Mali i Dajtit i zbardhur nga reshjet e dëborës u kthye këtë të dielë në destinancionin e shumë qytetarëve të Tiranës. Nga fluksi i lartë i mjeteve rrugët që të çonin drejt malit u bllokuan nga trafiku i gjatë.

E njëjta situatë vijoi për orë të tëra edhe gjatë kthimit drejt kryeqytetit.

Drejtuesit e mjeteve hasën vështirësi në qarkullim, pasi lëvizja ishte e vështirë në të gjitha akset që të çonin drejt Tiranës, nga zona e Freskut, apo e Surrelit. Kjo jo vetëm nga numri i lartë i makinave në radhë, por edhe nga rruga me dëborë e ngrica.

Pamjet me dron të siguruara nga Report Tv tregojnë se trafiku i rënduar vijoi deri në mbrëmje. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:17
25 kilometra trafik! PAMJE me DRON nga qarkullimi i bllokuar në rrugët e Dajtit

Fotografi dhe operatori i njohur në rrjetet sociale, Erald Halili, ka shpërndarë disa pamje të realizuara me dron të trafikut kilometrik që u krijua ditën e sotme në rrugët e malit të Dajtit, pas dyndjes së mijëra vizitorëve për të kaluar fundjavën në destinacionin piktoresk të zbardhur nga dëbora në Tiranë.

Në video, Halili informon se autokolona e krijuar nga qarkullimi i bllokuar arrinte deri në 25 kilometra.