Shqipëria ka qenë një prej vendeve të para që e ka shtrirë dorën për ndihmë në drejtim të Ukrainës që prej ditëve të para të pushtimit dhe ky për ministrin e Jashtëm, Hasani është një fakt për të qenë krenar.
“Që prej dy vitesh, ne kemi qenë dëshmitarë të trimërisë dhe guximit të popullit ukrainas. Rezistenca e tyre heroike ka fituar admirimin e mbarë botës dhe ka mobilizuar solidaritet dhe mbështetje të pashoqe. Jam krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në mbështetje të Ukrainës, përkrah aleatëve dhe partnerëve tanë. Jam, veçanërisht, krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetje diplomatike për Ukrainën dhe për të izoluar dhe dënuar Rusinë në luftën e saj të paligjshme”.- tha Hasani.
Përmes një videomesazhi të posaçëm në 2-vjetorin e sulmit rus në Ukrainës, ministri Hasani tha se tregues i vendosmërisë së Shqipërisë në krah të popullit ukrainas është edhe Samiti Ukrainë – Ballkani Perëndimor në Tiranë.
“Do të ofrojë një mundësi për liderët nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore për të diskutuar, se si ne mund të punojmë së bashku dhe si mund të ofrojmë të gjithë mbështetjen që mundemi për Ukrainën, të vetëdijshëm se duke ndihmuar Ukrainën ne po kontribuojmë gjithashtu në sigurinë dhe stabilitetin e rajonin tonë dhe Evropës’- shkruan Hasani.
Për Presidentin Begaj e gjithë bota është dëshmitare e qëndresës heroike të popullit ukrainas për liri!
“Ukraina sot është ndërgjegjja jonë. Vlerat tona të përbashkëta dhe liria jonë janë në rrezik. Do të jemi gjithmonë në krah të Ukrainës dhe popullit të saj, si dhe në mbrojtje të vlerave universale”- shkruan Begaj.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ka zgjedhur që edhe në gjuhën ukrainase të japë mesazhin e saj.
“Shqipëria ka qenë e vendosur kundër agresionit dhe pro luftës së drejtë të Ukrainës. I tillë do të vijojë qëndrimi ynë deri në çlirimin e Ukrainës. Slava Ukraini!”- tha Nikolla.
Në këtë 2 vjetor të luftës ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar, të Rithemelimit, Gazment Bardhi.
“Sot është dita që të gjithë të jemi bashkë në një përgjigje ndaj antivlerave që vënë në rrezik sigurinë kolektive. Ndërsa vlerësoj qëndresën heroike të qytetarëve të Ukrainës, solidarizohem me çdo viktimë të sulmeve barbare ruse”- u shpreh Bardhi.
Nga Partia Demokratike ka reaguar Xhemal Gjunkshi, Sekretar për Sigurinë Kombëtare dhe Koordinimin Euro-Atlantik, i cili evidentoi se rezistenca dhe forca e popullit dhe shtetit të Ukrainës përbën një model të jashtëzakonshëm të heroizmit dhe vetëmohimit për demokracitë e zhvilluara apo në zhvillim.
Tirane- Kur janë shënuar dy vite nga dita kur Rusia ndërmori agresionin rus, Shqipëria ka qëndruar krah Ukrainës. Nisma e fundit është organizimi më 28 shkurt në Tiranë i Samitit Ukrainë – Ballkani Perëndimor ku do të jetë i pranishëm dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky
Me rastin e kësaj dite ministri i Jashtëm Igli Hasani përcolli një videomesazh ku vuri në dukje rëndësinë për solidaritetin dhe mbështetjen e aleatëve ndaj Ukrainës në këtë betejë.
“Shqipëria është krenar për rolin e saj në mbështetje të Ukrainës. Ukraina meriton të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen tonë dhe të aleatëve” tha Hasani.
Samiti i Ukrainës bashkëorganizohet dhe nga presidenti ukrasinas Volodymyr Zelensky i cili do të jetë në Tiranë dhe në kuadër të një takimi bilateral mes dy shteteve.
Videomesazhi i Ministrit Hasani
Dy vite më parë, e gjithë bota shikonte me tmerr se, si Rusia filloi luftën e saj të paligjshme dhe agresive kundër Ukrainës. Pa provokim, pa justifikim, Ushtria Ruse nisi një pushtim kundër një kombi sovran dhe të pavarur në Evropë, diçka që kontinenti ynë nuk e kishte parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Që prej dy vitesh, ne kemi qenë dëshmitarë të tmerreve të këtij pushtimi: shkatërrim, plaçkitje, përdhunime, vrasje të civilëve të pafajshëm dhe rrëmbime të mijëra fëmijëve ukrainas. Mariupol dhe Bucha mbahen mend për barbarinë e shfaqur nga ushtria ruse kundër kombit të lirë dhe të pavarur ukrainas.
Që prej dy vitesh, ne kemi qenë dëshmitarë të trimërisë dhe guximit të popullit ukrainas. Rezistenca e tyre heroike ka fituar admirimin e mbarë botës dhe ka mobilizuar solidaritet dhe mbështetje të pashoqe.
Jam krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në mbështetje të Ukrainës, përkrah aleatëve dhe partnerëve tanë. Jam, veçanërisht, krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetje diplomatike për Ukrainën dhe për të izoluar dhe dënuar Rusinë në luftën e saj të paligjshme.
Ne kemi bërë të pamundurën për të mbështetur Ukrainën, sepse besojmë se Ukraina dhe populli i saj meritojnë të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen që mund të marrin në luftën e tyre të drejtë.
Ne kemi bërë maksimumin për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj, edhe sepse kuptojmë se lufta e tyre është një luftë për sigurinë e Evropës dhe sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Çdo gjë tjetër, do të inkurajonte çdo diktator dhe komb mashtrues në botë që të ndjekë rrugën e Vladimir Putin, duke e zvogëluar kështu ligjin ndërkombëtar në ligjin e xhunglës.
Për ne, në Ballkanin Perëndimor, lufta në Ukrainë ka ringjallur kujtime dhe emocione të dhimbshme nga vitet 1990, kur rajoni ynë ishte shtëpia e luftës së fundit në Evropë. Por, lufta në Ukrainë ka ndikuar seriozisht edhe në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë.
Prandaj, më 28 shkurt, në Tiranë, ne do të organizojmë Samitin Ukrainë – Ballkani Perëndimor.
Dhe ky Samiti do të ofrojë një mundësi për liderët nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore për të diskutuar, se si ne mund të punojmë së bashku dhe si mund të ofrojmë të gjithë mbështetjen që mundemi për Ukrainën, të vetëdijshëm se duke ndihmuar Ukrainën ne po kontribuojmë gjithashtu në sigurinë dhe stabilitetin e rajonin tonë dhe Evropës.