BULARAT- Në një ceremoni private, të afërmit kanë përkujtuar Kostandinos Kacifas në Bularat, fshatin me banorë të minoritetit grek. Familjarë, përfaqësues të shoqatës 'OMONIA' dhe banorë të fshatit pas meshës kryen homazhe në varreza. Nuk mungoi flamuri grek gjatë kësaj ceremonie.

Kunati i tij, Vangelis Saqiralaqis shprehu shqetësim për zvarritjen e hetimeve nga prokuroria shqiptare.

"Presim përfundimin e hetimeve se kane kaluar dy vite dhe akoma nuk ka një përgjigje. Dy prokurorë janë dorëhequr, dosja shkoi ne Tirane dhe u kthye serish ne Gjirokastër, këtu me sa duket njerëzit tremben.  Kostandini ishte një demokrat, e bëri për shqiptarët dhe grekët. Duhet të kuptojmë se të gjithë po na helmojnë, edhe grekët edhe shqiptarët po na helmojnë. Dhe çfarë shkaktojnë? Shkaktojnë  fanatizëm...edhe ne Greqi ka fanatizëm", tha ai.

Familjarët e minoritarit grek, Konstandinos Kacifas kishin kërkuar që ceremonia të zhvillohej më 28 tetor, ditën kur ai u vra në përplasje të armatosur me forcat RENEA. Por autoritetet shqiptare kanë vendosur që ceremonia të zhvillohet këtë të shtunë, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm më 28 tetor. Në këtë datë, kremtohet festa greke e “JO-së”, ose ndryshe fillimi i luftës italo-greke.