FIER - Raundi i 24-t në Kategorinë e Parë të futbollit solli një sherr masiv mes futbollistëve të Apolonisë dhe Pogradecit në stadiumin "Loni Papuçiu" të Fierit.

Miqtë nga Pogradeci ia dolën të shënonin golin e dytë dhe të fitores në minutën e 89-të me Freeman Pius, teksa kaq ka mjaftuar që futbollistët e Apolonisë të nervozoheshin.

Ersildjo Asllanaj vetëm disa çaste më vonë bëri një ndërhyrje antisportive në fushë, me futbollistët që u përfshinë në një sherr masiv i cili zgjati për disa minuta. Asllanaj u ndëshkua me karton të kuq, teksa më herët edhe Klejdi Hoxhaj i fierakëve kishte lënë fushën pas dy kartonave të verdhë.

Tri pikët shkuan për Pogradecin që mban vendin e tretë në renditje, ndërsa Apolonia me 24 pikë ndodhet në zonën play-out, gjë që shpjegon edhe nervozizmin e tyre në fushë, diçka që do hetohet nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së.