Dy vite pas vrasjes së Egli Progës në Pogradec, Prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim 5 persona.

Denis Meçe dhe Leonidha Guçe, akuzohen për vrasje me dashje ndërsa Arjan Manellari, Voltan Shkulaku dhe Andi Shkulaku, akuzohen për moskallëzim krimi dhe kryerja e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Autorët e dyshuar ndodhen në ‘arrest shtëpie’ ndërsa 3 të tjerët ndodhen me masë ‘detyrim paraqitje’.

Leonidha Guçe fillimisht ishte hetuar vetëm për moskallëzim krimi, por 9 muaj pas vrasjes Prokuroria zbuloi se edhe ai kishte marrë pjesë në rrahjen brutale të Progës, bashkë me Denis Meçen. Proga është dhunuar brenda lokalit nga Leonidha Guçe e më pas është goditur kur ka dalë nga lokali dhe nga Denis Meçe. Këto të dhëna u zbuluan gjatë rrëfimit të të pandehurve dhe ballafaqimit të tyre në dhomat e paraburgimit.

Vetëm një pjesë e kamerave ishte arritur të rikuperohet nga Prokuroria e Korçës, si në lokalin ku ndodhi ngjarja, por edhe të një marketi përballë. Pamjet dyshohet se ishin fshirë nga pronari i lokalit Voltan Shkullaku dhe Leonidha Guçe e Arjan Manellari, duke përdorur një virus kompjuterik.

Si ndodhi vrasja e Egli Progës?

Vrasja e 42-vjeçarit Egli Proga, babai i dy fëmijëve, dhe mënyra se si policia trajtoi ngjarjen irritoi opinionin publik. Qytetarët u ngritën në protesta dhe me qirinj e fotot e Eglit në duar, kërkonin drejtësi. Denis Meçe, nipi i Valter Gorës, ish-drejtorit të Postës Shqiptare, i kërkoi disa herë Progës që t’i dridhte një cigare dhe pasi ky i fundit ia bëri gati i tha të shkojë ta marrë, por Meçe u fut në lokal dhe debatuan.h

Aty është qëlluar nga Leonidha Guçe dhe pasi ka dalë jashtë, Denis Meçe e goditi me grusht Progën, koka e të cilit u përplas me një makinë të parkuar dhe në asfalt. Disa minuta më vonë mbërriti ambulanca, dhe pasi u transportua në spital, u konfirmua i vdekur. Ekspertiza e mjekësisë-ligjore nxori si shkak të vdekjes hemorragjinë në cipën e trurit dhe hemorragjinë në indin trunor.

U dërguan në gjyq
Leonidha Guçe
Denis Meçe
Arjan Manellari
Voltan Shkulaku
Andi Shkulaku

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë