Të paktën 188 persona kanë humbur jetën, 1.520 janë plagosur, ndërsa mbi 35 mijë rezultojnë të zhdukur pasi Venezuela u godit nga dy tërmete të fuqishme, me magnitudë 7.2 dhe 7.5. Lëkundja e dytë është më e forta e regjistruar në vend që nga viti 1900, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS).

Dy tërmetet goditën mbrëmjen e së mërkurës rreth 160 kilometra në perëndim të Karakasit, me diferencë më pak se një minutë nga njëri-tjetri. Goditja, sipas raportimit më të fundit të Reuters, shkaktoi shembjen e qindra ndërtesave në kryeqytet dhe zonat bregdetare përreth, duke lënë shumë persona të bllokuar nën rrënoja.

Kreu i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, tha se deri tani janë konfirmuar 188 viktima, 1.520 të plagosur dhe të paktën 250 ndërtesa të dëmtuara ose të shkatërruara.

Presidentja në detyrë, Delcy Rodriguez, deklaroi se shteti La Guaira është zona më e goditur dhe e cilësoi situatën si një "zonë katastrofe". Sipas saj, qeveria po bashkëpunon me sektorin privat për të vënë në dispozicion makineri të rënda që do të përshpejtojnë operacionet e shpëtimit.

Në shumë zona, banorët po kërkojnë të afërmit me duar mes rrënojave, ndërsa ndihmat ende nuk kanë mbërritur kudo. Reuters raportoi se në disa pjesë të La Guairës u regjistruan edhe raste plaçkitjesh në dyqane, ndërsa shumë banorë kërkonin ushqim dhe ujë.

Aeroporti kryesor i Karakasit është mbyllur për shkak të dëmtimeve, ndërsa disa qytete pranë kryeqytetit mbetën pa energji elektrike. Në Morón, pranë epiqendrës së tërmetit, u shembën dhjetëra banesa dhe të paktën tetë persona, mes tyre tre fëmijë, humbën jetën.

USGS vlerësoi se numri i viktimave mund të rritet në mijëra, me një probabilitet të konsiderueshëm që ai të kalojë edhe 10 mijë. Ndërkohë, një faqe e ngritur për të raportuar personat e zhdukur, e shpërndarë nga drejtues të opozitës venezueliane, listonte mbi 35 mijë persona të pagjetur. Reuters thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur të gjitha raportimet.

Solidaritet për Venezuelën kanë shprehur liderë nga vende të ndryshme. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA është "gati, e gatshme dhe në gjendje të ndihmojë", ndërsa sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio bëri të ditur se ekipe shpëtimi po dërgohen në Venezuelë. Edhe Kombet e Bashkuara njoftuan se po koordinojnë vendosjen e ekipeve ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit.

Shkollat në Karakas janë mbyllur për pjesën e mbetur të javës, ndërsa bursa e qytetit do të përdoret si qendër për operacionet e emergjencës. Kryqi i Kuq i Venezuelës njoftoi se selia e tij ka pësuar dëmtime të mëdha, por ekipet e tij vazhdojnë të operojnë në zonat më të goditura.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:32
200 milionë dollarë për Venezuelën, FMN akordon fondet për rindërtimin pas tërmeteve

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka akorduar 200 milionë dollarë për rindërtimin e Venezuelës pas tërmeteve shkatërruese.

Gjatë një lidhjeje telefonike me televizionin publik Venezolana de Television (VTV), presidentja në detyrë Delcy Rodriguez bëri të ditur se tërmeti është pasuar nga 30 lëkundje të tjera.

Ajo tha se fondet e FMN-së do të përdoren për rindërtimin e infrastrukturës, spitaleve dhe banesave të familjeve që kanë humbur shtëpitë, ndërsa do të vihen në dispozicion edhe linja kredie për personat që kanë humbur aktivitetin e tyre kryesor ekonomik.

Ora 15:28
'Jemi gati të ndihmojmë', BE shpreh solidaritet me Venezuelën: Në gatishmëri për të aktivizuar mekanizmin e asistencës

Bashkimi Evropian ka shprehur solidaritetin me Venezuelën pas tërmeteve shkatërruese, duke u shprehur i gatshëm të aktivizojë Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së nëse autoritetet venezueliane paraqesin një kërkesë. Në një deklaratë të përbashkët,

Përfaqësuesja e Lartë Kallas dhe komisionerët Sìkela dhe Lahbib shprehën ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërsa theksuan se BE-ja është në kontakt me autoritetet dhe po vlerëson nevojat urgjente humanitare me partnerët.

Sipas deklaratës, është aktivizuar edhe sistemi satelitor Copernicus në modalitetin e hartëzimit emergjent për të mbështetur operacionet e reagimit, ndërsa BE-ja tha se mbetet në kontakt të ngushtë me partnerët humanitarë dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme operative.

Ora 09:57
Tërmetet në Venezuelë, Ursula von der Leyen: Jemi pranë jush

1780673468_ursulavonderleyen.JPG

Foto: Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar pas dy tërmeteve të njëpasnjëshme që goditën Venezuelën.

Përmes një postimi në X,  Von der Leyen ka shprehur mbështetjen veçaanërisht për familjet e viktimave.

 “Shprehim solidaritetin tonë me të gjithë venezuelianët pas tërmeteve shkatërruese të natës së kaluar. Mendimet e mia shkojnë veçanërisht për viktimat dhe familjet e tyre. Jemi me ju”, shkroi Presidentja e Komisionit Evropian në X.

Ora 09:10
FOTOT/ Rrënoja dhe frikë, tërmetet në Venezuelë përmes lentes së aparatit

Gërmadhat janë ato që kanë mbetur nga ndërtesat e rrënuara prej dy tërmeteve apokaliptike në Venezuelë.

Banorët e frikësuar e kanë kaluar natën jashtë shtëpive, ndërsa ka pasur edhe disa prej tyre që janë evakuuar.

Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur operacionet intensive.

Ora 08:49
Trump për tërmetet në Venezuelë: Janë me përmasa gjigante, SHBA e gatshme të ndihmojë! Rubio njofton dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit

1780068536_6a19ab6a8f865.jpeg

Donald Trump ka reaguar në Truth Social lidhur me tërmetet në Venezuelë.

“Dy tërmetet e mëdha që sapo goditën popullin e madh të Venezuelës janë me përmasa gjigante dhe kanë lënë një numër shkatërrues viktimash.”

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë gati, të gatshme dhe të afta për të ndihmuar!”

Trump shtoi se ka “urdhëruar të gjitha agjencitë e qeverisë të përgatiten për të vepruar shpejt”.

“Ne do të jemi aty për miqtë tanë të rinj dhe të mëdhenj. Raportimet pararaprake nuk janë të mira!!!”

Deri tani nuk ka raportime zyrtare publike për numrin e viktimave.

Ndërkohë, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se vendi po dërgon “menjëherë ekipe kërkim-shpëtimi, burime mjekësore dhe ndihmë humanitare” drejt Venezuelës.

Ora 08:20
Pamje tmerri në aeroportin kryesor të Venezuelës, njerëzit vrapojnë të alarmuar teksa tavani shembet

 

Janë publikuar pamje që tregojnë njerëz duke vrapuar nëpër korridoret e aeroportit kryesor ndërkombëtar të Venezuelës, në momentin kur goditi tërmeti, ndërsa përpiqeshin të mbroheshin nga mbeturinat dhe copat e materialeve që binin nga lart.

Pamjet ilustrojnë panikun dhe kaosin që përfshiu Maiquetía International Airport gjatë lëkundjeve sizmike, teksa udhëtarët dhe personeli kërkonin strehim dhe siguri.

Aeroporti është mbyllur për shkak të “dëmtimeve serioze” të shkaktuara nga tërmeti, sipas deklaratës së Delcy Rodríguez.

Ora 07:37
María Corina Machado reagon për tërmetet shkatërruese në Venezuelë: Përqafimi im i pafund është me ju

María Corina Machado, fituese e çmimit Nobel për Paqen dhe lidere e opozitës në Venezuela, ka publikuar një deklaratë pas tërmetit.

“Zemra ime, përqafimi im i pafund dhe lutjet e mia janë me çdo familje venezueliane në këto orë ankthi”, shkruan ajo në një postim në X.

“Uroj që forca, qetësia dhe solidariteti të mbizotërojnë mes nesh përballë këtij momenti të vështirë”, vazhdon ajo, duke shtuar: “Zoti e mbroftë çdo venezuelian, familjet tona dhe shtëpitë tona. Sot jemi më të bashkuar se kurrë.”

Ora 07:36
Tërmetet në Venezuelë/ Presidentja Delcy Rodríguez shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas goditjes së vendit nga dy tërmete të njëpasnjëshme dhe të fuqishme, me magnitude 7.2 dhe 7.5.

Ajo gjithashtu caktoi një gjeneral për të mbikëqyrur operacionet e reagimit ndaj gjendjes së emergjencës.

Rodríguez po udhëheq vendin në mënyrë të përkohshme që nga janari, kur paraardhësi i saj, Nicolás Maduro, u arrestua nga forcat amerikane dhe u dërgua në Neë York për t’u përballur me gjyq nën akuza për trafik droge.

Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje mbi të gjitha për unitet nga populli venezuelian.

Ajo gjithashtu shprehu ngushëllimet e saj për familjet që kanë humbur të afërm nga tërmeti, pa dhënë një numër zyrtar të viktimave.

P.J/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 24 Qershor, 15:40

    Si ju duket plani i protestës për të shpërndarë qeverinë e Kuvendin dhe zgjedhja me short mes qytetarëve?