Një ngjarje e rëndë është raportuar të ketë ndodhur në Greqi, ku 5 të rinj dyshohet se kanë përdhunuar në grup një 17-vjeçare.

Sipas mediave të huaja, bëhet e ditur se për këtë ngjarje kanë rënë në pranga në total 10 persona.

Ditën e nesërme pritet të dëshmojnë para Prokurorisë së Hanias të dhjetë personat, të cilët janë të përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në rastin e përdhunimit të të miturës.

Incidenti ndodhi mesnatën mes të mërkurës dhe të enjtes, kur dy vajza 17-vjeçare, njëra nga Bullgaria dhe tjetra greke, dolën për një shëtitje nga një ‘strehë vajzash’ e drejtuar nga kisha lokale. Në rrethana aktualisht të paqarta, ato u gjetën fillimisht në një vend akomodimi turistik dhe më pas në një shtëpi, të shoqëruara nga një grup prej shtatë të rinjsh.

Të enjten, vajza 17-vjeçare greke raportoi se ishte përdhunuar nga pesë persona, ndërsa shoqja e saj bullgare deklaroi se pasi kishte përdorur kanabis, ajo kishte dhënë pëlqimin për marrëdhënie seksuale me njërin prej tyre, gjë që çoi në arrestimin e saj për përdorim droge.

Autorët e dyshuar të përdhunimit janë dy bullgarë të moshës 15 dhe 18 vjeç, një grek 17-vjeçar që po filmonte skenën, si dhe dy grekë të moshës 21 dhe 27 vjeç. Përveç kësaj, u arrestua një tjetër 21-vjeçar me origjinë greke, i cili akuzohet për veprime dhe sjellje të pahijshme, por jo përdhunim.

Përveç 6 të arrestuarve, u arrestuan edhe tre kujdestarë të qendrës së strehimit. Bëhet fjalë për dy gra nga Bullgaria të moshës 47 dhe 46 vjeç, si dhe një shtetase 59-vjeçare shqiptare, për neglizhencë në mbikëqyrjen e të miturve.