Tensionet në PD sa vijnë edhe shtohen, teksa po afron edhe 11 dhjetori, dita kur Sali Berisha ka deklaruar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD. Ndërkohë bëhet me dije se vetëm 2 ditë para kësaj dite, më 9 dhjetor do të vijë në Tiranë i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ky i fundit vjen në Tiranë në ditën ndërkombëtare antikorrupsin, ndërsa nuk bëhen ende me dije të tjera detaje për vizitën.

Ndërkohë sipas "Reuters" Departamenti i Thesarit i SHBA do të vendosë një sërë sanksionesh javë e ardhshme për të shënuar Samitin e SHBA për Demokraci.

Do të synohen personat e përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, korrupsion dhe që minojnë demokracinë, akuza këto dy të fundit mbi bazën e të cilave u shpall 'non grata' edhe Berisha. Nuk jepen ende detaje për personat që do të përballen me sanksione.

SHBA ka shfaqur hapur distancimin nga Berisha, teksa vetë ambasadorja e Yuri Kim ka deklaruar se nëse Berisha merr drejtimin e PD, nuk do të bashkëpunojnë më me këtë forcë politike.