Tirane- Një tjetër gënjeshtër e Sali Berishës është zbuluar, lidhur me procesin e SPAK ndaj tij. Prej javësh ai e akuzon gjyqtaren që i konfirmoi masat e sigurisë ndaj tij, detyrimin e paraqitjes dhe ndalimin jashtë vendit, si në konflikt të hapur interesi pasi sipas Berishës e kishte shkakuar Irena Gjokën kur ishte Presidenti i Republikës, rrjedhimisht edhe në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Report Tv ka siguruar përgjigjen që Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka kthyer avokatëve të Berishës për historikun e emërimeve të gjyqtares Irena Gjoka (Maneku)

Nga kthimi i përgjigjes rezulton se Sali Berisha vetë e ka shkarkuar dhe e ka emëruar Irena Gjokën brenda 6 muajve me dy vendime të njëpasnjëshme.

Më 8 shkurt 1996, KLD e kryesuar nga Berisha shkarkoi gjyqtaren Irena Gjoka si të paaftë, ndërsa 6 muaj më vonë, më 23 gusht 1996, KLD që drejtohej nga Berisha e emëroi Gjokën në Mallakastër

“Gjithashtu, sqarojmë se, për periudhën që ju kërkoni informacion dhe dokumentacion, më konkretisht për vitin 1996, për znj. Irena Maneku, emëruar me Vendimin nr. 14, datë 21.12.1993, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtare pranë Gjykatës Fier, bazuar në Regjistrin Themeltar të Ministrisë së Drejtësisë, që disponon Këshilli i Lartë Gjyqësor, rezulton se:

1. Me Vendimin nr. 7, datë 08.02.1996, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, znj. Irena Maneku, është liruar nga detyra për shkak të paaftësisë në kryerjen e detyrës,

2. Me Vendimin nr. 8, datë 23.08.1996, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, znj. Irena Maneku, është emëruar gjyqtare pranë Gjykatës Mallakastër”- thuhet në shkresën e firmosur nga Rudin Baqli, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor.