Dy Shqipëritë e Europës

Dy Shqipëritë e Europës
Pozicioni i Shqipërisë në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian është i paqartë. Nga muaji maj ka marrë presidencën e Këshillit të Europës, ndërkohë që, prej vitit 2009 është nën monitorimin e këtij institucioni për përmbyshjen e detyrimeve si vend anëtar. Raportit kontradiktor me KiE, i shtohet edhe marrëdhënia me OSBE. Zyra e Oragizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Europian në Shqipëri rri e hapur sepse Shqipëria gjykohet si një vend që duhet mbajtur nën mbikqyrje dhe nën asistencë ndërkombëtare. Këto dy institucione kujdesen për të drejtat e njeriut, për zgjedhjet, për institucionet shtetërore dhe për drejtësinë. Në këto çështje bazë Shqipëria konsiderohet vend nën vëzhgim, megjithatë kjo nuk e pengon ecjen drejt Bashkimit Europian. Problemet me të drejtat e njeriut që publikohen në raportet e përvitshme të Human Rights Watch (HRW) dhe organizatave dhe institucioneve të tjera, e rendisin Shqipërinë shumë larg vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Vetëm në 2 vitet e fundit, 2011 dhe 2012, HRW ka bërë dy deklarata në adresë të kryeministrit. Në 2011 i kërkonte të mos ndërhynte për të penguar hetimin rreth vrasjeve të 21 janarit, në 2012 i kërkonte të qortonte piblikisht zëvendësministrin e mbrojtjes, Ekrem Spahia pas deklaratave kundër homoseksualëve. Liria e shprehjes vlerësohet në nivelin e vendeve pa demokraci.

Çështja e pavarësisë së institucioneve është një shqetësim që e kanë ngritur dhe e ngrenë në çdo adresim publik përfaqësuesit e SHBA dhe BE që janë vendet themeluese të OSBE-së. Ndërsa ata ngrenë zërin dhe Shqipëria i afrohet BE-së, situata e institucioneve të pavarura përkeqësohet. Këtë verë presidenca u vu nën kontrollin partiak, si rrjedhim edhe SHISH, ndërsa Prokuroria ka filluar numërimin mbrapsht deri ditën e pushtimit.
Sistemi i drejtësisë është lënë në një menaxhim partiako-korruptiv. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor në vitit 2011, mbyllja pa fajtorë e gjyqit të Gërdecit, mbyllja e çështjeve ministrave dhe të kryeministrit pa u shqyrtuar, i japin të drejtë këtij konstatimi të bërë nga vetë burokratët e Bashkimit Europian. Sistemi është rrënuar dhe pritet të bëhet akoma më partiak pas rënies së Presidencës në duart e Partisë Demokratike.

Zgjedhjet në fakt janë pika ku nisin të gjitha këto. Nga viti 2005 deri në 2011, janë organizuar 3 palë zgjedhje. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është ndërruar dy herë dhe po ndërrohet për herë të tretë. Kodi zgjedhor është ndërruar 3 herë, besimi i palëve tek zgjedhjet nuk është përmirësuar. Pas bojkotit të parlamentit dhe grevës së urisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", që shoqëruan zgjedhjet e vitit 2009, spektakli live i zgjedhjeve të Tiranës në vitin 2011 vërtetoi se qeveria mund të bëjë gjithçka përveç zgjedhjeve të lira. Në vitin 2012, kur kanë filluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme, reforma zgjedhore ka ngecur dhjetra herë. Dje ngeci për herë të fundit. Kandidatët për kryetarë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve mbështeten nga Partia Demokratike megjithëse nuk plotësojnë kushtet e parashikuara në Kod, të mos jenë anëtarë partie dhe të kenë punuar të paktën 5 vjet në administratën shtetërore. Ngecja në këtë pikë dhe insistimi i Partisë Demokratike për të zgjedhur një nga katër besnikët që mbështet për kreun e KQZ, tregon se asgjë nuk do të ndryshojë në vitin që vjen. Raporti i votave në KQZ do të jenë po ai, drejtimi do të jetë po aq partiak dhe disponimi i qeverisë ndaj vjedhjes do të jetë i njëjtë.
Në këto kushte ka dalë dhe raporti i OSBE-së që rri në Shqipëri pikërisht për të ndihmuar në zgjidhjen e këtyre problemeve. Raporti kritik, që sugjeronte qëndrim të gjatë të zyrës në Shqipëri, konstatonte në fund që do të ketë një atmosferë të egër në zgjedhjet e përgjithshme. Paralajmëronte zgjedhje problematike, që rrjedhimisht do të sjellin probleme akoma më të mëdha të nesërmen. Raporti i OSBE-së ishte një raport i saktë për Shqipërinë, por edhe për vetë zyrën e Organizatës në Shqipëri. Kjo zyrë, pranoi se ka dështuar në objektivat e saj, por përgjegjësinë për këtë nuk e ka askush. Zyra e OSBE-së pranoi se do të dështojë edhe në detyrën më të rëndësishme, zgjedhjet e lira, por prapë përgjësinë nuk e ka askush. Pas gjithë kësaj, nuk kuptohet pse misioni i OSBE-së vazhdon të qëndrojë në Shqipëri.
Raporti i OSBE-së, më vërtetësinë e tij bie në kundërshtim me atë pjesë të draftit të progres - raportit që Brukseli do të nxjerrë në 10 tetor. Aty flitet për zhvillime domethënëse, për klimë të qetë politike dhe ecuri të dukshme të reformave. Vetë Europa, duket po aq konfuze sa pozicioni i Shqipërisë. Ndërsa Këshilli i Europës dhe OSBE-ja si Institucione europiane flasin për ngecje në vend dhe paralajmërojnë zhvillime të rrezikshme, Komisioni Europian flet për zhvillim të dukshëm, ndërsa KiE dhe OSBE e mbajnë Shqipërinë nën mbikqyrje si vend problematik, BE e afron si vend demokratik europian. Kjo është situata kontradiktore që BE-ja dhe gjithë burokratët europianë e kanë krijuar vetë. Ndaj Shqipëria në derën e BE-së, do të jetë njësoj si jashtë saj, se ajo që ka vlerë në zyrat e burokratëve nuk është situata në vend, por progres-raporti i radhës.
Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e vitit 2025/ Presidenti Bajram Begaj pret nesër në konsultime për datën PD dhe PS, e mbyll me Celibashin

Zgjedhjet e vitit 2025/ Presidenti Bajram Begaj pret nesër në konsultime për datën PD dhe PS, e mbyll me Celibashin