Prej më shumë se dy vitesh, spitali është bërë shtëpia e tij. Durim Elmazi, një invalid që sapo ka përfituar pensionin, jeton prej majit 2024 në Spitalin e Përmetit, pasi familjarët e lanë në derën e këtij institucioni dhe u larguan. I amputuar në njërën këmbë si pasojë e gangrenës së shkaktuar nga diabeti, ai nuk ka as banesë dhe as njeri që ta strehojë.

Durimi është nga fshati Mokricë i Përmetit. Pas divorcit dhe viteve të emigrimit në Greqi, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua deri në amputimin e këmbës. Në dhjetor të vitit 2023, të afërmit e sollën në Shqipëri për trajtim. Pasi qëndroi për disa javë në banesat e tyre dhe kaloi në spitalet e Përmetit dhe Gjirokastrës, ai mbeti përfundimisht në Spitalin e Përmetit, ku jeton edhe sot.

Në një rrëfim prekës për Report TV, Durimi tregon se është braktisur nga ish-bashkëshortja dhe dy vajzat e tij, të cilat jetojnë me familjet e tyre në Greqi. Edhe pse nuk ka nevojë për shtrim spitalor, ai vazhdon të qëndrojë aty, sepse spitali është e vetmja çati që ka mbi kokë.

"Unë s’vete në shtëpi se s’kam njeri në shtëpi. S’kam as shpi as njeri. Me nusen u ndava. Kam 2 fëmijë, i kam të martuar në Greqi. E dinë që ndodhem këtu në spital. Nuk më marin dot. Unë nuk dua të rri në kat të tretë ” tha ai.

Kryeinfermierja e Spitalit të Përmetit, shprehet se Durimit nuk i ka munguar asnjë përkujdesje qoftë kjo medikamentale e higjenike, por dhe është trajtuar dhe me ushqim.

“Durimi ka 2 vjet e gjysmë që ka ardhur këtu., Ka pasur probleme me këmbën. Familjarët e kanë lënë tek dera e spitalit. Është shtruar në pavion, është trajtuar dhe më pas ka ngelur se nuk e merrte asnjeri” tha Antoneta Gaqo kryeinfermiere e Spitalit të Përmetit.

Lidhur me këtë rast shumë të rrallë ku Spitali është shndërruar në vend bujtje për një të sëmurë, Report TV është interesuar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga kjo ministri sqarohet se Durim Elmazi, ndodhet në Spitalin e Përmetit prej 27 majit 2024 në kujdesin e strukturave shëndetësore, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe në kushtet e një situate të vështirë sociale dhe familjare.

Gjatë kësaj periudhe, pacientit i është ofruar në vazhdimësi trajtim mjekësor, kujdes infermieror, asistencë për higjienën personale dhe mbështetje gjatë lëvizjes në ambientet e spitalit. Paralelisht, janë angazhuar strukturat sociale vendore dhe rajonale për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë.

Në bashkëpunim me Bashkinë Përmet janë siguruar ndihmë ekonomike, mbështetje ushqimore dhe pagesa e kontributeve të nevojshme për pensionin.

Më 11 gusht 2026 është kryer edhe aplikimi për lidhjen e pensionit. Rasti i Durim Elmazit sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është kompleks shëndetësor e social, i cili kërkon bashkërendim të vazhdueshëm mes strukturave shëndetësore, shërbimeve sociale dhe pushtetit vendor. Kjo është dramë që përjetohet nga një i sakatosur prind i dy vajzave që kurrë nuk e kanë kthyer kokën nga i jati i tyre, për t’i ofruar qoftë dhe një strehëz për të ngrysur vitet që i kanë ngelur.