Dy fëmijët me HIV/AIDS, hetim
për rrugën e transmetimit

Dy fëmijët me HIV/AIDS, hetim <br />për rrugën e transmetimit
TIRANE - Një hetim epidemiologjik do të zbardhë të vërtetën e infektimit të 2 fëmijëve të cilët raportohet të jenë mbartës të HIV/AIDS (Human Immunodeficiency Virus), edhe pse prindërit e tyre nuk janë të infektuar me këtë virusin.

Epidemiologia në programin HIV/AIDS në Institutin e Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, gjatë një bisede në studion e lajmeve në televizionin A1Report deklaroi se rasti i fëmijëve është në proces verifikimi, por nuk është arritur ende se cila ka qenë rruga e transmetimit të virusit.

“Janë në proces hetimi epidemiologjik për të gjetur mënyrën si janë infektuar. Tek fëmijët nuk është vërtetuar transfuzioni i gjakut apo shkëmbimi i ageve dhe shiringave të infektuara me HIV. Jemi në proces e sipër, kemi investiguar, por nuk kemi arritur në konkluzion si është rruga e transmetimit të virusit në këtë fëmijë. Mund të hedhim shumë hipoteza por duhen vërtetuar”, -tha epidemiologia Dervishi.

Dy fëmijët me HIV/AIDS janë rastet më të fundit që janë raportuar këtë vit, ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë janë 28 fëmijë të infektuar me SIDA, nga të cilët 20 e kanë marrë infeksionin nëpërmjet transmetimit nga nëna tek fëmija.

Dervishi përjashtoi mundësinë e marrjes së infeksionit nga një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa bëri apel që të bëhen analizat për virusin HIV/AID, sidomos tek gratë shtatzëna. “Nuk është vërtetuar që infeksioni të jetë marrë nga një ndërhyrje kirurgjikale. Ne jemi në proces hetimi epidemiologjik për të gjetur rrugën e transmetimit, nuk duhet të nxitohemi”, - u shpreh epidemiologia.

REAGIME/ PIPERO: SPITALET JANE TE SIGURTA, ROSHI: RASTET PO HETOHEN
Infektimi i dy fëmijëve 3 dhe 8 vjeç me virusin HIV ka sjellë reagimin publik të Ministrisë së Shëndetësisë. Drejtori i Politikave Shëndetësore në këtë institucion, Pëllumb Pipero deklaroi se këto raste nuk janë të reja dhe asnjëri prej fëmijëve nuk ka marrë gjak gjatë ndërhyrjeve në spital, në pediatri dhe në spitalin ushtarak.

“Ju siguroj se të gjitha procedurat kirurgjikale në spitalet tona janë të sigurta dhe mundësia për të marrë HIV-in përmes tyre ju siguroj që realisht tek ne është zero”, - tha Pipero.

Gjithsesi, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Enver Roshi konfirmon se rastet në fjalë janë në procedurën e hetimit epidemiologjik ndërsa ministri Tavo ka urdhëruar të dalin përgjegjësitë nëse i përkasin sistemit shëndetësor.

“Rastet janë nën hetim, kemi mbledh kartelat, është mbledh grupi i ekspertëve, po shkojmë drejt zgjidhjes së problemit se ku mund të jetë marrë infeksioni”, -u shpreh Enver Roshi.

Një ditë më parë, mjekët epidemiolog bënë publik rastin e dy fëmijëve gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

(Gre.M/sg/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga