Adresa e blerjeve online, eBay, ka ngjallur zemërimin e mijërave njerëzve në të gjithë botën pasi u zbulua se po fiton nga shitjet online të sendeve dhe veshjeve të ndryshme të Holokaustit.

Sendet në shitje përfshijnë veshjet e kampeve të përqëndrimit. Uniforma e një bukëpjekësi polak i cili vdiq në kampin e përqëndrimit "Auschwitz", u shit për rreth 14 mijë euro.

Por ky ishte vetëm një nga dhjetëra sendet ofensive të zbuluara nga një hetim i britanikes Daily Mail. Pak orë pas publikimit të lajmit, eBay i hoqi menjëherë nga shitja ato.

Kompania kërkoi falje dhe u zotua se do të dhuronte 30 mijë euro në bamirësi.  Ata u shprehën se nuk e dinin se prej sa kohësh kishin ndihmuar pa dijeninë e tyre, në shitjen e sendeve të lidhura me genocidin e ndodhur vite më parë.

Ndërmjet sendeve të gjetura në shitje në eBay javën e kaluar kishte:

• Një palë këpucë që i përkisnin një viktime të një kampi përqëndrimi me çmim 1 mijë euro 
• Një shirit i Yllit të Verdhë i David i cili dallonte hebrenjtë e persekutuar 
• Valixhe e vjetër e një viktime të Holokaustit me çmim 500 euro
• Një furçë dhëmbësh kampi përqëndrimi me çmim 180 euro

Ekspertët besojnë se reliket e Nazistëve dhe të Holokaustit, po bëhen gjithmonë e me të vlefshme pasi personat të cilët i mbijetuan luftës po vdesin, duke lënë këto ‘artifakte’ pas. Për disa , ato janë thjesht sende të cilat mund të koleksionohen, por për të tjerë lartësojnë horroret e regjimit Nazist.

Gjithsesi eBay nuk ka thyer asnjë ligj të Mbretërisë së Bashkuar duke shitur materiale të Holokaustit, por në Gjermani, Austri dhe Francë kjo është e ndaluar. Në vitin 2000, Yahoo u hodh në gjyq nga Franca pasi lejoi një ankand me suvenire Naziste.

Redaksia Online
(Erin Dini /a.ç/shqiptarja.com)