DURRËS - Pas aksidentit të rëndë në Durrës ku dy fëmijë të mitur humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë, kryepolici Skënder Hita ka pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve drejtorin e Policisë së Qarkut Durrës, Afrim Tafa, duke e zëvendësuar përkohësisht në detyrë me Ervin Hodajn.
Gjithashtu për performancë të dobët, Hita ka pezulluar nga detyra edhe Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj dhe Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
Autori i tragjedisë, Nikoll Radaçi, rezulton si shofer që është ndëshkuar disa herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Vetëm në vitin 2022, 57-vjeçarit i është pezulluar 2 herë leja e drejtimit të makinës, ndërsa është sanksionuar edhe më parë për parakalim të gabuar dhe për tejkalim të shpejtësisë.
Njoftimi i plotë i policisë:
Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:
-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.
Ngjarja ndodhi dje rreth orës 14:20 në lagjen numër 15 të qytetit bregdetar, e njohur edhe si ish-Këneta, ku tre fëmijë po luanin në trotuar, kur automjeti “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë i mori përpara. Si pasojë e përplasjes, humbën jetën në vend Eneo Muca, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç. Klersi Nikolli i kishte prindërit në Itali, sepse babai i tij, Petriti, po kurohej nga një sëmundje e rëndë.
Ndërsa, 8-vjeçari i cili mbeti i plagosur pritet të transferohet në pavion. Burime nga Spitali i Traumës thonë se i mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por do të vijojë të mbahet nën kujdesin e mjekëve, për trajtimin e plagëve të marra si pasojë e aksidentit.
Të plagosur mbetën edhe një 25-vjeçare dhe një 30-vjeçar, përkatësisht Megi Loci dhe Enea Kardhiqi, të cilët ndodheshin pranë fëmijëve në momentin e aksidentit.
Shoferi Nikoll Radaçi akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.











