Dy letrat e para të Dom
Nikoll Gazullit për Joklin

Dy letrat e para të Dom<br />Nikoll Gazullit për Joklin
Një javë më parë, ne i rezervuam hapësirën kryesore të suplementit tonë zbulimit të një dosje arkivore të veçantë në Vjenë prej z.Pjetër Logoreci, ku ruheshin 7 letra të Dom Nikoll Gazullit drejtuar albanologut Norbert Jokl, mbi nje bashkëpunim mes të dyve për mbledhjen e një varg fjalësh të rralla të shqipes. 

Për kureshtjen e publikut duke nisur nga ky numër ne do ti sjellim të plota 7 letrat e Gazullit për Joklin dhe disa prej fjalëve të mbledhura prej tij. Sot botojmë letrën e parë dhe të dytë të Gazullit dhe fjalët e mbledhura prej tij që nisin me shkronjën A.

Zotnij Profesor, Letrën t’Uej e mora me kohë, d.m.th. me 28-XI-; por mue letra më gjet të smuetë, prandej nuk muejta me u përgjegjë perpara. Asht vështirë me i mbëledhë mbë nji letër sendet qi kishe me dashtë me Ju shkrue e me Ju pëvetë.

Gëzohem qi po e njofim njeni tjetrin; por Ju e dini mirë se un me atë artikull mbi veprë të Buzukut s qita gja në dritë pse libri ishte kenë fotografue, jo ma njoftë prej Kard. Ehrle, tash qeshi edhé vetë sa mirë u rrejt A. V.

Prendushi e ma botoj atë shkrim të vogelth. Zotnij Profesor, Ju keni arësye per fjalen: meteh: me e nxjerrë prej meteho; po Ju diftoj, se un nuk e kam ndie këtu ndë Riollë ketë fjalë veç ndë ketë trajtë: metefe; prandej s jam i sigurtë se gjindet nji fjalë: meteh, osé metef; qe arësyeja: me 12, dhetuer 1928, kur ishe Famullitar ndë Jueshè afër Shkodret, mue mu dogj qela me gjith ç pata kështu u shkrij edhé mundi i sa vjetëvet; pse pata mbëledhë fjalë e edhé shum gojdhanë permbi fise shqiptare të verit.

Nji ftillk: tehi: ich schneide: kam pëvetë por nuk mund e kam gjetë deri mbë sod; me gjith këta, në mos u gjetët mundet qi ka kenë, sikursé e mendoni për bukurij Z. e Juej; janë plot fjalë qi na kanë hupë qe per shembull: asht nji lagje afer Kryeziut ndë Merditë qi i thonë: Përrez: banorët më diftojshinë se aj emen difton: Mëriz. Prap ndë Merditë asht nji e thanëme: hiqja bricën asajë punë: qi don me thanë mos me ja mbajtë ma uzdajen ndoj sendit; mirë po fjala :bricë: ç don me thanë? tuj pëvetë marr vesht se, motit, fjala :bricë: don me thanë si ajo germanishte :Flinte; gurshkrepës, gurgac, gurzjarm; nji dishmij se shum fjalë shqipe kanë hupë, do të tjera janë ruajtë ndë do të shprehuna e lypet imtij me ju kujtue.

Z. Profesor, mue per vedi më mungon gatimi per këto studime, prandej merr nieri mbë thue pa të vështirë nder gjykime; prandej u jet shokëvet të Z. së Juej gjygji i mbramë mbi këto punë.
Mbassi m’u dogjenë shkrimet prap jam vue me mbëledhë fjalë të rralla qi më duket se nuk janë të shkrueme ndokund; fjalori i Tasit asht shum i mirë, porsë don perdorue cum grano salis, psé, po xamë ndë fq. 85 fjalën :edafos: ndë vend se me e perkëthye me fjalën :tu truell: gabimisht qet fjalen: shuall; ndë fq. 155, ven si fjalë shqipe: shor; qi dihet se s asht tjeter veç :signor, e, scior, i venedikasëvet. I mungon infiniti i ftillqevet qi asht me randësij, psé p.x.fq, 204, ftillku; ndrys: s dihet a asht: me ndrysë, me ndrytë?

Zotnij, me ndimë të Zotit kam me Jau dergue fjalët qi kam mbëledhë e qi janë të rralla, vetun kësi shtegut s po mundem me Ju rreshtue gja mbassi po jam i pamuejshëm; vetuem U lutem edhé Jue me ma ba ndoj ndimë, sidomos me ndoj të Përkohëshme qi merret me këso sendesh e, me ndoj liber os’e fjaluer me illustracjone psé ka me më vyejtë per me gjetë domethanien e fjalësë ndë nji gjuhë tjetër; sidomos nd’emna barnesh osé barishtash.

Fjalët qi kam nuk janë fort shum, por me gjith këta s’dij a kanë me Ju vyejtë gja; me gjith këta sa ma parë të mundem kam me i rreshtue, si të mundem, e me Jau dergue, tuj diftue vendin se ku i kam gjetë, psé me folë të drejten un tjeter dishmij ma të fortë s mundem me qitë; në kjoftë se un e kam marrë vesht keq domethanien e njaj fjalës, njaj qi don mund ta gjejnë prap nd’atë vend ku e gjeta vetë, per me më qortue mue.

Tuj Ju urue me gjith zemer Kërshndellat e bardha e nji motmot të rij me jetë e me shëndet, jes:
Me nderime të veçanta i Z. së Juej
N. Gazulli. M.
Fam.
Riollë, me 14-XII-30

 
Letra e dytë

Nikoll Gazulli, meshtar.
Famullitar i Riollit
Te Nush Çoba – Serreq.
Shkoder.

Z. Profesor,
Si mbas fjalës së dhanëme po nisi me Ju dergue fjalët e rralla qi keni dishërue.

Kësi shtegut po Ju dergoj germat A-B; ma von kam me Ju nisë edhé të tjerat; s mundem me Jau nisë të gjitha për nji herë psé i kam të shkaperderdhuna ndër letra; mandej Z. e Juej të keni mirësin me më diftue a jeni të kënaqun qi të Jau nisi kështu a por lypëni ndryshej me Jau çue; ka nji herë janë fjalë qi asht vështirë me ndeshë të dyten herë mbë to; tuj kenë giuha nen sundim të popullit e jo ndë dorë të dijshmevet merret me mend qi populli e ndryshon jo vetem prej katundit në katund por edhé prej nji nierit në nji tjeter.
Jes me shum nderime i Z.së Juej

N. Gazulli
Riollë me 30-XII-30.
 
 
Pjesë nga fjalori, Fjalët që nisin me germën A
 
Ábe-ja; Kryezij-Merditë
jé bâ si ábe-jé bâ si hije
me e marrë njigjâsend me abe e me skofij-etwas nehmen mit Grazie und Zartgefühl. (= perkëthimi mâ i giasëshm!)
 
Árkësh-i-çerréti i Poshter (Puka) – sustë osé pendë per kurthë etr.
 
Avër-a; aver akulli-copa akullit qi notojnë nd’ujt;
avër pelhure-nji copë pelhurë
 
Aejë, me m’u (Malësija e Madhe) sh.me m’u ajë
 
Agullúe, me m’u; p.x.më janë agullue syt-më janë terratisë syt.
 
Arg-t; (Kryeziu); sh.smojë-a-undyra qi lëshon leshi i delmes
 
Aejkë-a; Mals.M-sh.arg-t.
 
Azhgàt-i; Dajçi (Zadrima) v.zhgat.
 
Atíll (i,e,t;); M.M.; p.x.tra i atill-tra i fortë.
 
(sh.Konçili i Arbënit-1704? Fq. ? – i paatie; prap sh.poshtë: i pa-atillë, m’u pa-atillë)
 
Ázull-i; Nenshati (Zadrima) me mihë per azull: me mihë ndë mbrame me hije (Muzg-u, mug-u ? ndë: jezulli ?)
 
Arrishtë-a (Bashkimi-arishte, ja-sorta di erba/ M.M.-sh.shurrëpelë (Merdita e Puka) nji farë mënjollet (Bäumchen)
 
Arrç-i; sh. arrishtë.
 
Aktùnd-i; fj.ndîe nji herë ndë Dajç (Zadrimë); kuer i erdh aktundi me shkue ushtár – kurája, kuráza, kóri; Selca thonë edhé: Rruna.
faksimile


































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia