TIRANE-Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Paskuqan, ku Erdet Çapoku 34-vjeç masakroi me thikë, levë dhe shkop druri kunatën e tij, ndërsa u arrestua sot rreth orës 13:00 në Laprakë. Ngjarja ka ndodhur në banesën e viktimës, Enkeleda Çapoku, e cila jetonte me vajzën dhe nënën, pasi burri, pra vëllai i autorit ndodhet në burg i dënuar me 10 vite për drogë, ndërsa për dy muaj fitonte lirinë.

Autori në gjendje të dehur ka shkuar në banesën e 39-vjeçares dhe pasi shkallmoi derën u fut brenda duke i dhunuar të treja. E ndërsa mbesën dhe nënën e kunatës i goditi duke i lënë pa ndjenja, nusen e vëllait e masakroi me thikë, levë dhe shkop druri për vdekje. Nëna e 39-vjeçares rrëfeu se i riu i preu damarët dhe e masakroi me thikë në fytyë.

Konflikti mes kunatit dhe kunatës kishte nisur disa muaj më parë pas porosisë së burrit të 39-vjeçares, Elton Çapoku nga burgu për vëllanë. Ai mësohet se kishte porositur vëllanë që të ruante dhe të kontrollonte të gjitha lëvizjet e gruas dhe informacionet apo fotot t'ia dërgonte në burg nëse e tradhtonte. Para 6 muajsh, Erdet Çapoku e qëlloi Enkeleda Çapoku pas sherrit në rrugën kryesore mes bashkisë së Kamzës dhe komisariatit, pasi 34-vjeçari e përndiqte.

39-vjeçarja e denoncoi për përndjekje 6 muaj më parë, por cështja u mbyll. Pas sherrit, gruaja së bashku me vajzën 17-vjeçe dhe nënën u zhvendosën në një shtëpi me qira duke u larguar nga banesa ku jetonin më parë me kunatin dhe familjarët e tjerë. Por kunati, që punonte faturino mbrëmjen e djeshme i dehur shkoi në shtëpinë e saj duke e vrarë. Kjo është vrasja e katërt në 10 ditët e para të këtij viti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:03
U kap i dehur, kokulur duke qarë flet vrasësi i kunatës: Dyshoja se më tradhtonte vëllanë

1578665105_Erdetapoku.jpg
"Isha i dehur kur shkova te kunata". Kështu ka deklaruar Erdet Çapoku në dëshminë e parë pasi u arrestua nga policia pasi ekzekutoi nusen e vëllait mbrëmjen e djeshme. 34-vjeçari u shpreh se kunatën e ka vrarë, pasi dyshonte se i tradhtonte vëllanë, që ndodhet në burg.

"Kam qenë i alkoolizuar kur shkova tek kunata. Kemi pasur konflikte familjare. Dyshoja se kunata më tradhtonte vëllain" mësohet se është shprehur ai raporton gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra. Edhe në momentin që është ndaluar në Laprakë i riu mësohet se ka qenë në gjendje të dehur, ndërsa kokulur dhe duke qarë në komisariat ka pranuar krimin.

Ora 13:17
Kapet në Laprakë autori i vrasjes së kunatës në Paskuqan (Foto nga momenti i arrestimit)

Arrestohet autori i vrasjes në Paskuqan, Erdet Çapoku. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 34-vjeçari është kapur në zonën e Laprakës. Mbrëmjen e djeshme ai vrau kunatën, por arratia zgjati vetëm disa orë pasi u arrestua dhe tani do të përballet me drejtësinë.

Ora 11:24
Vrasja në Paskuqan, nëna rrëfen tmerrin: Më janë tharë lotët, vajzës i preu damarët me thikë (VIDEO)

Nëna e 39-vjeçares që u vra nga kunati në Paskuqan me zë të dridhur dhe lot në sy tregon tmerrin që përjetuan mbrëmë dhe si 34-vjeçari i vrau vajzën. Ajo thotë se ai i preku damarët dhe më pas e qëlloi me levë duke e lënë të vdekur.

"E vrau me levë punë sekondash, nuk lëngoi. Isha tromaksur, mua ai më hodhi në tokë. Komshinjtë erdhën të shkretët kur bërti, por kishte mbaruar. Ti presësh damarët e duarve dhe ta çash te thonjtë, të mos mbarojë robi, ajo 30 kg ishte. Bir nëna bir për gocën time, janë tharë lotët e nënës, që ka punuar tërë jetën në fabrikë".

Ora 11:22
Autori i vrasjes së kunatës refuzon të dorëzohet, negocion vëllai nga burgu

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se policia ka pasur një kontakt me autorin e krimit edhe përmes vëllait që ndodhet në burg që po negocion për ta dorëzuar, por Erdet Çapoku nuk ka pranuar. Ai është kapur nga kamerat e sigurisë së bizneseve pranë pallatit duke dalë me shpejtësi, ndërsa më pas ka humbur gjurmët. Origjina e familjes është nga Përmeti, ndërsa prej disa vitesh ishin zhvendosur në Tiranë me banim.

Ora 11:17
Vrasja në Paskuqan, qiradhënësi: Autori, një shejtan i shkurtër përmetar, e pabesueshme! (VIDEO)

Në një prononcim për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta njëri prej banorëve të zonës në Paskuqan ku ndodhi ngjarja, që është edhe personi që i kishte dhënë hyrjen me qira 39-vjeçares që u vra, u shpreh se autori duhet të marrë dënimin maksimal. "Familja shumë e mirë, e dashur, në punë dhe hall të vet, njerëz korrekt për cdo gjë. Konfliktet e brendshme nuk i di, ishte korrekte për pagesën. Autori e njoh, nuk ma merrte mendja të bënte këtë gjë. Ai ka banuar këtu, më pas ka ikur banonte jashtë Tiranës. Autori nuk të linte përshtypjen, një shejtan i shkurtër ta bënte këtë gjë, një përmetar ta bënte këtë gjë!!! Nuk ka fjalë. Ishin njerëz shumë të mirë. Punonte dhe mbante një familje. Të dënohet në maksimum, të mos ketë mëshirë për atë" tha ai.

Ora 10:31
Burri dyshonte për tradhti, gruaja që u vra ishte bashkuar me Dëshmitarët e Jehovait (VIDEO)

Prej 6 vitesh gruaja që u vra nga kunati në Paskuqan jetonte vetëm me vajzën dhe nënën e saj, pasi burri ndodhej në burg për trafik droge. E ndërsa burri dyshonte se gruaja e tradhtonte duke i lënë porosi vëllait ta ruante, gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se 39-vjeçarja prej pak kohësh i ishte bashkuar sektit të Dëshmitarëve të Jehovait.

Ora 10:14
Drogë drejt Holandës, historia e dënimit të burrit që vëllai i vrau gruan, dilte për dy muaj

Gruaja që u vra mbrëmë në Paskuqan nga kunati, burrin e kishte në burg të dënuar me 10 vite burg për trafik droge nga Shqipëria në drejtim të Holandës. 6 vite më parë, Elton Çapoku u arrestua së bashku me dy persona të tjerë dhe u dënua me 10 vite për trafik droge në bashkëpunim. Gazetarja e Report Tv Xhensila Kodra raporton se Elton Çapoku kishte pësuar ulje nga dënimi dhe për dy muaj fitonte lirinë. E ndërsa vuante dënimin, ai i kishte kërkuar vëllait që t'i kontrollonte të gjitha lëvizjet e gruas, pasi dyshonte se e tradhtonte, por porosia përfundoi në tragjedi.

Historia e dënimit të burrit të viktimës
Në 2014 Krimet e Rënda morën të pandehurit Arben Alla, Elton Çapoku dhe Adrian Çingu. Sipas akuzës këta persona kanë tentuar të trafikonin nga Shqipëria drejt Holandës një sasi prej rreth 186 kilogram lëndë narkotike kanabis sativa. Arrestimi i këtyre shtetasve është kryer pasi, në datën 29.8.2012, shtetasi Adrian Çingu ka tentuar që të trafikojë lëndën narkotike drejt Holandës me anën e një mjeti tip kamion. Sasia e lëndës narkotike është zbuluar në pikën e kontrollit kufitar të Portit të Durrësit, pasi Prokuroria për Krime të Rënda po zhvillonte hetimin në dinamikë. Ndërkohë që u krye arrestimi i shoferit të kamionit, u kryen veprimet e tjera procedurale, në bazë të të cilave u evidentuan përgjegjësitë edhe të shtetasve Arben Alla dhe Elton Çapoku.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se i pandehuri Adrian Çingu, i datëlindjes 10.5.1963, lindur dhe banues në Tiranë gjatë viteve 2011-2012 është përfshirë në një aktivitet të kundërligjshëm lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kanabis sativa nga Shqipëria në drejtim të Holandës, ku ai kryente rolin e transportuesit si shofer me kamion të ndryshëm. Në vijim të këtij aktiviteti i pandehuri Adrian Çingu më datë 27.8.2012 ka blerë formalisht nga shtetasi nën hetim Elton Çapoku automjetin e llojit kamionçinë e bardhë, e tipit “Mercedes-Benz” LVFS3, e më pas i ka bërë ndryshimin e targave të këtij mjeti, duke i vendosur targat e reja si dhe duke i prerë siguracionet dhe kaluar dokumentacionet e tjera shoqëruese të mjetit në emrin e tij. Pas këtij veprimi, automjeti i mësipërm është marrë nga shtetasi i identifikuar si Beni prej deklarimeve të të pandehurit Adrian Çingu më datë 6.2.2013, me qëllim ngarkimin në të të lëndës narkotike dhe fshehjen e saj.

Më datë 28.8.2012 rreth pasdites, i pandehuri Adrian Çingu është telefonuar në telefonin e tij celularë nga shtetasi Beni duke i treguar se makina ishte bërë gati për t`u nisur në Itali dhe duke i treguar vendin se ku gjendje ajo, e konkretisht në rrugën e Durrësit afër një karburanti në Laprakë. I pandehuri Adrian Çingu pasi takohet me shtetasin Beni i cili po e priste afër automjetit të mësipërm, merr porositë prej këtij të fundit dhe niset në drejtim të portit të Durrësit për të ikur në drejtim të Italisë me traget e në vijim për në drejtim të Holandës, ku ishte destinacioni i dërgimit të lëndës narkotike. Deklarimin fajtor të të pandehurit Elton Mitat Capoku, për veprën penale të “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim mbetur ne tentative parashikuar nga neni 283/”a”-2-22 të K.Penal dhe denimin e tij me10 (dhjetë) vjet burgim, duke i filluar vuajtja e dënimit nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit “arrest në burg, të caktuar me vendimin nr. 380 datë 23.07.2014, ekzekutuar në datën 05.09.2014

Ora 09:34
Autori i krimit në Paskuqan punonte faturino (Detaje të reja nga vrasja)

1578645325_vrasja.jpg
Autori i krimit në Paskuqan Erdet Çapoku punonte si fatorino, raporton gazetari i Report Tv Arsen Rusta. Pas ngjarjes 34-vjeçari është shpallur në kërkim, pasi u arratis me shpejtësi. Ndërsa gruaja, punonte në një fasoneri këpucësh së bashku me vajzën, teksa burrin e kishte në burg të dënuar me 10 vite për drogë.

Ora 09:20
Detaje nga vrasja në Paskuqan, jo vetëm me shkop druri, kunati e qëlloi edhe me thikë

1578644246_pallati001.jpg

Shtëpia me qira e gruas që u vra në katin e dytë të pallatit

Gazetarja e Report Tv Xhensila Kodra raporton se Enkeleda Çapoku, që u vra nga kunati në Paskuqan ka edhe shenja të goditjes me thikë në trup. Erdet Çapoku nuk është mjaftuar duke e goditur vetëm me sende të forta dhe shkop druri, sipas policisë, por e ka qëlluar edhe me thikë duke e lënë të vdekur në vend. Gruaja dhe vajza punonin në një kompani këpucësh. Shenja dhune nga goditjet ka edhe vajza dhe nëna e viktimës, por ndodhen jashtë rrezikut, pasi kanë plagë të lehta.

Ora 09:06
'Më ruaj gruan!' Porosia e vëllait nga burgu që solli vrasjen në Paskuqan

1578643890_erdet.jpg

Erdet Çapoku

Burri i 39-vjeçares që u vra nga kunati në Paskuqan ndodhej në burg i dënuar për drogë. Ndërkohë që në momentin që kishte rënë brenda në burg, vëllai i kishte lënë porosi vëllait që të ruante të gjitha lëvizjet e gruas. Por në një moment, 6 muaj më parë mes Erdet Çapokut dhe kunatës së tij ka pasur një debat, pasi Enkeleda Çapoku e akuzoi se e përndiqte. Erdet Çapoku e qëlloi kunatën duke e goditur në rrugën kryesore mes bashkisë së Kamzës dhe komisariatit.

Enkeleda Çapoku e denoncoi për përndjekje dhe çështja përfundoi në polici, por u pushua. Në komisariat kunati ka thënë se e ruante 39-vjeçaren, pasi e kishte porosi nga vëllai që ti ruante nderin. Enkeleda Çapoku u largua nga banesa ku jetonin të gjithë bashkë më parë dhe jetonte vetëm me nënën e saj dhe vajzën 17-vjeçe me qira.

Autori ka pretenduar që të dhënat që merrte ja kishte lënë porosi i vëllai, ta ruante dhe çdo foto që bënte apo informacion për lëvizjet e gruas që kishte ia dërgonte në burg. Kjo ka sjellë debatin mes tij dhe kunatës që përfundoi me vrasjen e 39-vjeçares.

Ora 08:46
Zbardhet skena e krimit, kunati i dehur shkallmoi derën, vrau kunatën, i dhunoi nënën dhe vajzën

1578643536_shtepia001.jpg

Apartamenti ku ndodhi krimi

Report Tv zbardh skenën e krimit ndodhur në Paskuqan mbrëmjen e djeshme. Erdet Çapoku në gjendje të dehur mbrëmë është futur në banesën ku jetonte kunata me vajzën dhe nënën e saj duke shkallmuar derën. Burri i 39-vjeçares, pra vëllai i autorit ndodhej në burg i dënuar për drogë. Çapoku i ka rrahur të treja, pasi kanë shenja dhune në trup, ndërsa më pas ka qëlluar për vdekje 39-vjeçaren me shkop druri.

Ora 08:01
Policia jep detaje: Kunati e vrau kunatën në Paskuqan me shkop druri

1578643178_autorivretkunatentirane.jpg

Erdet Çapoku

Policia e Tiranës ka dhënë detaje nga krimi në familje në Paskuqan. Sipas grupit hetimor ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:40 të mbrëmjes së kaluar, ndërsa Erdet Çapoku 34-vjeç e ka goditur duke e lënë të vdekur kunatën e tij Enkeleda Çapoku 39-vjeçe me shkop druri. Autori është shpallur në kërkim.