Ndërhyrja e helikopterit nga ajri bëri të mundur shpëtimin e tre turistëve gjermanë, të cilët kishin mbetur të bllokuar mes shkëmbinjve në zonën e Malit të Çikës.
Operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati rreth katër orë dhe u zhvillua në një terren tepër të vështirë.
Pas lokalizimit të tyre, tre të rinjtë u nxorën me helikopter dhe u transportuan drejt Qendrës Shëndetësore të Palasës, ku morën ndihmën e parë mjekësore.
Turistët kishin kërkuar ndihmë përmes sinjalit SOS, pasi kishin humbur orientimin dhe nuk mund të dilnin nga zona shkëmbore ku kishin mbetur të izoluar. Operacioni u finalizua me sukses, pa pasoja për jetën e tyre.
Njoftimi i Policisë:
Policia u shkon në ndihmë 3 turistëve gjermanë të bllokuar në terrenin malor
Shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, pas marrjes së njoftimit për ndihmë nga disa turistë me origjinë gjermane, kanë nisur menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit në Malin e Çikës, Vlorë.
Rreth orës 19:00, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur lokalizimin e 3 turistëve gjermanë, rreth 18 vjeç, të cilët për shkak të terrenit të vështirë malor ndodheshin të lodhur fizikisht dhe në pamundësi për të vijuar lëvizjen.
Për shkak të kushteve të terrenit dhe vështirësisë së ndërhyrjes në këmbë, në koordinim me Qendrën Operacionale Kombëtare të Emergjencave Civile Tiranë, u kërkua ndërhyrja nga ajri me helikopter.
Rreth orës 19:30, falë ndërhyrjes së shpejtë nga ajri, u bë i mundur shpëtimi i turistëve dhe nxjerrja e tyre e sigurt nga zona malore.
Pas shpëtimit, turistët gjermanë falënderuan shërbimet e Policisë dhe të gjitha strukturat e angazhuara në operacion, duke vlerësuar reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar për t’u ardhur në ndihmë dhe për t’i nxjerrë të sigurt nga terreni i vështirë malor.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe turistëve në çdo situatë emergjente, duke reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm në të gjithë territorin.











Komente
Komento