Ndoqa nëpërmjet internetit, jolive, muzikën funebre që po luhej në sallën Black Box të Akademisë së Arteve. Përkujtohej 1 vjetori i vdekjes së katër protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e kombit”. Mandej iu ktheva fjalimit të kryeministrit, si një historian. Foli në teatrin “Vaçe Zela” për meritat e kongresit të Lushnjes dhe qeverinë e Sulejman Delvinës. Foli për kontributin e çdo patrioti delegat në atë kongres; ngriti në pah vlerat e asaj mbledhjeje të lavdishme, që sipas tij, bashkë me Lidhjen e Prizrenit dhe shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, në këndvështrimin e kryeministrit, ishin tre ngjarjet e mëdha historike që hodhën bazat e shtetit demokratik shqiptar.
Zbrita sërish me filmimet në Tiranë: ndoqa dhimbshëm fjalimin e Edi Ramës, drithërues deri në palcë, me një stil migjenian duke përcjellë vuajtjen e katër familjeve që kishin humbur njerëzit e tyre të dashur; një fjalim dërrmues deri në dhimbje për të të kujtuar vargun që s’vdes kurrë “ah si nuk kam një grusht t’fuqishëm”; realist në çdo gërmë për të na thënë realitetin e jetës së fëmijëve që luajnë me gurë e shkopa në vend të lodrave, dhe dramacitetin e varfërinë e dhjetëra, apo qindra shtëpive që kishte udhëtuar përgjatë gjithë vitit.
U ktheva sërish në Lushnje. Në shtëpinë muze të qytetit, falë punës së Bashkisë, ishin bërë disa rregullime të rëndësishme në rikonstruksionin e godinës, por ende nuk është kthyer në shtëpi muze. Në sallonin e Teatrit “Vaçe Zela”, muzeu historik i Tiranës ishte kujdesur të sillte disa objekte dhe sende me vlerë të veçantë të këtij kongresi për t’u parë nga vizitorët, flamuj, portrete patriotësh, dokumente firmëtarësh, e gjithçka ka mbetur në arkivë. Prapë në Tiranë. Qytetarë me nga një lule në dorë, në homazh përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit. Por nuk kishte objekte. Ishin portretet e katër qytetarëve me shirit të zi në qoshe, vrarë në demonstratën e vitit të kaluar. Njerëzit i preknin, kalonin, hidhnin lule.
Kryeministri u tha lushnjarëve se me vete kishte pasardhësen e Ndoc Çobës, ministër drejtësie i qeverisë së Kongresit të Lushjes; Edi Rama u tha qytetarëve se aty në sallë ishin dy vajzat e Ziver Veizit që kanë mbetur pa baba; kryeministri u tha lushnjarëve se kishte marrë me vete mbesën e Hoxhë Kadri Prishtinës; Edi Rama u tha qytetarëve se aty në atë sallë ishin me të dhe vajzat e mbetura pa baba të Aleks Nikës; kryeministri tha se me vete kishte marrë edhe ministrin e kulturës, pasardhës të Imzot Bumçit që u zgjodh në konferencën e paqes; ndërsa Edi Rama u tha të vetëve se pas tij ishin nëna, babai dhe vëllezërit e Hekuran Dedës; kryeministri na tregoi se pas po e ndiqte edhe nipi i pretedentit për fron, ish- ministrit të brendshëm të qeverisë së Lushnjes, Ahmet Zogut; Ndërsa Edi Rama u tregoi se pas vetes kishte familjarët dhe bashkëshorten e mbetur pa burrë e pa djalë të Faik Murtajt... Pa fjalë. E përbashkëta e dy Shqipërive që pashë dje: ftohtësia. Shumë ftohtë në sallën e teatrit Vaçe Zela; më shumë ftohtë në sallën Black Box të Akademisë së Arteve. Një 92 vjetor pa muzikë në Lushnje; por shumë, shumë lot, në Tiranë. ah/Shqiptarja.com/