. I ndalohet hebrejve të huaj të kenë banim të përhershëm në Mbretëri.

Neni 12. Hebrejtë e huaj, kundrejt të cilëve zbatohet neni 10, e të cilët kanë filluar qëndrimin në Mbretëri mbas datës 31 janar 1925 [pastaj 1 janar 1919], duhet të lenë territorin e Mbretërisë brënda gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e këtij dekreti.Ata që nuk do të plotësojnë këtë detyrim brënda afatit të sipërshënuar do të ndëshkohen me arrestim deri në tre muaj ose me gjobë deri në 1000 franga e do të përzehen simbas normave të ligjit të policisë.

Neni 13. Dispozitat e nenit paraardhës nuk zbatohen tek hebrejtë e kombësisë së huaj të cilët, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij dekreti :
Kanë mbushur moshën 65 vjeç. Janë martuar me persona të nënshtetësisë shqiptare.Me synimin e zbatimit të këtij neni, t’interesuarit duhet të paraqesin një kërkesë
të dokumentuar në Ministrinë e Brëndëshme, brënda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij dekreti.

Neni 14. Ҫështjet që lidhen me zbatimin e këtij dekreti do të zgjidhen rast për rast, nga Ministria e Brëndëshme, duke dëgjuar Ministrat e interesuar eventualisht dhe duke marrë mendimin e një Komisioni të emëruar prej tij në ujdi me Ministrin sekretar të Partisë Fashiste Shqiptare. Mbi masën nuk do të ketë asnjë lloj përgjegjësie, si nga ana administrative ashtu edhe nga ajo juridike.

Neni 15. Asgjë nuk ndryshon për sa i përket ushtrimit të lirë të kultit dhe praktikave të jashtëme, në përputhje me ligjet.

Neni 16. Me dekret Mbretëror, sipas propozimit të Kryetarit të Këshillit të Ministërve, në ujdi me Ministrin e Brëndshëm, Ministrin e Financavet dhe Ministrin Sekretar të Partisë, do të shpallen normat plotësuese për zbatimin e këtij dekreti. Ky dekret do t’i paraqitet Këshillit të Lartë korporativ Fashist, për kthimin e tij në ligj. Kryeministri propozues është i autorizuar të paraqesë projekt – ligjin, në ujdi me Ministrin e brëndshëm, Ministrin e Financavet dhe Ministrin Sekretar të Partisë fashiste Shqiptare.      
 
[1]  Bocë e dekretit mëkëmbësor, të datës 14 maj 1939, e ruajtur në A.Q:SH., 163/1939/345/1-2, të riprodhuar me treguese mes pllakave katrore dhe në korsiv, të ndryshimeve të një farë rëndësie, të pranishme në një tjetër bocë, të redaktuar në Romë e të ruajtur në ASMAE, SSAA, b 13, fashikulli Masa kundrejt hebrejve banues në Shqipëri.
[2] Bocë e dekret-ligjit, mbas 2 qershorit 1939, e ruajtur në ASMAE, SSAA, b 13, fashikulli Masa kundrejt hebrejve banues në Shqipëri , e riprodhuar këtu me tregues mes kllapave katrore dhe në korsiv, të ndryshhimeve të një farë rëndësie,
që përmban një bocë e mëvonëshme, ndoshta e datuar 30 qershor 1939, e ruajtur në të njëjtin fashikull.   

dosier

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Zelensky: Rusia mund t’i intensifikojë sulmet në Ukrainë

Zelensky: Rusia mund t’i intensifikojë sulmet në Ukrainë