Një 67-vjecar në Shkodër ka gjetur vdekjen në mënyrë tragjike. Ai ka rënë aksidentalisht në gropën e qymyrit, pranë banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës në fshatin Vilzë.
Burime për Report tv thanë se salla operative është njoftuar në orën 21.15 nga familjarët, se “Qamil Lishaj ka rënë në zjarrin e furrës së qymyrit që kishte dy ditë që e kishte ndezur”.
Policia dhe zjarrfikëset mbërritën në vendngjarje në orën 22.45 dhe punuan për fikjen e zjarrit.
Nga verifikimet u konstatuan mbetje të kockave të njeriut. Viktima, Qamil Lishaj kishte hapur gropën për djegien e qymyrit pranë banesës së tij, dhe nga hetimet e deritanishme dyshohet se ka rënë brenda aksidentalisht. Prokuroria e Shkodrës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike.