Pas një periudhe shkëputjeje nga skena muzikore, Gjesti është rikthyer me një projekt që mbart peshë të madhe emocionale. “Memories” është një dedikim prekës që vjen pas tragjedisë familjare që e mbajti atë larg syrit të publikut, humbjes së vëllait të tij.
Në postimin ku njofton këngën, ai shkruan: “Muzika më ka ndenjur gjithmonë afër, si në gëzim, si në hidhërim. ‘Memories’ është një këngë që e kam shkruar me lot dhe e kam pasur shumë të vështirë ta incizoj. Jam munduar ta kursej familjen time, mos t’i mërzis shumë. E në krejt këtë mërzi, po mundohem të gjej lumturi dhe të kthehem në muzikë afër jush.”.
Teksti dhe vija melodike mbajnë prekjen e tij. Në rreshtat e këngës, Gjesti i thotë vëllait se “i kanë mbetur shumë gjëra pa i thënë”, teksa nuk mundet t’i ndalë kujtimet për të.
Ai shpreh dhimbjen e vet duke thënë se “s’ka motiv ta vazhdojë më jetën”, ndërsa kujton momente sesi kohën e lirë e kalonin bashkë, të cilat nuk kthehen më pas. “E kuptova kur ike sa shumë të desha”, shprehet këngëtari.
Rikthim shënon një moment të rëndësishëm për Gjestin, i cili ka zgjedhur artin si formën e tij të komunikimit me publikun. Ende pa u bërë 24 orë nga publikimi i saj, kënga ka arritur në mbi 800 mijë klikime.
Vëllai i Gjestit humbi jetën në shtatorin që lamë pas në një aksident automobilistik në Pejë.

Komente




