ROMË, Itali - Në pritje të zyrtarizimit të Tony D'Amico si drejtor i ri sportiv pas ndarjes me Ricky Massara, Roma po planifikon sezonin 2026-27 në Serie A. Klubi verdhekuq, falë edhe kualifikimit në Champions League pas 7 vitesh mungesë, ka në dispozicion një buxhet të konsiderueshëm.
Prioriteti është përforcimi i repartit sulmues që do të ketë në dispozicion trajneri Gian Piero Gasperini, por lëvizje priten edhe në krahët e mbrojtjes, duke marrë parasysh rikthimin e Tsimikas te Liverpooli dhe pikëpyetjet mbi gjendjen fizike të Angelinos.
Për këtë arsye, sipas medieve greke dhe saudite, Roma është pranë blerjes së Mario Mitajt. Mbrojtësi i majtë 22-vjeçar i Al-Ittihad, i cili mund të luajë edhe si mesfushor krahu, mund të transferohet në kryeqytetin italian për një shumë prej rreth 10 milionë euro.
Drita jeshile për transferimin është dhënë edhe nga Gasperini dhe futbollisti i lindur në vitin 2003, ish-lojtar i Lokomotivës së Moskës dhe AEK-ut të Athinës, pritet t'i nënshtrohet vizitave mjekësore gjatë javës së ardhshme.
Komente










