Pista kryesore e hetimit për plagosjen e ndodhur mbrëmë në Lezhë është një konflikt i mundshëm për prishjen e pazareve të drogës. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije për Shqiptarja.com dhe Report Tv se i plagosuri në këmbë e shpatull nuk është një emër i panjohur për policinë.

Gjini është dënuar edhe në Itali për trafik lëndësh narkotike dhe është dënuar me 5 vite burg. Në vitin 2015-të, kur ishte 32-vjeç Gjini është depërtuar drejt Shqipërisë.

I plagosuri siç thonë burimet njihej me autorët. Ata madje kanë qënë të ulur bashkë në kafe një natë më parë kur edhe kanë debatuar. Dëshmitarët në vendngjarje thonë se pas zënkës ka ndodhur plagosja, ndërsa autorët dyshohet të jenë larguar me një automjet tip 'Benz'.

Ata kanë dashur të humbasin gjurmët dhe të bëhen të paidentifikueshëm për policinë. Për këtë arsye kanë djegur mjetin tip Benz me të cilin u larguan 5 kilometra larg vendit të ngjarjes.

"Shqiptarja.com" dhe Report Tv siguruan edhe një foto të makinës së djegur në vendin Kolsh-Lezhë.

Makina 'Benz' e djegur një ditë më parë

Njoftimi i plotë:

Informacion paraprak 

Më datë 27.08.2018, rreth orës 20:45, në Ishull Lezhë, është plagosur me armë zjarri shtetasi A.Gj. 35 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmën e nevojshme mjekësore. 

Gjithashtu, në Kolsh - Lezhë, është gjetur i djegur mjeti tip Benz, i denoncuar i vjedhur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e plagosjes. 

Grupi hetimor në vendngjarje, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. 

Janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve.