TIRANE- Hetuesit në polici nuk kanë asnjë dyshim se nuk ka qenë një rrëmbim ai i Julian Çelës, 10 vjeçarit të larguar prej afro dy javësh nga familja. Shqiptarja.com ka kontaktuar dje një zyrtar të lartë të Policisë së Shtetit në lidhje me këtë çështje duke mësuar se policia dyshon se Juliani është larguar jo vetëm me vullnetin e tij por edhe me disa shokë të tij maxhorenë të cilët dyshohet se kanë precedentë penalë të mëparshëm për vjedhje. "Ditën që është larguar Juliani, pra më datën 30 Nëntor është larguar dhe një 16-vjeçar i quajtur G.Prendi i cili u rishfaq në Tiranë pesë ditë më vonë. 16-vjeçari ka precedentë për vjedhje por nuk është vetëm ai, por edhe dy tre persona të tjerë në moshë madhore madje diku te 20-21 vjeç që shoqëroheshin me Julianin 10-vjeçar dhe që për të cilët ne kemi skeda sidomos për grabitje në lidhje me ta", - tha dje burimi policor.

JULIANI

I njëjti zyrtar ka shtuar dje se Juliani është një fëmijë më i shkathët se moshatarët e tij dhe shoqërohej shpesh jo vetëm me më të rritur por edhe me më të rritur me probleme. "Sa 10-vjeçarë njihni ju personalisht që shoqërohen me djem 6 apo 10 vite më të mëdhenj se veten, për më tepër problematik me ligjin. Ne dyshojmë se me këta persona mund të jetë larguar ndoshta i joshur prej tyre dhe me ndonjë plan të caktuar", - tha dje zyrtari i policisë. Sipas tij policia dhe SHISH kanë rakorduar veprimet që në orët e para të largimit të Julianit dhe SHISH ka orientuar hetimet te shokët maxhorenë të Julianit pasi nuk ka asnjë gjurmë të vetme të një rrëmbimi për shkak të detyrës së të atit të Julianit në SHISH. Afro dy javë nga zhdukja e 10-vjeçarit Julian Çela, djalit të nëndrejtorit të Antiterrorit në SHISH Skënder Çela, familja nuk ka asnjë gjurmë nga djali i tyre, ndërsa mbetet ende në pritje të një lajmi.Të afërmit vazhdojnë kërkimet ndërsa jashtë kamerave shprehen se askush s'i ka telefonuar në tre numrat e kontaktit.

NËNA E JULIANIT: DYSHOJMË SE E MBAJNË TË MBYLLUR

Nëna e Julianit, j Luze Çela, bashkëshortja e nëndrejtorit të Antiterrorit të SHISH-it, Skënder Çela tregon se 30 nëntor ditën e zhdukjes Juliani kishte veshur nj pulovër të trashë të zezë prej pambuku që ka kapuç me pantallona të zeza dhe atlete të bardha. Mbrëmë në emisionin “Njerëz të humbur” të Aida Shtinos në Televizionin Shqiptar e ëma tregon se Juliani kishte me vete vetëm 1 mijë lekë të vjetra.
“Kushdo që e ka marrë Julianin e ka mbajtur brenda, ndryshe me atë veshje nuk do të kishte rezistuar dot. “- tha e ëma.
 
E pyetur nëse mendonte se dikush e ka rrëmbyer Julianin apo mund të ketë ikur vetë, tregon: “Nuk e përcaktojmë dot saktë, por mendojmë se dikush apo disa persona po e mbajnë në ndonjë banesë Julianin dhe nuk e lënë të dalë. Po të kishte ikur vetë, do të ishte kthyer tashmë në shtëpi se është pa rroba dhe pa lekë me vete. Plus që djali është shumë i lidhru me mua dhe nuk do të kishte ndenjur kaq ditë pa më parë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të rrijë kaq larg meje apo larg familjes.“- trego mamaja e 10 vjeçarit të zhdukur.

DËSHMITË
Grupi hetimor i ngritur për rastin e humbjes së Julianit që prej 30 nëntorit, është ende duke punuar dhe pse ka administruar dëshmi të shumta të cilat kanë hedhur dritë se me kë shoqërohej Juliani, ku qëndronte dhe ç'sjellje kishte. Në një intervistë dhënë për televizionin A1Report, punonjësja e internetit që Juliani është parë për herë të fundit thotë se Julin e thirri dikush dhe ai doli e që prej atij momenti ajo rrëfen se nuk e ka parë më djalin. "Julin e thirrën jashtë, po se kush nuk e vura re, jo te dera më poshtë. Juli doli, kaq mbaj mend. Di edhe këtë që hyri pa shok e doli pa shok, doli vetëm. Dikush e thirri por Juli nuk tha përshembull, kush je ti, nuk foli por doli. Njeri me zor nuk merr. Julin nuk e ka nxjerr njeri me zor", tha zonja Zana, pronarja e qendrës së internetit ku Juliani është parë për herë të fundit. Zhdukja e djalit 10-vjeçar të nëndrejtorit të Antiterorrit në SHISH, Skënder Çela ndodhi në rrethana të paqarta, ndërsa për herë të fundit Juliani është parë në një qendër interneti në zonën e Laprakës në Tiranë, ku dhe banon familja e tij. Dy ditë më parë familjarët e djaloshit 10-vjeçar Julian Çela, vunë në dispozicion një shpërblim në shumë parash për këdo që jep informacion lidhur me djalin e tyre. Familjarë të tij thanë për televizionin A1Report se janë të gatshëm të ofrojnë një shumë të konsiderueshme parash për çdo person që mund të ketë çfarëdo informacioni që do të çonte në gjetjen e Julianit. Për këtë arsye familjarët e tij kanë vënë në dispozicion 3 numra telefoni 0696503814, 0694321796, 0685804565 dhe luten që çdo e dhënë apo informacion të përcillet në këta numra.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)