Inter fitoi 1-2 me Sassuolo për javën e nëntë të Serie A. Transferta e zikaltërve u vendos nga dopieta e Dzeko, që i dha tri pikë me vlerë skuadrës së Inzaghit. Në këtë sfidë titullar ishte edhe Kristjan Asllani. Shqiptari luajti 45 minuta, duke u zëvendësuar me fillimin e së dytës. Pas ndeshjes trajneri Inzaghi tregoi se përse e ndërroi shqiptarin.
"Tri pikët- Sot pamë një Inter që kishte një dëshirë të madhe për të fituar dhe që bëri të mundur të kapërcejë lodhjen pas Championsit. E dinim që ndeshja do të ishte e vështirë, por kishim një dëshirë të madhe për të fituar.
Zëvendësimi i Asllanit? Mendoj se ai bëri shumë mirë me Romën. Sot ata e mbuluan mirë dhe nuk ishte e lehtë për të luajtur. Ai gjithashtu u ndëshkua dhe unë preferova ta largoja menjëherë për të mos djegur një zëvendësim. Mos harrojmë se ai është një lojtar i datëlindjes 2002 dhe po punon shumë mirë.
Dopieta e Dzeko - Edin bëri shumë mirë dhe Lautaro gjithashtu. Më vjen keq që nuk e gjeti golin falë porterit dhe pak fatit të keq”, tha Inzaghi.