Lionel Messi nuk do jetë më futbollist i PSG-së nga sezoni i ardhshëm. Ky është informacioni i publikuar nga gazeta L'Equipe pasi PSG konfirmoi dënimin për futbollistin argjentinas për mungesën e tij në stërvitje të hënën. Messi ka shkuar në Arabi me pushime familjare, pa lejen e klubit.
Tanimë për dy javë "Pleshti" nuk do jetë as në stërvitjen e PSG-së, teksa nuk do ketë pagë dhe aktivizim në ndeshje. Kjo ka sjellë edhe "krisjen" finale të raporteve mes palëve, me Messin që në verë del lojtar i lirë.
Gjatë Kupës së Botës, agjentët e Messit morën si të mirëqenë një paramarrëveshje verbale me Al Khelaifi për rinovimin e saj. Katër muaj më vonë nuk ka asnjë gjurmë të kësaj kontrate.
Bisedat e fundit nuk çuan në nënshkrimin e kontratës dhe tani me atmosferën e rënduar dhe me një fund të sezonit pa trofe të rëndësishëm për PSG-në, gjithçka flet për faktin se Messi do të largohet nga Parisi pas dy sezoneve në të cilat skuadra nuk ka bërë hapin përfundimtar në Europë. Barcelona, Arabia apo MLS në SHBA janë disa nga pistat për të ardhmen e Messit.