Vetëm dy ditë pasi e ka akuzuar Altin Kaçaj, se pas dhunës fizike ndaj tij fshihet prokurori i Vlorës Aurel Zarka, mësohet se ky i fundit i është drejtuar me një kallëzim penal prokurorisë së Fierit. “Shqiptarja.com” mëson se prokurori Zarka, kërkon ndjekjen penale për akuzën e “Shpifjes”, ndaj shtetasit Altin Kaçaj, pronar i një kompanie udhëtimi.

Sipas të dhënave në kallëzim thuhet se Kaçaj është hetuar dhe gjykuar disa herë nga sistemi i drejtësisë ku është dënuar për akuzën e Përndjekjes dhe mashtrimit nga gjykata e Vlorës. Madje Kacaj ka qenë i proceduar nga Krimet e Rënda dhe për akuzën e Shfrytëzimit të prostitucionit, akuzë që më pas u pushua.

Për të dy këto vepra penale është dënuar me 15 muaj burgim, dënim i marrë ky në vitin 23 mars 2017. Sipas pretendimeve që prokurori Zarka parashtron në kallëzimin e tij depozituar prokurorisë së Fierit, Altin Kaçaj ka shpifur në mënyrë të qëllimshme, duke mos pasur asnjë provë kundër tij, për sa i përket dhunës fizike të pretenduar.

Zarka shton se në asnjë moment nuk është përfshirë në intriga të tilla kriminale, por implikimi i emrit të tij në të tilla incidente të dyshimta, synon të denigrojë, demotivojë e përndjekë punën e tij si prokuror. Kaçaj është hetuar nga prokurori Zarka për tjetërsimin e një automjeti, i cili ishte në pronësi dhe përdorim nga një shtetase italiane.

Mirëpo ky mjet është lënë në përdorim tek Altin Kaçaj, por ky I fundit e ka regjistruar në mënyrë të dyshimtë këtë mjet me dokumente të rregullta. Në dobi të hetimeve, prokuroria Zarka ka urdhëruar sekuestrimin e automjetit, duke kryer një sërë veprimesh hetimore. Ndërkohë që nga ana tjetër Altin Kaçaj i është drejtuar gjykatës së Vlorës disa herë, ku ka kërkuar kthimin e mjetit të sekuestruar në datën 2 shkurt 2014.

Por me vendimin e fundit të datës 27 shtator 2016 gjykata e Vlorës ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Kaçaj, duke lënë mjetin në gjëndjen e sekuestros. Momentalisht hetimi ndaj Altin Kaçaj është i pezulluar pasi prokuroria është në pritje të përgjigjes së letërporosisë nga Italia, prej nga ka ardhur dhe mjeti i sekuestruar, i cili pretendohet se është në pronësi të dy personave, Altin Kaçaj dhe një shtetasi Italian.