Vijojnë kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit Jurgen Karaj, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e një përroi, pas një aksidenti automobilistik në fshatin Dars, bashkia Klos.
Në operacionin e kërkimit janë angazhuar familjarë të të riut, banorë të zonës, forca policie, zjarrfikëse nga bashkitë Mat dhe Klos, si edhe efektivë të Forcave të Armatosura.
Burime për Report TV bëjnë të ditur se kërkimet janë përqendruar përgjatë shtratit të lumit Mat, nga fshati Dars deri në Liqenin e Ulzës, ku derdhet lumi.
Autoritetet bëjnë me dije se operacioni do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa familjarët e 30-vjeçarit mbeten në pritje dhe shpresë për gjetjen e tij, në një situatë që po bëhet gjithnjë e më e rëndë me kalimin e ditëve pa rezultat.
Kujtojmë se në automjet në momentin e aksidentit kanë qenë dy persona, drejtuesi 24-vjeçar Andi Llosha dhe pasagjeri 30-vjeçar Jurgen Karaj.
Llosha ka arritur të dalë nga makina dhe ka shpëtuar, ndërsa Karajn dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.
Lidhur me ngjarjen, Policia arrestoi 24-vjeçarin Llosha, pasi dyshohet se ai u largua nga vendngjarja dhe nuk i dha ndihmë Karajt në brendësi të automjetit.
Gjithashtu më herët Llosha iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Komente











