Përplasjet mes banorëve të Rrjollit dhe Policisë sa vijnë dhe bëhen më të ashpra dhe shkak për këtë prej gati 1 muaj është bërë resorti që ndërtuesi dhe botuesi Bashkim Ulaj po ndërton në zonë.
Banorja e Rrjollit, Luçjana Kokaj, ka zbuluar të tjera detaje rreth incidentit të ndodhur ditën e sotme, ku një punonjës i kompanisë private të sigurisë ‘Breçani Security’ ka goditur me grushta një të ri.
Në një intervistë për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, Kokaj ka thënë se punonjësi i sigurisë thuajse çdo ditë provokon dhe fyen banorët e Rrjollit.
Ajo tha se edhe pas incidentit të sotëm, ai nuk u shoqërua në Polici. Edhe në momentin që ky punonjës ishte paraqitur në Komisariat për të dhënë një deklaratë, sipas Kokajt, kishte shkuar atje me Audi Q8 duke iu bërë karshillëk banorëve dhe kishte qëndruar vetëm 5 minuta.
“Ne shoqërohemi çdo ditë nga 15-20 vetë. Sot ka qenë një gjë e paprecedentë, ku një nga punonjësit e Breçani Security ka gjuajtur me grusht një prej çunave tanë dhe ai nuk është shoqëruar nga Policia. Ai nuk shoqërohet dhe në momentin që vjen për të dhënë një deklarim në Polici, vjen me Q8, bën edhe karshillëk aty, rri 5 minuta dhe ikën. Ky person provokon dhe bën presion çdo ditë aty. Bën një kërshillëk të çuditshëm. Bën karshillëk aty, ndoshta është ndonjë aksioner, sepse nëse do të ishte një punonjës i thjeshtë, nuk do të bënte këto veprime.
Nuk e di pse përplaset ai zotëria me ne, kur thotë se ‘ne kemi për detyrë vetëm të ruajmë makineritë’. Ata të Breçani Security duhet të përgjigjen urgjentisht për atë që ka ndodhur sot. Policia duhet ta shoqërojë këtë zotërinë që ka gjuajtur me grushta e shqelma qytetarët. Është interesant pretendimi që ka bërë Gener 2 sot, sepse pretendon se prona që është fituar në Apel, pretendon se është jashtë projektit. Por prona që është fituar në Apel, është brenda 1500 dynymshit, me të cilin ata kanë marrë lejen e ndërtimit. Kështu që justifikimi që nuk e prek projekti këtë pronën që ka fituar gjyqin, nuk qëndron”, tha mes të tjerash Kuka.
Komente










