Lukova larg luksit dhe pranë natyrës e shijes bio, fshati ku u vu në zbatim parulla e Enver Hoxhës 't’u qepemi kodrave e maleve...'

Në mendësinë e shqiptarëve sot në moshë madhore, Lukova identifikohet me brezaret që tjetërsuan pamjen e të gjithë tokës ku shtrihet fshati.

Ishte koha kur Shqipëria miqtë i kishte kthyer në armiq. Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën bënë që vendi të përjetonte skamjen dhe mungesën e bukës.

Veçanërisht që nga mesi i viteve 60 duke vënë në jetë porositë e Partisë së kohës dhe Enver Hoxhës, nën moton “T’u qepemi kodrave e maleve, t’i zbukurojmë e bëjmë pjellore si fushat”, nis puna në zonat bregdetare nga Vlora, në Lukovë e deri në Ksamil. Tokat u shpyllëzuan nga mijëra të rinj e të reja që u dërguan me detyrim të punonin një muaj vullnetarisht, domethënë pa pagesë. Brezaret u mbollëm me dru frutorë, ullinj, agrume, vreshta etj.

Aksionistët e dikurshëm nuk gjejnë më gjurmë të brezareve, për ta kanë mbetur historitë e mundimeve, aventurave, miqësive, brengave, autobusëve fizarmonikë të tej mbushur, shallit të aksionit, valixheve prej druri dashurive që lindën apo mbetën kodrinave.

Ajo çka mbetur nga Lukova janë rrugët karakteristike me kalldrëm, mikpritja lukovite që ka hapur dyert për turistë nga e gjithë bota.

Lukova është vetëm 21 km larg qytetit të Sarandës Fshati ndodhet midis Piqerasit dhe Shën Vasilit. Shquhet për pyllin e gjelbëruar dhe bashkohet në harmoni të plotë me ngjyrën e kaltër, të detit Jon. Klima e saj bregdetare gërshetohet me klimën malore. Ata që duan të pushojnë larg zërave të lartë e muzikës ritmike, në Lukovë i shoqëron vetëm cicërima e zogjve.

Përgjatë gjithë sezonit turistik nga maji në gusht, Lukova konkurron edhe me çmimet e lira të hoteleve e shezlongëve.

Në Prill, Maj dhe Qershor në Lukovë gjen dhoma për dy persona me 25 euro nata, ndërsa shezlongët në plazh janë falas në këtë periudhë.

Sot ka 750 shtretër dhe për ditë shohim interesin e pushuesve që preferojnë Lukovën dhe plazhet e virgjëra. Çmimet në Lukovë janë të ulëta, 10 deri 20 për qind më ulëta se në Sarandë. Kjo vjen në saj të mosnjohjes akoma të fshatit dhe resurseve që ofron.

Për lukovitët është e rëndësishme që pushuesit të shijojnë produktet vendase e të rikthehen për shijen e mirë që u lë gjithçka kanë ata vetë traditë.

Njohja me historinë e Lukovës është një tjetër pikë e shënuar në axhendën e një turisti.

Emri Lukovë vjen nga sllavishtja luk – vend i gjelbër ose pyll i dendur. Vendndodhja e saj e hershme është qyteza e Dhoknës në kodrat e Gjashnjarit që i takon shek. III – II p.e.r. Figuron i dokumentuar në kadastrat e regjistrimit osman të vitet 1431 dhe 1582 me emrin Llukova. Nga Lukova ka qënë Shën Nimfoni, klerik i lartë në Kostandinopoje (Stamboll). Ai ka lindur rreth viteve 50 të shek. XIII. Fillimisht punoi prift në Manastirin e Mesopotamit. Pas vdekjes u shpall shenjtor i krishtërimit.

Lukova u përfshi ne djegiet e Ali Pashë Tepelenës me 1798. Kundër turkut luftoi trimëresha lukoviote Kalina. Lukova ndodhet ne listën e fshatrave të bregdetit që ka firmosur letrat drejtuar Papës së Romës dhe Caricinës Ruse si dhe mbretërisë se Napolit e të Venedikut që i quante këto fshatra pronë e tij.

Me 1913 Lukova kishte 410 banorë, ndërsa më 1927 kishte 470 banorë.

Breza të tërë punuan e investuan në Lukovë. Të ardhurat vinin nga emigrimi i lukoviotëve që u shpërndanë në të pesë kontinentet nga Alaska në Australi, nga Egjipti në Argjentinë. Gjer në vitin 1940 nga Lukova emigruan 146 emigrantë.

Lukova është shquar edhe për talente në fusha të ndryshme veçanërisht në art e sport.

Fshati është i njohur edhe për kishat ortodokse. 22 m larg nga fusha sportive dhe 223 m larg nga rruga nacionale ndodhet Kisha e Shën Thanasit. Aty Ajo festohet çdo datë 18 Shtator " Dita e Thanasit" për të gjithë besimtarët që mbajnë këtë emër.

Në fshatin bregdetar ndodhet edhe Kisha Shën e Premte, e shpallur monument kulture i kategorisë së parë.

Ajo iu nënshtrua restaurimit tërësor dhe në vitin 2021 doli nga gjendja e rrezikut për shembje.

Punimet që janë kryer në kishën Shën e Premte në Lukovë, për restaurim dhe konservim, e kanë nxjerrë këtë monument kulture nga gjendja e rrezikut.

Kjo kishë e tipit bazilikë (nga greqishtja e lashtë, portiku mbretëror), e ndërtuar mbi një kodër, daton që nga shekulli i XVII-të. E pozicionuar në lagjen perëndimore të Lukovës, kisha ndodhet, pothuajse e braktisur, në mes të një ullishteje.

Kisha bën pjesë në grupin e bazilikave me kupolë. Në të mund të hyhet prej dy dyerve, një në anën jugore dhe tjetra në anë perëndimore. Kisha ka gjashtë kolona, mbi të cilat kalojnë harqe. Veçanërisht e rëndësishme ishte kulla e kambanës, e dhuruar nga mbreti i Napolit në 1695, e cila u zhduk në 1967, me shkatërrimin e shumë kishave dhe xhamive gjatë periudhës të diktaturës.

Kisha është një prej objekteve më interesantë që duhen vizituar në Lukovë dhe është kthyer në një stacion të ri përgjatë tureve të vizitorëve në jug të vendit.

Rreth 6- minuta nga Kisha Shën e Premte gjendet një ujëvarë  e vogël por që plotëson mozaikun e një ditë çlodhëse midis historisë dhe bukurive të natyrës.

Destinacionet e rivierës shqiptare sot zgjidhen jo vetëm nga pushues vendas por edhe të huaj, një fakt i konfirmuar nga mediat më prestigjioze në botë. Por pak kush e di që plazhet e shtatë nga 9 fshatrat e Lukovës përfshijnë gati 60 për qind të vijës bregdetare të Jonit.

Janë 154 km në vijë lineare me plazhe të larmishme; nga ato masivet, shkëmboret e deri tek gjiret e fshehura në kërkim të eksploruesve të natyrës. Një rrugë gjarpërushe e asfaltuar të çon drejt plazhit të shpellës.

Plazhi është një gji i madh me një shtrirje mbi 800 m linear dhe një gjerësi mesatare mbi 100 m rërë. Ka zall te vogël të pleksur me rërë të imët. Plazhi i Shpellave ka sipër vetes një fushë të madhe me ullinj, fiq e pemë të tjera dhe në pjesën jugore përshkohet nga një përrua. Në jug të tij janë dhe plazhet e vogla me shpella nga dhe ku ka marrë emrin. Është një plazh për çdo moshë, pasi nuk ka thellësi të madhe, mund të ushtrohen sporte të ndryshme dhe ka vend të bollshëm për mijëra pushues.

Të gjitha këto shënime, operatorët turistikë sugjerojnë se nuk duhet të humbasin pa u shkruar në axhendën e pushuesve që zgjedhin natyrën, qetësinë dhe ushqimet tradicionale.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 04/05/2024 00:55

    Kush tha qe nuk u qepen dhe tani?! Por tani u qepen per kanabis. Emri Lukove mund te kete origjine sllave,sidomos po te merret parasysh prapashtesa,por mund te kete te beje dhe me emrin e Shen Llukes ungjillorit sic ka shume fshatra me emra shenjtoresh ne Shqiperi,por qe ne kete rast mund te kete humbur /Shen/ qe ka perpara me kalimin e kohes dhe ka marre prapashtesen sllave /ove-a/.Me konkretisht,Shen Lluka-Lluka-Llukova(ova-prapashtesa sllave)-Lukova,por ky mbetet vetem opinion personal.

    Përgjigju
  • Populli: 03/05/2024 20:46

    Makar tu qepeshin edhe njeher kodrave e maleve po tani e kane mendjen per lloj lloj gjerash e vetem per pune jo.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur

Kreu i OBSH-së i shpëton sulmeve të Izraelit në Jemen, ndodhej në aeroportin e Sanas gjatë bombardimit! 2 të vdekur dhe disa të plagosur