Kjo urë pasarelë, 50 metra e gjatë ndodhet në fshatin Mbrakull të Poliçanit. Banorët, nga fëmijët tek të moshuarit rrezikojnë të bien në Osum, teksa kalojnë në këtë urë me dërrasa të kalbura.  Teksa Report TV xhironte kronikën një grua e sëmurë mezi ia doli të kalonte në anën tjetër të bregut.

Ura për këmbësorë u shërben rreth 3500 banorëve. Është e vetmja mundësi që ata të aksesojnë rrugën nacionale. Këtu kalojnë çdo ditë dhe nxënësit e shkollave.

“Është e frikshme të kalosh këtu si për ne ashtu dhe për fëmijët .Ne shpesh kemi pritur beharin që të kalojmë lumin dhe të çojmë mjetet në tokat bujqësore”.

Kryeplaku i fshatit tha se ura pasarelë është ndërtuar në vitin 1964, ndërsa bashkia Poliçan gjatë dimrit kryen disa riparime të vogla, por të pamjaftueshme.

“Kalojnë rreth 3500 banorë sepse ura lidh disa fshatra si Malinatin,Tërrovën, Temanin, Vojakun,etj. Këtu është edhe gjimnazi fshatit, ndaj fëmijët kalojnë çdo ditë në këtë urë. Ne kemi tokat në anën tjetër, detyrohemi të mos i mbjellim sepse s’kemi nga ti kalojmë mjetet bujqësore për të punuar token”.

Banorë të zonës tregojnë se vite më parë është aksidentuar një grua shtatzënë.

“Këtu kanë rënë edhe njerëz siç është rasti i një gruaje shtatzëne e cila i ka pasoja edhe sot, sepse ka mbetur e dëmtuar.

Përmes Report Tv banorët e Mbrakullës në njësinë administratove Vertop të Poliçanit kërkojnë nga Qeveria dhe Forcat e Armatosura të ndërtojnë një urë të re me bazament hekuri.