Ky ka qenë projekti më abstrakt i bërë nga Bashkia e Tiranës gjatë viteve 2012- 2013 kohë kur edhe u rikonstruktua kjo godinë. Me shtesën që iu bë objektit u parashikua që hyrja e nxënësve dhe stafit akademik të behej përmes oborrit të spitalit, pranë një vendparkimi.
Por sa e zakontë është kjo situatë, që për të hyre në një institucion arsimor fillimisht duhet të kalosh në një institucion shëndetësor. Vetë nxënësit shprehen të pakënaqur nga ku ndryshim pasi u duhet të kalojnë mes makinave, pacientëve, mjekëve etj, etj.
“Na duhet që dy herë në ditë të kalojmë mes për mes spitalit. Nuk mendoj se është e hijshme që nxënësit për të shkuar në shkollë të shohin të sëmurë, pajisje spitalesh apo të kalojnë mes për mes parkimit.
Na duhet të jemi shumë të vëmendshëm sidomos në mëngjes kur edhe fluksi i makinave është tepër i madh” pohon një nxënëse. Ndërkohë një tjetër pohon se ky projekt u kundërshtua nga vetë nxënësit në fillim, por askush nuk mori mendimin e tyre.
“Në fillim kur na u tha që hyrja e shkollës do të ishte në krahun e kundërt, ne kundërshtuam. Por mendimi i askujt nga ne nuk u mor parasysh dhe tashmë kalojmë mes për mes spitalit: pohon një tjetër nxënës.
Sipas të dhënave janë mbi 600 nxënës të cilët frekuentojnë ambientet e shkollës “Eqerem Çabej” dhe detyrimisht kalojnë mes për mes spitalit. Kjo situatë është e pazakontë edhe për një institucion universitar siç është QSUT.
Kjo sepse vetëm pak metra larg shkollës ndodhen sallat e operacionit të spitalit francez, ndërkohë që pak më tutje mjekët kryejnë konsultat ambulatore me pacientët, mes zhurmës së nxënësve kur ata dalin nga shkolla.
Sipas të dhënave, rezulton se për rikonstruksionin e këtij objektit dhe për kthimin e hyrjes në krahun e kundërt, pikërisht në mes të oborrit të spitalit u përdorën 126.6 milionë lekë. Me ndërtimet e reja që iu kryen këtij objekti u shtuan 6 laboratorë edhe 19 klasa të reja.
Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )