Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish për refuzimin e kandidaturës së Gent Cakajt si ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Për Metën, pavarësia dhe integriteti i Kosovës janë të padiskutueshme përsa kohë që drejton Shqipërinë si President.

“Pavarësia, integriteti territorial i #Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë @CIJ_ICJ janë të #padiskutueshme për Republikën e #Shqipërisë deri në sekondën e fundit si #President i vendit tim.”-shkruan Meta në rrjetet sociale.

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Metës dhe thotë se presidenti mund ta shkelë kushtetutën për rastin e Cakajt dhe të merret me fjalë për të njësoj sikur të ishte Dëshmitari X.

“Që Presidenti ynë të shkelë Kushtetutën, godasë qeverinë, nëpërkëmbë një djalë të ri e të paktën 1000 herë më të ditur se ai, duke u marrë paturpësisht me fjalë si të ishte Dëshmitari X...Oh çfarë marre! IM me qyqarët e kadrinjtë mbrojnë Kosovën nga një shqiptar i Kosovës.”-shkruan Rama në rrjetet sociale.

Reagimi i Metës vjen pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili, menjëherë pas refuzimit të kandidaturës së Gent Cakajt nga Presidenca e quajti veprimin të turpshëm dhe të rrezikshëm. (Lexo këtu).  Për këtë cështje kanë nisur reagimet edhe nga Kosova, ku ish-ministrja e Jashtme, Edita Tahiri u rreshtua krah Metës. (Lexo këtu). 

Ditën e sotme, presidenti Ilir Meta Meta refuzoi të dekretojë Gent Cakajn si ministër të Jashtëm. Meta nuk ka dekretuar as shkarkimin e Ditmir Bushatit i cili do vijojë të qëndrojë në detyrë deri në zgjidhjen e ngërçit presidencë-qeveri. (Lexo këtu).