Me frymëzim prej historive të Pirros, dhuratës që ja bën Antigonës duke i ndërtuar një qytet të tërë, prej filmit me Çerçizin, Gjirokastra të nis drejt rrugës shtatorëshe nga Prishtina. Kalldrëmet e Kadaresë e shtëpitë me çati rrasash të Kronikës në gurë, kalaja e Argjirosë dhe e hirta e gjallë janë imazhi i ndërtuar gërmash.

Proza e letërsisë dhe e historisë për Gjirokastrën të vendos në imagjinatën e një qyteti lufte, beteje, tymi e flake, plot me heronj. Ata të cilët më së shumti i pamë nga kinemaja e Kinostudios “Shqipëria e Re”.
Të duhet të kalosh një natë, për së gjalli, në qytetin e hirtë, lartë, që të ndodhë befasia e të kundërtës. Gjirokastra e qetë. Fare e qetë. Veç hapave të rreptë e të shpejtë të shëtitësve gjirokastrit nuk pipëtin asgjë tjetër.
Secila ngushtësi rruge, prej sheshit që e zgjat e deri tek taverna më e largët kanë veç zërin e qytetit që ngjeshet pas malit në heshtje. Por, besoni aty do të bindeni që heshtja flet zhurmshëm. Si roje qytetit të vjetër i rri kalaja e ndriçuar me një dritë të butë. Mburrje e fjalë shumë të mençura nga banorët e vjetër që me krenari mbajnë mbiemrat e familjeve që e ndërtuan këtë kala, e këtë qytet të rrethuar nga malet.

“E kanë ndërtuar të parët tanë, kalanë” e thonë me rrokje mjaft interesante gjirokastritët që nganjëherë të humb mendja duke i dëgjuar. “Po gurë mbi gurë” ia kthen tjetri me humor e me vetulla të ngrysura duke dashur ta minimizojë madhështinë e kalasë. Të duket si ironike biseda, nganjëherë e pakuptimtë, por çdo gjë është e thënë me mjeshtri. “Ti tashi nuk punon e më flet për gurët, po lëre tashi se do hashë gurë”, e mbyll bisedën mesoburri që pi birrë e qeshet me zë.

Pamjet e bukura që të kujtohen edhe kur ikën nga kalaja, rrugët, e shtëpitë e vjetra me çati nga gurët, të humbin kur takon gra e burra, pronarë me trashëgimi tre shekullore që punojnë shumë ta mbajnë gjallë qytetin e gurtë dhe shtëpitë e vjetra. Ata jetuesit e atypëratyshëm të historisë dinë të pyesin shumë për Kosovën, për luftën, për pasojat, historinë. E si jo. Ata janë mjeshtër të jetesës në sot dhe në dje njëkohësisht ashtu siç guri është rezistencë e mali liri.

Të tregon për shtëpinë e vjetër, fillon nga dhomat e korridoret deri te qilimat e parmakët e dritareve e tavaneve të gdhendura gjirokastritshe. Ulur në dhomën e pritjes, me sirtarët përplot libra të Ismailit, të zotët e shtëpisë ta hedhin fjalën atje, te shqetësimi. “Më gjej dikë ta shes shtëpinë” e thotë shpejt por thekshëm i zoti. Por sytë e tij kanë mëdyshje. E më pas gruaja e plotëson duke treguar se duan të ikin se nuk mund të jetojnë dot duke rindërtuar të vjetrën me paratë e kursyera nga fëmijët atje përtej kufirit.
Qetësisë së qytetit i shtohet edhe qetësia nga kjo kërkesë që më vonë bëhet dhe lutje. “Shteti nuk na ndihmon, as këta të UNESCO, as këto kompanitë e huaja për restaurime. E gjithë kjo që po shihni është e bërë me djersën tonë”, thotë e zonja e shtëpisë së vjetër të shndërruar në bujtinë për turistë.

Përkundër këmbënguljes sonë që të mos shiten, për vlerën, shqiptarizmën dhe gjithçka që qyteti ta thotë vetë me pamje dhe për trashëgiminë kulturore, ata përgjigjen me ironi ; “po veriun e Kosovës kush e bleu”.
Dalim jashtë dhe fillon ngjarja që nuk e kishim paraparë. Banorët e lagjes grumbullohen duke kuptuar ardhjen e dy shqiptarëve nga Kosova dhe i thonë të gjithat. Në anën e majtë shihet një shtëpi e rrënuar komplet. Banorët e kishin paralajmëruar shtetin dhe ato kishin qenë në procedura burokratike deri sa të merret një vendim. Pas një jave shtëpia e vjetër, ne anën e majtë, mu sipër sokakut të të marrëve ishte gërmadhë.

“Aty poshtë rrugës është shtëpia e Ismail Kadaresë. Atë e ka rindërtuar shteti thotë i zoti i shtëpisë së vjetër. “E dini ju se kur vjen Kadareja në Gjirokastër, atje poshtë, në shtëpinë e tij të madhe?
Vetëm kur ka për të promovuar ndonjë libër të tijin dhe atë ua shet gjirokastritëve me lekë”, thotë e zonja e shtëpisë e cila i kishte lexuar të gjitha veprat e Kadaresë dhe i dinte përmendësh. Ajo vazhdon ta mbrojë para të huajve, ndërkohë thotë që këto i themi vetëm me ‘tanët’.
E burri që kishte lënë sytë duke lexuar libra shumë, tip shumë studioz, me shikim drejt tabelës bardh e zi ku shkruante rruga “Ismail Kadare”, përsërit prapë kërkesën për ta gjetur dikë të interesuar që ta blejë shtëpinë e tij të trashëguar ndër breza. “Aman, jam i detyruar ta shes, dua të iki nga këtu, të shkoj te fëmijët në perëndim se nuk më ndihmon njeri, nuk jam Kadareja të shkruaj libra e të përfitoj nga Gjirokastra. Ne dhamë shumë për këtë qytet e kurrë nuk morëm gjë nga shteti. Jemi vetëm, jetimë, - thotë me shumë mllef i zoti i bujtinës.

Pronarët thonë se detyrohen ta shesin shtëpinë e vjetër që e kanë mirëmbajtur vetë, shtëpi e mbrojtur nga UNESCO, ndër më të bukurat në Gjirokastër. Shtëpi me dritare me pamje nga kalaja, nga mali i Çajupit, nga shtëpia e Kadaresë. Nga dritaret e kësaj shtëpie sheh gjithë qytetin e vjetër që mund të dallohet poshtë nga përmendorja e Çerçiz Topullit, i rrethuar tashmë nga selitë e partive politike. Ndërkohë, sipas pronarëve të shtëpive të vjetra, që ishin kritik të kohës së komunizmit dhe nuk mburreshin me Enverin e lindur në qytetin e tyre, thonin se që nga koha e Enverit, partitë kanë bërë tepër pak.

Inati i banorëve që takon atje drejtohet ndaj Kadaresë dhe sistemit të ri, sepse edhe në komunizmin e Enverit shtëpitë mirëmbaheshin nga shteti. Ata nuk akuzonin njeri pse shtëpinë e Enverit të shndërruar në muze etnologjik, i kishin vënë dikur eksplozivin që ua kishte dëmtuar shtëpitë e vjetra në vitet e pluralizmit të viteve 90-ës. E pse gjithë ai mllef ndaj Kadaresë. Mbase kishin hequr dorë nga shteti që hoqi dorë nga trashëgimia kulturore gjirokastrite dhe donin ta akuzonin individin. Mbase edhe mendimi krahinor, mbase nga që Kadareja që ka shkruar për Gjirokastrën, dhe është shkrimtari më i njohur dhe me tirazhin më të madh të librave të shitur, e ka folur pak dhe nuk ka ndihmuar fare.

A do të mund të ndihmonte Kadareja Gjirokastrën? Themi se po. Deri tani nuk e bëri, por ja që mund ta bëj ‘gjitoni për gjitonin’. Kadareja dhe shokët e tij mund ta hapin një shoqatë, ku drejtohen kompanitë restauruese, studentët e arkitekturës dhe arkeologjisë, piktorët e skulptorët vullnetarë që me punën e tyre do ta shpëtonin Gjirokastrën. Mund edhe të kritikonin direkt shtetin që nuk po bën asgjë dhe atë ta bëjnë publikisht. Ta vizitonin shpesh. Por edhe të jetonte atje. Po nuk e bëri. Dhe po u shkatërrua Gjirokastra dita ditës, si është edhe duke ndodhur, revolta mund të jetë dhe më e madhe.
I zoti i Bujtinës tha që nëse ikën nga Gjirokastra do të thërrasë publikisht: “Mos i bleni librat e Kadaresë, me ato lekë ndihmojeni Gjirokastrën”.

(Gre.M/Shqiptarja.com)