Një zyrtar lokal i Policisë në Malësinë e Madhe ra në prangat e kolegëve të tij pas zbulimit të një skandali seksual ndaj një vajzë 15-vjeçare. Berhan Bajrakurti, specialist i policimit në Komunitet në Gruemirë, në Komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe, u arrestua një orë pas denoncimit që nëna e vajzës bëri në media, duke publikuar edhe video teksa inspektori i zonës i tregonte organin gjenital së bijës në video telefonata. Vajza 15-vjeçare e ka filmuar këtë moment, duke e paraqitur si një provë të fortë në polici, ku bënë edhe kallëzimin.

Të dyja thonë se kanë marrë edhe kërcënime prej inspektorit, i cili u vu në dijeni për denoncimin dhe shkoi në polici duke kërcënuar nënë e bijë. "Do ju zhduk, do ju shfaros", - ishin fjalët kërcënuese të tij, të cilat nëna ka guxuar t'i bëjë publike në media duke mos pasur ngurrimin edhe të publikojë videon me gjeste të turpshme nga ana e inspektorit të policisë Berahan Bajrakurti. Familjarët treguan se ata dhe vajza janë përndjekur dhe kërcënuar nga polici. Ata kanë shkuar në komisariatin e policisë ku denoncojnë se nuk janë pritur nga askush, ndërsa Bajrakurti i ka kërcënuar, më pas e denoncuan rastin në media.

Report Televizion mëson se shumë vite më parë, në 2008-ën, Bajrakurti është shkarkuar nga radhët e policisë për shkelje në detyrë.

Korrespondenti i Report Tv, Ergys Kavaja, mëson se gjatë kësaj periudhe, Bajrakurti ka bërë punën e faturinos në linjën e autobusit Shkodër-Koplik. Rreth vitit 2015 ai është rikhtyer në detyrë, derisa sot u arrestua nga kolegët për ngacmimin seksual ndaj minorenes. Ndërkohë në zgjedhjet lokale të 2015-ës, Bajrakurti ka qenë komisioner i Partisë Socialiste në Malësinë e Madhe dhe menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor ai është rikthyer në detyrë.

Inspektori i Policisë është i martuar, baba i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali, njëra e martuar dhe vajza e dytë beqare.

Mësohet se vajza që është ngacmuar seksualisht nga polici, është në gjimnaz, dhe vazhdon mësimet në Gjimnazin e Gruemirës.

Nuk është hera e parë që qytetarë të gjendur në vështirësi nuk priten nga organet kompetente dhe detyrohen t'i drejtohen medias për të gjetur zgjidhje të problemeve të rënda që i kërcënojnë dhe jetën. Pas denoncimit të rastit, policia arrestoi efektivin e policisë Berhan Bajrakurti, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë denoncim dhe se me rastin janë informuar nga media.

Njoftimi i SHÇBA

Shkodër

Shërbimi për Çështjet e Brëndshme dhe Ankesat, (SHÇBA) duke marrë shkas nga publikimi në media i një materiali video ku një punonjës policie shfaqet duke kryer veprime të turpshme, në vleresim te veprimeve paraprake hetimore ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Berhan Bajrakurti, specialist i Policimit në Komunitet në Gruemirë të Malësisë së Madhe i dyshuar per vepren penale ”Ngacmim seksual”.

Nga hetimet rezulton se materiali video është regjistruar ne ambjent te mbyllur (banesa personale) kjo e dokumentuar nga kqyrja e baneses.

Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar dhe kqyrur aparati i telefonit me te cilin dyshohet se ka kryer komunikimin.

Nga verifikimet e kryera nga SHÇBA, nuk u evidentuan fakte dhe rrethana, të cilat provojnë se ka patur një ankesë drejtuar në Polici nga ndonjë shtetas per rastin ne fjale.

Per kete rast po hetohet nga sektori per Krimet Kompjuterike per identifikimin e personit dergues te mesazhit dhe videos qe u dergua per publikim ne medie. 

SHÇBA nxit dhe inkurajon personin denoncues apo këdo që ka dijeni për rrethana apo informacione per kete rast apo raste te tjera te  denoncojë duke u garantuar anonimatin dhe dhënien e mbrojtjes së menjëhershme. 

SHÇBA falenderon median për bashkëpunimin dhe garanton se do të ndjekë me seriozitet çdo denoncim të qytetarëve duke i nxitur ata të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 për çdo paligjshmëri që konstatojnë nga punonjës të Policisë së Shtetit.