Një police 23-vjeçare është vrarë dhe 25 persona janë plagosur në atë që zyrtarët ukrainas e kanë quajtur një sulm terrorist në qytetin perëndimor të Lviv, raporton BBC.
Policia kishte marrë njoftim për vjedhje pak pas mesnatës të së dielës, kur ndodhën dy shpërthime të shkaktuara nga bomba artizanale, të vendosura në kosha mbeturinash.
Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi se “një individ i dyshuar për kryerjen e sulmit terrorist” ishte arrestuar. Kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovyi, tha se ajo ishte një ukrainase.
Më vonë, policia bëri të ditur se e dyshuara 33-vjeçare kishte prodhuar dhe vendosur eksplozivët me “udhëzim” të një agjenti të shërbimeve speciale ruse. Viktima e sulmit u identifikua si Viktoria Shpylka.
“Ajo ishte vetëm 23 vjeçe dhe e kishte nisur shërbimin në fillim të pushtimit të plotë të Khersonit,” shkroi policia në Telegram të dielën në mëngjes.
Policia tha se shpërthimi i parë ndodhi pasi një makinë policie mbërriti në vendngjarje, pas raportimit për një vjedhje në një dyqan në qendër të qytetit. “Më pas, kur mbërriti një patrullë e dytë, ndodhi një tjetër shpërthim,” shtoi ajo.

Njëmbëdhjetë persona u shtruan në spital, gjashtë prej tyre efektivë të forcave të rendit në gjendje të rëndë.
Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko tha se policia dhe Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës kishin ndaluar të dyshuarën, një banore e rajonit veriperëndimor të Rivnes.
“Po identifikojmë persona të tjerë të përfshirë në kryerjen e këtij krimi,” shkroi ai në Telegram.
Ndërkohë, prokuroria rajonale bëri të ditur se kishte nisur një hetim për “akt terrorizmi që çoi në pasoja të rënda”.
Të martën, Ukraina u përball me një tjetër natë sulmesh ruse përpara përvjetorit të katërt të pushtimit në shkallë të plotë nga Moska.
Kievi tha se mbrojtja ajrore kishte neutralizuar 50 raketa ruse dhe pothuajse 300 dronë gjatë natës. Sipas Zelenskyt, sulmet kishin në shënjestër sektorin energjetik, ndërtesa banimi dhe hekurudhat.
Të paktën një person u vra në rajonin e Kievit, tha zyrtari i lartë lokal, Mykola Kalashnyk, ndërsa një grua dhe një fëmijë u dërguan në spital.
Pushtimi i urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin është shndërruar në luftën më të madhe në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, me qindra mijëra viktima ushtarake, të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur që besohet se ka nga të dyja palët.
Ekspertët ushtarakë perëndimorë vlerësojnë se humbjet luftarake ruse kanë qenë shumë më të larta se ato të Ukrainës.
Moska aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë gadishullin jugor të Krimesë, të cilin e aneksoi në vitin 2014.
Komente








