Bilanci i tërmetit shkatërrues të dyfishtë që goditi Venezuelën po rëndohet nga ora në orë.

Numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në 235, të plagosurit janë mbi 4.300, ndërsa më shumë se 42 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të gërmojnë mes rrënojave në Karakas dhe në La Guaira, një nga zonat më të goditura.

Dy lëkundje me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën vendin gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, me vetëm 40 sekonda diferencë nga njëra-tjetra.

Shumë njerëz dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa të tjerë kanë mbetur pa strehë ose kanë frikë të qëndrojnë në ndërtesat e dëmtuara dhe të pasigurta, duke kaluar natën në rrugë pas katastrofës.

Të dy tërmetet ishin të cekëta, i pari kishte epiqendrën në një thellësi prej 20,3 kilometrash nën sipërfaqen e tokës, ndërsa i dyti në një thellësi prej 10 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.

Disa vende kanë premtuar ndihmë për operacionet e shpëtimit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një ndihmë prej 150 milionë dollarësh. Ushtria amerikane po dërgon anije transporti dhe avionë për të mbështetur ekipet e kërkim-shpëtimit dhe për të mundësuar “operacione të shpejta të ndihmës”, thuhet në një deklaratë. Uashingtoni ka autorizuar kryerjen e transaksioneve drejt Venezuelës, të cilat zakonisht ndalohen nga sanksionet, me kusht që ato të lidhen me “operacionet e ndihmës humanitare”.

Mbi 250 ndërtesa janë dëmtuar ose rrënuar. Aeroporti kryesor ndërkombëtar i Venezuelës, në Maiquetía, në periferi të Karakasit, është mbyllur për shkak të dëmeve të rënda, njoftoi presidentja e përkohshme e vendit.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:07
Ende asnjë gjurmë, 7 futbollistë të ekipeve të moshave të kombëtares së Venezuelës të zhdukur pas tërmeteve

Shtatë futbollistë të ekipeve të moshave të kombëtares së Venezuelës rezultojnë ende të zhdukur pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin.

Mes tyre është edhe Yimvert Berroteran, mesfushori 18-vjeçar i kombëtares U-20 dhe i klubit Universidad Central de Venezuela (UCV), për të cilin nuk ka më asnjë lajm që pas lëkundjeve sizmike që shkatërruan shtetin La Guaira.

Federata Venezueliane e Futbollit (FVF) dhe klubi i tij kanë bërë thirrje përmes kanaleve të tyre zyrtare, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende pa rezultat.

Sipas FVF-së, mes të rinjve që rezultojnë ende të pagjetur është edhe José Manuel Pimentel Berrios, 16 vjeç, i cili është parë për herë të fundit në Macuto.

 

Ora 07:45
Simbol shprese, foshnja gjendet e gjallë nën gërmadhat e tërmeteve në Venezuelë

 

Një foshnjë e porsalindur është nxjerrë e gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në La Guaira, një nga zonat më të goditura nga tërmeti shkatërrues që goditi Venezuelën.

Shpëtimi i saj përbën një nga shenjat e para të shpresës që nga fillimi i emergjencës. Sipas informacioneve paraprake, foshnja u gjet nga disa persona që arritën të shpëtonin nga ndërtesa e shembur, të cilët e nxorën nga rrënojat pak para mbërritjes së ekipeve të specializuara të kërkim-shpëtimit.

Videoja e shpëtimit, me një kohëzgjatje prej pak më pak se 30 sekondash, u bë shpejt virale në rrjetet sociale, duke prekur zemrat e mijëra njerëzve dhe duke nxitur mesazhe solidariteti nga e gjithë bota.

Ora 07:36
Ndihma e SHBA-ve për Venezuelën, pezullohen sanksionet

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përkohësisht sanksionet ndaj Venezuelës për të lehtësuar operacionet e ndihmës në zonat e goditura nga tërmeti.

Konkretisht, Uashingtoni ka autorizuar kryerjen e transaksioneve drejt Venezuelës, të cilat zakonisht ndalohen nga sanksionet, me kusht që ato të lidhen me “operacionet e ndihmës humanitare”.

Departamenti i Thesarit i SHBA-ve ka lëshuar një urdhër që lejon këto transaksione deri më 23 tetor 2026.

Që nga arrestimi i ish-presidentit Nicolás Maduro në janar të këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar vetëm një numër të kufizuar autorizimesh dhe licencash për shfrytëzimin dhe tregtimin e naftës, në bashkëpunim me presidenten e përkohshme Delcy Rodríguez. Ky veprim përfaqëson një lehtësim të pjesshëm të regjimit të sanksioneve ndaj Venezuelës.

Ora 07:31
Tërmetet në Venezuelë/ Mrekulli nën rrënoja, gruaja nxirret e gjallë pas 24 orësh (VIDEO)

 

Një grua është nxjerrë e gjallë nga rrënojat 24 orë pas dy tërmeteve në Venezuelë. Ngjarja ndodhi në Chacao, një nga zonat më të goditura nga lëkundjet sizmike.

Lajmin e bëri të ditur në rrjetet sociale kryetari i bashkisë, Gustavo Duque. “Ndodhemi pranë ndërtesës Don Pepe, ku, fatmirësisht, po shpëtojmë një banore. Zoti është i madh”, deklaroi ai nga jashtë godinës së shkatërruar.