I dërguari special i SHBA për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar, ka vizituar sot Tiranën ku ka takuar kreun e PD, Lulzim Basha, ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe në fund kryeministrin Edi Rama, ndërsa nuk pati në agjendë një takim të planifikuar me Presidentin Ilir Meta. Kjo vizitë e Escobar në Tiranë është një tjetër 'grusht' i madh amerikan në fytyrën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për përpjekjet e tij për të rimarrë PD-në.

I dërguari special i SHBA e ka shprehur qartë mbështetjen ndaj kryetarit demokrat Lulzim Basha. Ai tha sot për mediat se e ka ftuar Lulzim Bashën në Uashington për një vizitë zyrtare. Kjo ftesë vjen edhe pas deklaratave të ndryshme se Basha nuk e kalon dot oqeanin dhe se mund të mos e marrë vizën.

Report Tv ka mësuar se zyrtari i lartë amerikan ka paralajmëruar emra të tjerë që do të shpallen 'Non grata'. Gjatë takimit me Bashën ai ka thënë se do të ketë edhe masa të tjera shtesë ndaj personave të 'listës së zezë' të SHBA-ve, sanksione ekonomike dhe financiare, të ngjashme me ato që u shpallën dje një ditë më parë në Kosovë.

I dërguari i SHBA-së gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, zhvilloi gjithashtu takim me ministren e Jashtme Olta Xhaçka. Escobar zhvilloi takimin e fundit me kryeministrin Edi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare tha se me Escobar ka biseduar në lidhje me rolin e Shqipërisë në Rajon, dialogun e domosdoshëm Kosovë-Serbi dhe nismën ‘Ballkani i Hapur’.

Vizita e Escobar në Tiranë, vjen vetëm dy ditë para Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha, i cili është i shpallur ‘non  grata’ nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë. Vetëm dy ditë më parë, ambasada e SHBA-së, tha se vizita e tij është për të konfirmuar gjithashtu vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Duket si një mesazh i drejtëpërdrejtë ndaj Berishës nga ambasada e SHBA në këtë javë vendimtare të luftës së tij, jo vetëm kundër Lulzim Bashës, por edhe vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto ditë janë shumë të rëndësishme për Partinë Demokratike. Kujtojmë se zgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike do të bëntë forcën më të madhe opozitare në vend 'non grata' në SHBA, sipas një deklarate të ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim. 

Më 19 maj të këtij viti DASH shpalli 'non grata' Sali Berishën si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”. Pas vendimit të SHBA  Berisha ka shpërthyer me akuza kundër aleatit më të rëndësishëm të Kombit Shqiptar dhe ka hedhur në gjyq numrin 3 të administratës, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken i cili ishte ai që bëri publik vendimin e SHBA. Por beteja e Berishës tashmë nuk është vetëm kundër SHBA, por edhe kundë Lulzim Bashës i cili pranoi kërkesën e amerikanëve duke e përjashtuar liderin historik të PD nga partia, deri në zbardhjen e të vërtetës në rrugë ligjore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:21
Nga 'Ballkani i Hapur' tek dialogu Kosovë-Serbi, Rama nxjerr fotot dhe tregon çfarë diskutoi me Escobar

1639078011_2650734654476246600665347360732178360482757n.jpg

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjete sociale foto nga takimi me të dërguarin special të SHBA për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar. Kreu i qeverisë shprehet se kanë diskutuar mbi partneritetin e SHBA-së me Shqipërinë. Ndër të tjera Rama shkruan se folën për dialogun e domosdoshëm të Kosovës me Serbinë dhe Ballkanin e Hapur, nismë për të cilën tha se mbështetet edhe nga administrata Biden.

"Kënaqësi të mikprisja Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim shumë miqësor, ku folëm për partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë e SHBA, rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, dialogun e domosdoshëm mes Kosovës e Serbisë dhe Ballkanin e Hapur, si një nisëm transformuese për ardhmërinë e rajonit, të cilën administrata e Presidentit Joe Biden e mbështet fuqimisht"-shkruan Rama në rrjete sociale.

Ora 18:19
Ambasada Amerikane bën rezymenë e takimeve të Gabriel Escobar në Tiranë, tregon detaje nga takimet me Ramën dhe Bashën

Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, ka përfunduar vizitën e tij në Shqipëri. Në një postim në mediat sociale, Ambasada e SHBA në Tiranë ka dhënë detajet për bisedat që Escobar ka zhvilluar mes Bashën, Xhaçkën dhe Ramën.

"Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar vizitoi më 9 dhjetor Shqipërinë, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë. Gjatë takimeve të tij, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar falënderoi Shqipërinë për partneritetin e saj të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe rikonfirmoi mbështetjen e fortë të SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ai vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Escobar mirëpriti forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes si aleatë të NATO-s dhe krijimin e më shumë mundësive për tregti dhe investime. Escobar mirëpriti gjithashtu punën e përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë për integrimin rajonal dhe global – veçanërisht kur të dyja vendet do të shërbejmë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në 2022", shkruhet në njoftim. 

 

Ora 18:03
Escobar mbërrin në kryeministri, 1 orë takim me Ramën

1639048812_ESCOBAR1.jpeg

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar, ka mbërritur në kryeministri ku është takuar me kreun e qeverisë Edi Rama. Takimi ka zgjatur prej gati 1 orësh.

Ora 15:56
Kush do ta ketë radhën?! Escobar ka paralajmëruar sanksione për personat ‘non grata’: Do të ketë edhe të tjerë

1639050920_escobar2.jpg

Zyrtari i lartë amerikan, i dërguar special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka paralajmëruar emra të tjerë që do të shpallen 'Non grata'.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se gjatë takimit me Bashën ai ka thënë se do të ketë edhe masa të tjera shtesë ndaj personave të 'listës së zezë' të SHBA-ve, sanksione ekonomike dhe financiare, të ngjashme me ato që u shpallën dje një ditë më parë në Kosovë.

Ora 15:45
Ministrja e Jashtme takon të dërguarin e SHBA-së Gabriel Escobar: Shqipëria e përkushtuar për stabilitetin dhe integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar ka vijuar takimet e tij të parashikuara në axhendë me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.

"Takim i shkëlqyer me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar. Mirënjohje për mbështetjen e SHBA për Shqipërinë dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria është e përkushtuar për stabilitetin dhe integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor dhe mirëpret bashkëpunimin me miqtë dhe partnerët e SHBA-së për agjendën e rajonit", shkruan Xhaçka. 

Ora 13:06
A solli Escobar prova kundër Berishës? Basha: Do t’i dëgjoni nga vetë ai qëndrimet e DASH! Po planifikoj vizitën për në Uashington

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka pranuar ftesën e Gabriel Escobar për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Uashnington. Pas takimit me të dërguarin e SHBA për Ballkanin, Basha konfirmoi se po planifikon vizitën.

Ai shtoi po ashtu se me Escobar bisedimet u përqendruan te lufta kundër korrupsionit, duke theksuar se PD mbetet e vendosur të vijojë betejën në këtë drejtim. Sipas Bashës, korrupsioni është kyçi për zgjidhjen e problemeve që ka sot Shqipëria.

"Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpres sot përfaqësuesin e lartë të SHBA. Lufta kundër korrupsionit është përcaktuar si interes kombëtar i SHBA është dhe më shumë interes kombëtar i Shqipërisë, ajo për të cilën PD ka luftuar dhe është përpjekur më shumë se çdo gjë tjetër këto 8 vite. Te ligji për SPAK dhe BKH, iniciativa për vetingun e politikanëve, dëshmojnë se PD ka qenë dhe mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit që është kyçi për zgjidhjen e problemeve që ka Shqipëria sot. Betejat e PD kanë qenë këto dhe është kënaqësi e jashtëzakonshme të shohim një rikthim në SHBA në Ballkan dhe Shqipëri të një beteje që e kemi luftuar prej vitesh. Diskutuam për të gjitha çështjet e aktualitetit në vend edhe në Rajon. Bëra të qartë qëndrimin e PD për pacenueshmërinë integritetit territorial të Kosovës. Në këtë qëndrim që paraqita kam marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të Escobar, Diskutuam edhe për ecjen përpara të drejtësisë, ku kyç është dënimi i politikanëve të korruptuar. Ftesën për në Uashington e mirëpres dhe padiskutim po planifikoj një vizitë për në Uashington ", tha Basha.

I pyetur nëse me Escobar u bisedua edhe për shpalljen 'non grata' të Berishës dhe nëse ishin paraqitur prova, Basha tha se sanksionet për personat e shpallur 'non grata' ishin pjesë e diskutimeve, por shtoi se detaje do të jepen nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit.

"Çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve 'non grata' ishin pjesë e diskutimeve ndërsa për vendimet e Departamentit të Shtetit do të dëgjoni nga vet Escobar", u shpreh Basha.

Ora 12:57
'Grushti' i madh amerikan në fytyrën e Berishës, Escobar në Tiranë: Ftojmë Bashën për vizitë në Uashington

 

SHBA fton Lulzim Bashën në Uashington, teksa Berishën e ka shpallur 'non grata'. Lajmin e i derguarai special i SHBA-ve në Ballkan, Gabrial Escobar. 

"Jam shumë i kënaqur që jam në Tiranë. Isha i lumtur që takova opozita, dhe ata shprehën angazhimin e tyre ndaj NATO-s dhe integrimit europian, dhe luftën kundër korrupsion.

Përfshirë edhe përpjekjet tona në luftën kundër korrupsionit, përfshi edhe sanksionet. Kjo do të kërkojë edhe një përkushtim të plotë nga institucionet shqiptare. Mezi pres që ta vazhdoj bashkëpunimin me lidershipin e PD dhe ftoj Bashën që sa më shpejt të vijë në Uashington", tha Escobar.