KORÇË- Qenë të helmuar që japin frymën e fundit në rrugët e qytetit janë imazhet që shohin banorët e Korçës dy ditët e fundit.

Numri i qenve endacak që kanë ngordhur 48 orët e fundit është shumë i madh, ndërsa sipas informacioneve të siguruara nga Report Tv janë helmuar edhe shumë kafshë shtëpiake.

Dyshohet se helmimet janë bërë të qëllimshme, ndërsa kjo nuk është hera e parë që ndodhë një fenomen i tillë. Të shumta kanë qenë reagimet e qytetarëve korçarë të cilët kërkojnë nga institucionet që të parandalohen ngjarje kaq të rënda. 

E njëjta pamje e trishtë është parë edhe disa muaj më parë në qytetin e Vlorës. Ishte vullnetarja Entela Guberaj ajo që ka denoncuar rastin makabër, e cila prej 8 vitesh merrte qentë nga rruga dhe i strehonte në këtë qendër, duke i dhënë ushqim dhe i adoptonte jashtë vendit. 9 qen nga kjo qendër janë helmuar dhe për pasojë kanë ngordhur, teksa në tokë është gjetur mish i grirë me helm. 

Megjithëse reagimet kanë qenë të shumta, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi ligjore për krimin.