TIRANE-Zgjidhet problemi për të moshuarën që ishte braktisur dhe jetonte në kushte përtej imagjinatës në fshatin turistik Piqeras të Lukovës. 80-vjeçarja Lefteria Qendrothanasi ishte braktisur nga familjarët por edhe nga institucionet shtetërore që e kanë për detyrë kujdesin ndaj personave vunerabël.

Report Tv ishte sot në Piqeras duke sjellë pamje dhe dëshmi të banorëve me apelin që të gjendet sa më shpejt zgjidhja për të. Dhe zgjidhja nuk vonoi, pas transmetimit të kronikës në Report Tv, drejtoria e Kujdesit Shëndetësor në Vlorë ndërhyri dhe ambulanca mori të moshuarën duke e dërguar në spitalin e Sarandës për të parë gjendjen shëndetësore.

Të moshuarës mizat dhe insektet i kishin mbuluar trupin. Lefteria qëndronte natë e ditë jashtë në gjendje të mjeruar. Skena surreale luhej në sytë e të gjithëve: Institucioneve, familjarëve e banorëve të fshatit turistik Piqeras në Lukovë. 80-vjeçarja Lefteria Qendrothanasi qëndronte prej shumë kohësh në këtë gjendje, e braktisur e në mjerim.

"Shumë e vështirë është situata, ka një muaj këtu, që kur kam ardhur nga Greqia e kam gjetur kështu në këtë gjendje, nuk ka njeri kush ta lajë dhe ta ushqejë, bërtet, është e sëmurë, ka nevojë për ilaçe. Qeveria, shoqatat ta ndihmojnë" tha një banore. 

Ndërsa një tjetër banor ngriti alarmin "Është në një gjendje jashtëzakonisht të keqe, është për t'u tmerruar, i ka dalë zorra e trashë, është me krimba, këtu në Piqeras do të plasë epidemia, shteti duhet të bëjë dicka". 

Tre vite më parë u dogj shtëpia e saj, dhe këtu nisën peripecitë e mundimshme. Njësia administrative Lukovë, tha se e ka dërguar asokohe në azil, por e moshuara nuk qëndroi. Më pas është caktuar si kujdestare, kunata e saj. E pyetur nga Report tv, Androniqi Qendrothanasi tha se ka të pamundur të kujdeset për 80 vjecaren, edhe pse paguhet për këtë punë.

"Kujdesimi, mbrëmë i shpura batanije, por nuk dëgjon dhe bën c'i thotë mendja. Unë vjet e dërgova në azil në Tiranë, por u kthye mbrapsht. Kur erdhëm këtu më tha më grinë mizat, të të grinë i thashë, se unë të dërgova atje të jesh me doktor dhe pastërti. Unë mundohem por nuk më lënë edhe të tjerët, me ctë drejtë më hapën derën dhe e nxorën përjashta, se unë brenda do e laj, nuk do ta laj në rrugë" tha ajo. 

Në përpjekje për të ndihmuar këtë të moshuar, Report Tv komunikoi në telefon me Adi Boçin kryetarin e njësisë administrative Lukove. Ai tha se është vënë në lëvizje, por pret zgjidhje nga eprorët në bashkinë e Himarës.

"Kemi ditë që komunikojmë me kunatën e vet i kemi bërë veprimet kjo është punë qe ka ndodhur javën e fundit që ka dalë nga banesa që në gjendjen ku ka qenë me institucionet shpresojmë ti japim një zgjidhje që sot po komunikojmë kështu që mendojmë ti japim një zgjidhje shpejt" tha ai.

Nuk kaluan shumë orë dhe pas transmetimit të kronikës në Report Tv, shteti ndërhyri për të bërë detyrën që i takon duke transportuar të moshuarën për në spitalin e Sarandës. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:08
Pas apelit të Report Tv u dërgua në spital, e moshuara falenderon gazetarin: Eja të të puth një cikë që të qau syri për motrën tënde

E gëzuar që më në fund nuk ndodhet jashtë dhe po merr mjekim, e moshuara Lefteria Qendrothanasi falenderoi gazetarin e Report Tv Limos Didani që përcolli gjendjen ku qëndronte prej kohësh dhe apelin për ndihmë duke sjellë reagimin e shtetit. "Eja të të puth një cikë që të qau syri për motrën tënde" iu drejtua 80-vjeçarja gazetarit. Report Tv e ndoqi transportin me ambulancë dhe dërgimin në spital të së moshuarës ku tani është nën kujdesin e mjekëve.