Policia e Shtetit zhvilloi këtë të hënë një ceremoni vlerësimi për Zëvendësshefen e Misionit në detyrë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Kathryn Hammond, dhe Shefin e Zyrës Rajonale të Sigurisë në këtë ambasadë, Jonathan Ellis, me rastin e përfundimit të mandateve të tyre në Shqipëri.
Ceremonia u mbajt në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me pjesëmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtues Madhor Skender Hita, dhe drejtuesve të lartë të Policisë.
Gjatë fjalës së tij, Hita shprehu mirënjohje për kontributin e dhënë nga Hammond dhe Ellis në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve ligjzbatuese të dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme për Policinë e Shtetit.
Sipas tij, bashkëpunimi në trajnime, logjistikë, hetime të përbashkëta dhe shkëmbim informacioni në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve financiare dhe krimeve ndërkufitare ka sjellë rezultate të rëndësishme për të dyja palët.
Hita theksoi se, edhe pse misioni i tyre në Shqipëri ka përfunduar, partneriteti dhe miqësia mes dy vendeve do të vijojnë të mbeten të forta, ndërsa u uroi suksese në angazhimet e ardhshme.
Nga ana e tyre, Kathryn Hammond dhe Jonathan Ellis falënderuan Policinë e Shtetit dhe institucionet shqiptare për bashkëpunimin gjatë viteve të shërbimit në vendin tonë.
Ata vlerësuan rezultatet e arritura në luftën kundër krimit, si dhe shprehën besimin te Policia e Shtetit dhe profesionalizmi i Drejtorit të Përgjithshëm, Skender Hita, duke theksuar se bashkëpunimi me autoritetet shqiptare ka qenë ndër përvojat më të mira profesionale të karrierës së tyre.
Komente







