Juventusi barazoi 1-1 me Interin në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë. Dueli në Torino u vendos në fundin e ndeshjes, teksa Cuadrado shënoi për vendasit dhe Lukaku në 90+5 për miqtë. Veç lojës së mirë, në fund arbitri akordoi edhe tre kartona të kuq, një për Cuadradon e Zonjës dhe dy për zikaltërit (Handanovic dhe Lukaku). Pas ndeshjes, trajneri i Interit, Simone Inzaghi u shpreh për mediet se të tijtë e dominuan takimin dhe se shpreson që kartoni i kuq për Lukakun të hiqet.
"Fundi i tensionuar? Pamjet e asaj që ndodhën në fushë mendoj se janë të qarta, prandaj unë shpresoj që pasi të rigjykohen, t’i hiqet i verdhi i dytë Lukakut, e cila e përjashtoi nga fusha. Diçka e tillë ndodhi edhe me Lokman të Atalantës, prandaj kam besim. Fundja, Lukaku nuk është që bëri diçka kundër tifozërisë së Juventusit, por festoi në mënyrën e tij, siç bën gjithmonë dhe u keqkuptua nga arbitri. Fatkeqësisht, ajo që ndodhi më pas me Handanoviçin duhej të ishte shmangur, pasi në këtë mënyrë humbin dy lojtarë tepër të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit", tha fillimisht Inzaghi.
Më pas trajneri u ndal edhe te loja e mirë e zikaltërve, duke thënë se dominuan lojën.
"Nuk ka dyshime që rezultatet të ndihmojnë psikologjikisht dhe unë shpresoj që të rikthehemi sa më shpejt te fitorja. Sigurisht, ne erdhëm në Torino për të fituar, por e dimë shumë mirë se në kthim, përpara tifozëve tanë, nëse arrijmë të fitojmë do të shkojmë në finale dhe barazimi në fund ishte një sinjal pozitiv ndaj nesh. Përballë kemi një rival që absolutisht mbart vlera shumë të mëdha, por kur shoh dëshirën me të cilën kemi zbritur në fushë kundër Juventusit dhe sesi e mbyllëm ndeshjen, jam i bindur që shpejt do të shihni kthesën nga ana jonë. E dominuam takimin", tha trajneri i Interit.
Ndeshja e kthimit mes tyre do luhet në 26 prill në Milano, me skuadrat që kërkojnë finalen e Kupës së Italisë.