Një shqiptar është dënuar me 11 vite e 6 muaj burg në Itali, pasi u shpall fajtor për tentativë vrasjeje ndaj një 28-vjeçari tjetër shqiptar, në një ngjarje të ndodhur në tetor të vitit 2023 në Manta, në provincën e Cuneos.

Bëhet fjalë për Altin Jakinin, 32 vjeç, sipërmarrës në sektorin e ndërtimit, i cili sipas gjykatës qëlloi me një pistoletë në drejtim të një furgoni, teksa ishte në dijeni se brenda ndodhej 28-vjeçari. Sipas mediave të huaja, i riu u gjet në gjendje të rëndë nga ekipet e shpëtimit, teksa automjeti i tij kishte dalë nga rruga.

Fillimisht ngjarja u duk si një aksident i rëndë rrugor.

Por, para se të hynte në sallën e operacionit në Cuneo, i plagosuri i tregoi një policisë identitetin e personit që, sipas dëshmisë së tij, kishte qëlluar ndaj tij.

Sipas akuzës së ngritur gjatë procesit, motivi i sulmit lidhej me xhelozinë ku Jakini dyshonte se 28-vjeçari ishte një rival në lidhje me të dashurën e tij. Pavarësisht përpjekjeve të viktimës për ta bindur se nuk kishte arsye për dyshime, tensionet mes tyre kishin vijuar edhe në ditët para sulmit.

Në të njëjtin proces gjyqësor u përfshi edhe Andrea Dedi, në atë kohë punonjës i Jakinit, i akuzuar se e kishte ndihmuar në kryerjen e sulmit i cili u shpall i pafajshëm.

Ndërkohë, gjykata e shpalli fajtor 32-vjeçarin shqiptar  për tentativën e vrasjes dhe e dënoi atë me 11 vite e 6 muaj burg.