Tre gola për tre pikë në javën e katërt dhe në krye të Seria A të paktën përkohësisht. Kjo është Roma e Jose Mourimho-s. Verdhekuqtë fituan pastër 3-0 kundër Monza-s në ‘Stadio Olimpico’, duke iu shkaktuar kundërshtarëve me president Berluscon-in humbjen e katërt në po kaq ndeshje.
Dy nga tre golat u realizuan nga Paolo Dybala, i cili ishte edhe njeriu i ndeshjes. Argjentinasi i transferuar këtë verë si lojtar i lirë nga Juventusi kapi edhe shifrën e 100 golave në Seria A. Në minutën e 31 edhe mbrojtësi Ibanez vendosi emrin në listën e golashënuesve, ndërsa kundër Monzës luajti për herët të parë si titullar këtë sezon mbrojtësi shqiptar Marash Kumbulla.
Sakaq te tre pikët është kthyer edhe Interi, që pak ditë më parë u mposht nga Lazio. Zikaltërit në një stadium të mbushur me 70 mijë tifozë mposhtën pa shumë mundime 3-1 Cremonese-n. Për zikaltërit zhbllokoi shifrat Correa, ndërsa Barrela dyfishoi me një perlë. Në pjesën e dytë shënoi edhe lojtari më në formë i Inzaghit Lautaro Martinez, i cili hyri si zëvendësues në këtë ndeshje.
Më herët Milani kampion u ndal nga Sassuolo me rezultatin 0-0. ‘Djalli’ në këtë transfertë ishte i pafuqishëm për të synuar më shumë, ndërsa u desh edhe pritja e një penalltie nga portieri Maigna-n për të dalë me pikë nga ‘Mapei Stadium’.