E qeshura e një aktori,Adem Kastrati
një jetë me humorin dhe për humorin

E qeshura e një aktori,Adem Kastrati<br />një jetë me humorin dhe për humorin
Portret/Kushtuar Artistit të Merituar (13.02.1909 – 14.06.1972), i cili luajti me sukses në më shumë se 40 premiera nga repertori kombëtar dhe i huaj… Ai punoi: shofer, magazinier, rekuiziter, banakier… Por ëndrra për t’u bërë aktor, i ngjante asaj drite të atij ylli, që s’mund të bëhej meteor….


1.Në kujtesën e fëmijërisë sime
Fëmijërisë sime i takoi rasti “të njihej” edhe me një aktor, paksa të çuditshëm, që peshonte mbi 120 kg. Jo vetëm kaq, por ajo masë e madhe trupore (shtoji edhe mimikën e fytyrës), vetëm në lëvizje po ta shihje: pa thënë asnjë fjalë, pa bërë asnjë gjestikulacion; të krijonte  ndjenjën e humorit. E, ky personazh që më falte të qeshura pafund, lëvizte lirshëm në kufijtë e ëndrrave të mia fëmijërore, ndonëse kufijtë e atyre ëndrrave nuk i njoha asnjëherë. Dhe kjo moshë, që me mendësitë e saj vizaton gjithçka e njëherazi “pse-të” i ka në majë të gjuhë, një ditë, ashtu në mënyrë të pafajshme dhe të sinqertë, pyeti: “Mos vallë aktori Kastrati, është vëlla me Oliver Hardin?!” Më vonë, kur fëmijëria ime rriti paksa shtatin, e pyeti përsëri: “Mos vallë aktori Kastrati, është vëlla me Mihal Popin?!”

2.Nga jeta e aktorit
Adem Kastrati lindi më, 13 shkurt 1909 në Shkodër. Emri i tij shfaqet në grupet më të mira diletante të qytetit të Vendlindjes; dhe i plotë  lulëzon me krijimin e teatrit profesionist “Migjeni”, ku bëhet një nga pjestarët e parë të tij, duke krijuar për 20 vite me radhë një galeri të pasur rolesh të bukura dhe me vlerë. Të mos harrojmë se, për të ardhur tek ‘trokitja’ në portën e teatrit “Migjeni”, rruga e Ademit nuk qe fort e lehtë. Ai punoi: shofer, magazinier, rekuiziter, banakier… Por ëndrra për t’u bërë aktor, i ngjante asaj drite të atij ylli, që s’mund të bëhej meteor.
Luajti me sukses në më shumë se 40 premiera nga repertori kombëtar dhe i huaj. Vdiq më, 14 qershor 1972, pak kohë pasi kishte dalë në pension. (U varros me, 15.06.1972, ora 13.00. Fjalën e rastit, për kontributet e aktorit Kastrati në fushën teatrore i mbajtën, regjisori Serafin Fanko dhe aktorja Violeta Sekuj.)

3.Periudha e parë
Adem Kastrati u shqua si aktor i planit komik qysh në grupet diletante në vitet 1924 – 1925 me Shoqërinë e teatrit “Shkodra”, si dhe me Shoqërinë “Vllaznia” në vitet 1935 – 1939. Interpretoi në komeditë: “Nata e shtojzovalleve” e “Zgjedhja e një deputeti” (viti 1924), në “Konti i Shën Germanit” (viti 1935, M. Ndoja, S. Mio) së bashku me aktorët: Nd. Deda, Nd. Mëshkalla, Nd. Bazhdari, Gj. Çamuku, Ç. Vuksani, B. Duka, M. Bushati, Nd. Radoja; në “Ulqini i marrun” (viti 1938, autor: Asim Lohja, Shoqëria “Atmja e lirë”) së bashku me aktorët: Xh. Tirana, B. Duka, T. Gjyli; në “Andrra e 500-vjetëve” (u shfaq më, 27, 28.11.1938, autor: Andrea Skanjeti) së bashku me aktorët: L. Mjeda, Gj. Sheldia, Nd. Deda, L. Radoja, B. Duka, K. Jakova, A. Gjyli, M. Skanjeti, Nd. Bazhdari, Gj. Çamuku; në “Krik-krrok: Detektivi i famshëm” (viti 1940, regjisor: Andrea Skanjeti) së bashku me aktorët: Nd. Sheldia, Nd. Radoja, L. Gjonej; në “Princi Stromokos” ose “Një atentat në Lodërtunë” (viti 1941, regjisor: Andrea Skanjeti), së bashku me aktorët: Gj. Sheldia, P. Soja, T. Miloti, K. Hila, Nd. Mëshkalla, L. Radoja, Nd. Deda, K. Jakova, E. Gjipali, Nd. M. Dushi.

4.Në kujtimet e regjisorit Andrea Skanjeti, Artist i Popullit
“Mund të them se qe ndër aktorët që qëndroi në skenë më shumë se të tjerët. E kam të pashlyeshëm në kujtesë rolin e Hasanit te “Ali Pashë Tepelena” (viti 1936), në rolin e kujdestarit, te “Andrra e 500-vjetëve”, të parimorit te “Parimori” etj., tipa këto të krijuara me aq vërtetësi e origjinalitet. U shqua më tepër në profilin komik. Ademi kishte pak shkollë, por ishte inteligjent, dhe me një pasion të madh për teatrin. Intuita e tij kishte një prirje spontane, e cila shkëlqeu në skenë. Kishte shëtitur në disa vende, si në Itali, Austri, Zvicër, Jugosllavi. Njihte disa gjuhë, të cilat i fliste me lehtësi, si: italisht, sllavisht, gjermanisht”.

5.Periudha e dytë
Interpretoi tek melodrama “Dasma shkodrane” (viti 1949) në rolin e Filipit, në komedinë “Ishulli i paqes” i J. P. Petrov-it, në dramat: “Përmbysja” e “Tragjedia optimiste”. Si aktor estrade luajti në shfaqjet: “E tashti do të dëgjoni”, “Estradë pa perçe” (1953).
U shqua në mënyrë të veçantë në rolin e xha Sokratit te komedia “Bileta e llotarisë” të D. Bubanit, vënë në skenë nga A. Skanjeri, që u dha më, 09.05.1963. Për këtë shfaqje shkrimtari Kolë Jakova, në mes të tjerave, shkruan: “Figura që spikat në këtë shfaqje, është ajo që krijon aktori Adem Kastrati. Ai u përpoq të mishërojë një koprrac, një njeri jashtë kohe, një njeri që ne e njihnim dikur,, kur sundonte ligji i parasë. Ky njeri anakronik me batutat e tija të goditura, me mentalitetin e tij tashmë qesharak, e mbajti në këmbë shfaqjen”. (Kolë Jakova, shkrimi: “Shënime kritike”, gaz. “Drita”, 10.10.1963.)

6.Pak humor…
Në jetën e tij aktori ka plot ngjarje. Thonë se, edhe një batutë është një ngjarje… Sidoqoftë po tregoj njërën nga të shumtat ngjarje…: “Trupa e Teatrit popullor vjen për të dhënë shfaqje në Shkodër. Në shëtitore (piacë, - i thonë shkodranët. Tani ka dalë dhe fjala: pedonale.) takohen si dy miq të vjetër aktorët: Adem Kastrati dhe Mihal Popi. (Kush i ka njohur ua di masën e madhe trupore.) Duan të përqafohen, por barku i njërit dhe barku i tjetrit bëheshin pengesë për t’u afruar kokat… Bëjnë edhe një përpjekje, edhe një…, por më kot… Të gjithë ato që u ndodhën para kësaj skene dhe, që qenë dëshmitarë, ia plasën të qeshurave me zë të lartë. Në fund qeshën dhe dy aktorët. Atëhere i futën krahët njëri-tjetrit, si dy miq të vjetër, dhe bënë një xhiro në piacë, traditë kjo e vjetër, e zakonshme; ritual e shkodranëve…

7.Në kujtimet e kolegëve… (Si e kemi njohur aktorin Adem Kastrati…)
Bep Shiroka, Artist i Merituar: “Më vjen mirë që më takon dhe mua, jo si moshë me Adem Kastratin, por si nxënës i tij, t’i vizatoj sadopak portretin e tij. Ademi dhe kolegët e tij, na hapën ne, të rinjve, dyert e teatrit, dyert e zemrave, dhe na deshtën, dhe na gëzuan sikur të ishim fëmijët e tyre. Kam luajtur me të, te “Shtatë shaljanët”, “Plaku i maleve”, “Bileta e llotarisë” e D. Bubanit, “Shtrëngata” e Ostrovoskit.
Qëndronte në mënyrë të natyrshme në skenë dhe kishte të zhvilluar intuitën skenike. Edhe pse kishte një masë të madhe trupore, kur ishte fjala për lëvizje në skenë, bëhej djalë i ri. Duke parë këtë raport të zhdrejtë, të merrte gazi kur shikoje këtë madhosh tek lëvizte me kaq bukuri në skenë. Fjalët i nxirrte me vend, me kuptim e nuancë. Ishte komik me të gjitha ngjyrat që ka nevojë një aktor i këtij zhanri”.
Lec Bushati, Artist i Merituar: “Ademin e kam njohur në teatrin “Migjeni”. Shpejt u miqësova me të. Ishte njeri i sinqertë, simpatik në shoqëri. I thjeshtë e pa thashetheme. Ishte prej atyre aktorëve që teatrin e kishte dashur qysh në rininë e tij. Ëndrra, pasioni, vërtetësia e roleve komike, e për më tepër shpirti i tij njeri, bënë që publiku Brenda në sallë dhe jashtë, ta përshëndetnin me nderim dhe respekt”.
Ymer Bala, aktor: “Për mua Adem Kastrati ka qenë “pedagogu” i dytë, pas atyre në shkollë. Në mjeshtërinë e aktorit kemi bërë një element: të vetëndjerit. Kur e pashë në skenë Adem Kastratin dhe, kur pata fatin të luaja me të, e kuptova mirë se ç’është të vetëndjerit të aktorit.  Meqenëse ishte më shumë i zhanrit komik, në komedi luajti hallin, dramën e personazhit të tij, e për pasojë bëhej qesharak. Më vjen keq që kjo figurë nuk arriti të arkivonte role të tilla me peshë, siç janë komeditë e Shekspirit, Goldonit. Ma merr mendja se do të ishte një Fallstat i mrekullueshëm, apo një Zhurden te “Borgjezi fisnik”. Shpesh rri e mendoj për këto gjenerata aktorësh. Pyes veten: “Përse ishin aq të mirë, pse të imponoheshin në skenë?” Përgjigja del vetiu: “Pasioni i madh për skenën i bëri të paharrueshëm!”
Dionis Bubani, shkrimtar: “Teatri “Migjeni”, në vitin 1963 shfaqi komedinë time: “Bileta e llotarisë”. Interpretuan aktorët e talentuar Adem Kastrati, Roza Xhuxha (Anagnosti), Paulin Preka, etj. Publiku i priti mirë dhe unë u ndjeva i lumtur. Me këtë rast mësova se Ademit, me gjithë mend i kishte rënë numri i parë i llotarisë (aso kohe 385 mijë lekë), prandaj e interpretonte me kaq vërtetësi dhe dashuri rolin e Sokratit…”.
           
Shkodër, tetor 2016

adem kastrati
adem kastrati
adem kastrati


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar