Protestat kundër shqiptarëve në Maqedoni, fryma armiqësore e presidentit Ivanov dhe ky 3 mars i Traktatit të Shën Stefanit, më nxitën për të nxjerë nga qetësia e kohrave të shkuara histori të cilat kurrë nuk duhet t’i harrojmë.

U përkasin kohërave të ndryshme, por me pak ndryshime e nuanca, ngjashmëria në qëndrimet politike e synimet ndaj Ballkanit, pothuajse janë të njëjta. Rusia mbetet po ajo, edhe pas afërsisht një shekulli e gjysëm. E para i përket asaj cariste, kohës kur në muajin janar të vitit 1878 trupat ruse, pasi kishin shpartalluar ushtrinë e Perandorisë Turke të sulltanit Abdylhamit II, mbërritën në fshatin Shën Stefan në rrethinat e Stambollit.

Ashtu sikurse në qershorin e vitit 1839, kohë kur Stambolli mund të binte në duart e Mehmet Aliut dhe fuqitë e mëdha Europiane nuk e lejuan, edhe në rastin rus perandoritë Gjermane dhe Austro-Hungareze e penguan Rusinë të hynte në kryeqytet. Në rastin e Mehmet Aliut zgjidhja ishte njohja e sundimit të tij mbi Egjyptin, ndërsa në rastin rus kriza u zgjidh përmes pranimit të vendosjes së influencës ruse në Ballkan. Kjo ngjau të nënshkruhej mes palëve në 3 mars 1878 në Shën Stefan, prej nga mori dhe emrin.
 
Rusia e Parë
Traktati është pjesë e historisë së gjashtë shteteve ballkanike. Për sllavo-ortodoksët malazezë e serbë dhe për rumunët është një datë e shënuar se u shndërruan nga provinca autonome në shtete të dy e tre fishuara; për bullgarët është fillimi i autonomisë së një Bullgarie të madhe dhe për shqiptarët është e do mbetet dita më e zezë e saj. Ata u coptuan kafshërisht.

Në traktat Rusia nuk lakmoi copa toke nga Ballkani. Të tilla ajo kish vendosur t’ia merrte Turqisë në Kaukaz si dhe Besarabinë. Me më shumë se ¾ e territoreve ballkanike nën sundimin otoman që i mori përmes traktatit Turqisë, vendoste përfundimisht hegjemoninë  ruse në Ballkan. Duke krijuar një Bullgari të madhe, që Rusia atëbotë e shihte si instumentin politik që do përfaqësonte interesat e saj në Gadishullin Ballkanik, që do të mbetej nën sovranitetin e sulltanit turk, me daljet në Detin Egje e Detin e Zi, Rusia do mbante nën kontroll gjithë rajonin.

Kongresi i Berlinit u nënshtrua nga kërkesat ruse, atë kohë me  statusin “Xhandar”. Një Gjermani në lidhje të hershme gjaku me Rusinë e me carin Aleksandër II, bashkëshorte e të cilit ishte Dukesha e Madhe, Marie e Hesse dhe Rhine, gjermane, siç kishin qenë e do ishin edhe më pas perandoreshat ruse, i pranoi marrëveshjet e traktatit, me pak ndryshime që lidheshin kryesisht me shtrirjen e Bullgarisë në jug dhe perëndim të saj. Kongresi i pranoi kërkesat për marrjen e tokave të shqiptarve dhe dhënjen e tyre  Serbisë e Malit të Zi. Banorët shqiptarë të Kurshumlijes, Novi Pazarit e të tjera, u përzunë dhunshëm përmes masakrash të tmerrshme serbe. Ndërsa rumunët e bullgarët përfaqësonin popuj e territore që duhej të merreshin në konsideratë, Mali i Zi, që traktati i Shën Stefanit e trefishonte, s’ishte përpos se një gropë-luginë mes malesh. Se çfarë i ka bërë Rusia trojeve të banuara nga shqiptarët, lexoni sa më poshtë:
 
E vërteta e këtyre trojeve shpjeguar nga historianët

Në Sen Srefanit e trefishonte si territor, s’ishte përpos se një Në fillim të shek. XIX, Mali i Zi numëronte 100 mijë banorë, ndarë në 36 fise malsorësh, të vendosur në 24 fshatra. Kjo krahinë e popullatë e vogël, që mbahej ngrohtë e mbrohej nën sqetullat e Rusisë, nuk kish as dalje e as vëndbanim në bregdet e breg liqeni. Rusia i siguroi breg në liqenin e Shkodrës në vitin 1832, kur pushtuan Zhabjakun dhe pas 80 vjetësh u ndodh në zotërim të 2/3 të bregut të këtij liqeni. Traktati i Shën Stefanit i krijoi premisat për daljen në det në vitin 1885.

Historiani Zhan Klod Faverial, që ka studiuar provincën nga koha e Dukatit të Zetës, pasi thekson shtrirjen deri matanë Kotorrit në perëndim dhe tej Prizrenit në lindje, na thotë se “...është e tepërt të shtojmë se popullsia e saj ishte parake iliro-shqiptare...ajo dallohej jo pak nga tjetra (sllavët) deri në masakrën e vitit 1702”. Tërë historianët europianë me autoritet e dinë çfarë ka ndodhur. “Ka të ngjarë-thotë historiani Paolo Petta në veprën, “Despotë të Epirit e princër të Maqedonisë”, që malazezët të shqetësohen, për ndonjë pretendim shqiptar për brezin bregdetar (nga Tivari e poshtë) që dikur quhej “Albania veneta”.  Ky historian, me vepra të vyera për kombin tonë, paska patur të drejtë. Intuita e tij brilante e shtynte të passhihte qendrimin malazez. Termi Albania veneta do ishte për ata gërryes dhe kurdoherë që do shfaqej, qoftë dhe në një fjalor, do i shqetësonte dhe bezdiste, se tregonte çfarë kishin grabitur në të shkuarën e tyre të afërt.

 Dukla, Dioklea, Zeta, s’janë gjë tjetër përpos se emrat që ka mbajtur kohë pas kohe krahina që sot është shteti i Malit të Zi. Kronikat e vjetra serbe që përshkruajnë ekspansionin në Diokle e Raguzë, thonë se gjetën atje Arbanasi, Arbanenses. Nga kjo kohë, shekulli i XIII, njihen popullatat dhe fetë e ndryshme që mbanin romanët, sllavët dhe arbanasit. Kronikat na sjellin emrat e krahinës me përbërjen e bashkësive të qendrueshme arbanase të Dioklesë, Zetës, si fiset e Gjurashëve, Kuçit, Piprët, Markajt, Pastrovët, të gjithë këta sot malazezë me gjuhë, kulturë e fe, por me gjak arbanas. Gjermania, Katerina II, i kish propozuar perandorit gjerman, Jozefit të II, një plan që Dalmacia t’i merrej Venedikut dhe t’i jepej Austrisë, gjë që s’u bë sepse Rusia, tashmë xhandar dhe imperialiste, filloi luftën me Suedinë.

 Autori i “Historia botërore dhe qytetërimi”, historiani Karl Grimberg, në përfundim të përshkrimit të luftës Ruso-Turke, shkruan se “... më 3 mars 1878 ata diktuan paqen e Shën Stefanit...Serbia dhe Mali i Zi u zmadhuan me sipërfaqe të konsiderueshme shqiptare dhe u çliruan tërësisht nga tutela turke...Ishte një triumf për pansllavizmin. Rusët siguruan hegjemoninë e tyre në këtë pjesë të Europës...Vendimet e Berlinit përmbanin klauzola fatale për paqen e ardhshme të Europës. U përgatit 1914-ta”.  Mali i Zi u zgjerua në periudhën 1878-1885, me Tivarin, Ulqinin, Shpuzën, Podgoricën, të gjitha këto, treva të banuara nga shqipfolës. Të tjera toka shqiptare, Tuzi, Gucia e Plava, u përfituan nga Konferenca e Ambasadorve në Londër.

 “Çështja e lëvizjes së racave-shkruan Mit’hat Frashëri tek “Shqiptarë dhe Sllavë”-në bregun lindor të Adriatikut, ka qenë gjithmonë larg studimeve të paanshme”. Në mesjetë nuk kanë ekzistuar vija të qarta ndarëse gjeografike dhe shoqërore. Nga kronikat e mbërritura vrehet përzjerja e grupeve dhe popullatave me gjuhë të ndryshme. Mes tyre, latinët dhe grekët kishin përparësinë e gjuhës së shkruar, e cila shqiptarve u mungoi deri vonë.

 Udhëtari Ami Boue, shkruan se “...shqiptarët shtrihen pothuajse të vetëm në vëndet e burimeve të Lepenacit, rrethinat e Cernoleva-Riekës...Nga ana tjetër ata përzihen me boshnjakët në malet mes Shqipërisë dhe Bosnjës...Ata (shqiptarët) shtrihen deri në pllajat në perëndim dhe në jugperëndim të Novi-Pazarit, në distriktin e Zetës, gjatë Moraçës, ku takohen me malazezët”;

George Von Hahn, te vepra “Nga Beogradi në Selanik” shkruan se “Shqiptarët shtrihen në të gjithë krahinën që përfshihet në mes të lumit Moravë, lumë i Malit të Zi që rrjedh në liqenin e Shkodrës, që do të thotë, që nga skaji lindor i liqenit të Shkodrës deri në Nish”. Më tej, Hahn pohon se, “Është rrjedha e Moravës ajo që ndan krahinën shqiptare nga ajo e sllavëve”;  Mariano Bolizza: Në fakt, kufijtë etnografikë të shqiptarve duhet të përfshijnë gjithë krahinën e njohur me emrin Zeta;

Dijetari Franz Miklosich: Fjala Zeta ka shumë mundësi të jetë me origjinë shqiptare, nga që shqiptarët fillimisht kanë qenë shumë më tepër të shtrirë në veri sesa sot; Xhuzepe Gelshiç, në veprën “La Zedda e la dinastia Balsidi, Split 1889”: Është më afër të vërtetës emri Zeta, me të cilin sipas profesor Hopf-it, që pëlqen ta emërtojë këtë vend me origjinë shqiptare dhe që e pranuan të gjithë ata që me Hahn-in panë te shqiptarët pasardhësit e vërtetë të ilirve të vjetër, të cilët ndodheshin më në veri të vendeve ku janë pasardhësit e tyre të sotëm”.
 
Rusia e Dytë si dhe e para në krizat e vjetra e të reja gjeopolitike
 Eshtë kjo e sotmja, shteti mbi forcën dhe potencialin ushtarak të së cilës mbështetet agresiviteti serb mbi shqiptarët, por dhe fryma armiqësore që përshkon sllavët e tjerë në Ballkan, madje dhe ortodoksinë greke. Duke ndjekur protestat e sllavëve maqedonas, përkrahës të Gruevskit dhe deklaratën e Presidentit Ivanov me argumentet që shoqërojnë mohimin që i bëhet të drejtës së Zaev për të formuar qeverinë në koalicion me partitë shqiptare, s’mund të të mos bjerë në sy fryma armiqësore ndaj kombësisë shqiptare në këtë republikë. Është po ajo armiqësi që u kultivua në mes të shek. 19-të, ku shqiptarët, të tradhtuar e braktisur nga Turqia e të lënë në mëshirë të fqinjve sllavë, u bënë pre e tyre.

 Për të shkuar drejt të vërtetës, duhet pohuar se ka patur një Rusi të ndërmjetme mes dy Rusive armiqësore. Është ajo e miqësisë së ideologjisë komuniste dhe internacionalizmit proletar që nisi nga viti 1945 e vazhdoi për 20 vjet. Ajo periudhë pati mjaftueshëm ndikim si për zhvillimin ashtu dhe për ndikimin rus, i cili ende vazhdon të shpërfaqet në hapësirat tona si kulturë kryesisht e atyre individëve që u përgatitën në shkollat e saj. Sot, mendimi i pranuar në unison nga ne shqiptarët është se, duke parë që në Serbi, në Mal të Zi, në Maqedoni, por dhe në Shqipëri, ndikimi rus po shtohet përmes investimeve të saj në fusha strategjike që përfshijnë industrinë, metalurgjinë, naftën, gazin, e minierat, rreziku është në rritje. Investime të mëdha përfshijnë hotele e bregdete. Ajo trevë që dikur thirrej “Albania veneta-Shqipëria venedike” e që përbën bregdetin malazez, sot është duke u shndërruar gradualisht përmes blerjeve në pronë ruse. Janë jo të pakta dhe investimet në media, përmes të cilave përhapet më tej ndikimi rus.

Është kjo arsyeja që udhëheqësit e shteteve shqiptare në Ballkan këtë ndikim e prani ua kanë bërë të ditur e shprehur si shqetësim autoriteteve më të larta europiane e amerikane, duke qenë të ndërgjegjshëm se ajo ka përmajtjen dhe organizimin në funksion të përkrahjes së Serbisë, të përkëdhelurve sllavo-ortrodoksë, drejtohet kryesisht kundër shqiptarëve.

Në konferencën e Komisioneve për Punët e Jashtme të vendeve europiane, ishte ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, e cila ua bëri të qartë shfaqjen hapur të ambicieve që Rusia ka për ndikimin në rajon. Për ofensivën ruse ata po shfrytëzojnë problemet e brendshme të BE-së dhe paqartësitë e  perspektivës europiane për vendet e rajonit, pas brexik. Edhe veprimi destruktiv i ndërmarrë në Mitrovicë, përpjekja për hyrjen në Kosovë të trenit të nisur nga Beogradi pak javë më parë, kanë prapavijën politike ruse. Edhe më i qartë bëhet  arsyetimi kur u referohesh analizave në rajon të diplomatit e publicistit Shaban Murati.

Realiteti është shumë kompleks, por edhe më i ngatëruar e i rrezikshëm duket tek ne për shkak të mungesës së unitetit, armiqësive të palëve partiake në luftën për pushtet dhe orvatjeve për destabilizim, realitete që krijojnë përshtypjen se nuk jemi dhe aq të përgjegjshëm ndaj situatës.

bajram peci foto brenda lajmit

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com